e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Kush e dha urdherin per zjarr?

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Kush e dha urdherin per zjarr?
Çfarë do të sjell "dorëzimi" i gardistëve:Hierarkia e Gardës, ja çfarë ndodh nëse krerët e gardës merren në pyetje Nga sekuestrimi i rregullores dhe ligjit të funksionimit të Gardës së Republikës, rezulton se hierarkia e urdhër dhënies për efektivët e gardës funksionon në mënyrë të centralizuar në një rreth shumë të ngushtë zyrtarësh. Kryeministri qëndron në krye kësaj hierarkie, më pas vjen Ministri i Brendshëm, vartësia e të cilit është Komandanti i Gardës së Republikës dhe pas tij, vijnë komandantët e katër njësive dhe asaj të njësisë speciale të Gardës. Për këta të fundit, janë lëshuar tashmë urdhër-arreste nga prokuroria.

Kjo hierarki nxjerr zbuluar një këndvështrim shumë më të thjeshtë mbi arsyet e skandalit të mosdorëzimit të gardistëve për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet. Ka dy rrugë nëse ata arrestohen dhe merren në pyetje. Komandanti i Gardës (në rastin konkret gjeneral Ndrea Prendi) ose do marrë përsipër se ka urdhëruar vetë hapjen zjarr mbi turmë (gjë e cila sipas Nenit 79 të Kodit Penal dënohet me burgim 20 vjet deri në burgim të përjetshëm) ose do pohojë që ka marrë urdhër.

Prej këtej, duhet lëshuar urdhër arresti për Ministrin e Brendshëm (në rastin konkret Lulzim Basha) ose mbi vetë kryeministrin e vendit (në rastin konkret Sali Berisha). E gjithë retorika e dhunës verbale të jashtëzakonshme që po ushtron në 48 orët e fundit, kreu i qeverisë, ka shmangur deri tani pyetjen kyç të kësaj historie nga pikëpamja ligjore: Kush e dha urdhërin? Me urdhër të kujt Garda qëlloi mbi turmë?

Nëse gardistët "dorëzohen", duhet të pranojnë akuzën që sipas Nenit 79 të Kodit penal i dënon me 20 vjet deri në burgim të përjetshëm, ose duhet të pohojnë që kanë marrë urdhër nga Ministri i Brendshëm ose Kryeministri, dy personat e vetëm që sipas hierarkisë ligjore kanë të drejtë të urdhërojnë Gardën të hap zjarr

Gardistët u mjekuan në oborrin e Kryeministrisë për të mos u arrestuar

Brenda territorit të Kryeministrisë u mjekuan gardistët që u plagosën nga incidentet e ditës së premte,ku mbetën të vrarë tre demonstrues. Në territorin e Kryeminisrisë, janë filmuar uniformat e bardha,të cilat kanë qenë duke iu dhënë ndihmë mjekësore disa gardistëve të plagosur.

Gardistët nuk janë lejuar të largohen nga Kryeministria që prej ditës së premte,kur u zhvilluan incidentet. Edhe në raste kur gardistët kanë patur nevojë mjekësore më të madhe,kamera ka filmuar personelin mjekësor që ka shkuar dhe ka mjekuar gardistët brenda rrethimit të Kryeministrisë. Efektivat e gardës që u dëmtuan gjatë protestës, shihen në një pamje tërësisht të pazakontë,njëlloj si të ishte në rast lufte dhe marrin ndihmë mjekësore në natyrë të hapur.

Gardistët gjenden brenda territorit të kryeministrisë,asaj që quhet si vend rreptësisht i ndaluar për çdo qytetar dhe si zonë e rëndësisë për Gardën e Republikës. Territori ku u mjekuan gardistët është në juridiksionin dhe ruajtjen e Gardës së Republikës, gjë që iu jep atyre garanci maksimale se nuk mund të ndalohen ose shoqërohen para drejtësisë nëse ndaj tyre është lëshuar urdhër-arresti nga Prokuroria.

AKUZAT
Neni 70 i Kodit Penal Ushtarak

"Shpërdorimi i detyrës"
(Ndryshuar me ligjin nr.8919, datë 4.7.2002)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, për përmbushjen e rregullt të detyrës, kur i ka sjell pasoja të rënda shtetit ose interesave të ligjshme të shtetasve, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.

Kur kjo vepër është kryer nga kuadri ose personeli komandues dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet burg.

Por, kur kjo vepër e kryer në gjendje lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet burg.

Neni 79 / dh të Kodit Penal

"Vrasje në rrethana të tjera cilësuese"
Vrasje me dashje e kryer, kundër dy ose më shumë personave, dënohet me burgim jo më pak se 20 vjet burg ose me burgim të përjetshëm
Hierarkia e Gardës, ja çfarë ndodh nëse krerët e gardës merren në pyetje

Hierarkia e Gardës së Republikës: 1 - Kryeministri 2- Ministri i Brendshëm 3 - Komandanti i Gardës 4- Komandanti i Njësisë Speciale 5 - Komandantët e 4 Njësive
Nga këndvështrimi ligjor, pas arrestimit të gardistëve, në varësi të deklarimeve të tyre, lëshohet urdhër-arresti për Ministrin e Brendshëm dhe/ose Kryeministrin