Kufiri detar, Greqia: Amerika jashte!
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Lajmi bëhet i ditur nga një raport diplomatik amerikan që u publikua nga organizata 'Wikileaks'. Kabllogrami bën të ditur gjithashtu që negociatorët shqiptarë në bisedimet për kufirin detar me Greqinë ishin tërësisht të vetëdijshëm për problemet e marrëveshjes, por nuk kishin mundësi të kundërshtonin apo të negocionin, për shkak se Athina po përdorte ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit (MSA) si një kobure në kokën e palës shqiptare.
Kabllogrami me kod 08TIRANA745 i tetorit 2008 dhe i klasifikuar si konfidencial, mban titullin: “Greqia i bën presion Shqipërisë mbi çështjet e kufirit dhe varrezave”.
Pjesa e parë e kabllogramit u referohet informacioneve të furnizuara nga Ledia Hysi, zyrtare e çështjeve ligjore dhe traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Gjatë një seance bisedimesh së fundmi në Tiranë, zyrtari grek në krye të delegacionit i dha palës shqiptare një ultimatum. Qeveria greke mund të tregohet e gatshme për një kompromis mbi kufirin detar pranë Korfuzit (ndoshta për shkak të interesit ushtarak ekzistues amerikan për ndërtimin e një baze ushtarake të SHBA-së në Jal, Shqipëria e Jugut). Gjithsesi, zyrtari grek paralajmëroi delegacionin shqiptar për të plotësuar kërkesën tjetër, atë për të mbajtur ‘fuqitë e largëta’, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jashtë bisedimeve”, thuhet në raportin diplomatik. “Një frazë identike u përdor gjithashtu gjatë një takimi në Tiranë mes ambasadorit të Greqisë dhe ministrit të Jashtëm Basha”, vijon më tej kabllogrami.
Pasi Greqia arriti me sukses të bllokojë me veton e saj anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pavarësisht nga presionet e anëtarëve të tjerë, qeveria shqiptare filloi të besojë se kërcënimi grek me MSA-në nuk ishte thjeshtë një blof. Greqia e la ratifikimin e MSA-së deri në momentin e fundit, pasi vendet e tjera të BE-së e kishin ratifikuar. Ajo e mori marrëveshjen për detin sipas kërkesave të saj, por kjo marrëveshje nuk hyri në fuqi, për shkak se media shqiptare dhe një ushtarak në pension e denoncuan atë dhe shkaktuan rrëzimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Manipulimi i kufijve
“Sipas Ledia Hysit, drejtore e çështjeve ligjore dhe traktateve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë negociuar për shumë muaj për demarkimin e kufirit të tyre detar. Bisedimet kanë hasur probleme të shumta, për shkak të asaj që (Hysi) e përshkroi si “standard të dyfishtë” të përdorur nga Greqia, e cila synon të përdorë metoda të ndryshme për pjesë të ndryshme të bregdetit, ndërsa Shqipëria përdor vetëm një standard dhe një metodologji të përcaktuar nga konventat ekzistuese ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, shqiptarët akuzojnë grekët se po përdorin sipas dëshirës metoda të ndryshme demarkimi në pjesë të ndryshme të detit për të kapur pjesët më të pëlqyera të kufirit”, thotë kabllogrami.