e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Kriza greke ka ndikuar qe nje pjese e emigranteve te kthehen ne Shqiperi'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Kriza greke ka ndikuar qe nje pjese e emigranteve te kthehen ne Shqiperi'
Emigrantët shqiptarë në Greqi janë ata që po e ndjejnë më tepër krizën e rëndë ekonomike në të cilën është përfshirë vendi fqinj. Konstatimi vjen nga diplomati shqiptar Dashnor Dervishi, i cili shprehet se kjo do të jetë edhe për vitet në vijim. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, ambasadori ynë në Athinë thotë se emigrantët shqiptarë hasin në disa vështirësi të cilat lidhen drejtpërdrejt me situatën makro-ekonomike të Greqisë. Në rrëfimin e tij Dervishi thotë se të ardhurat nga emigrantët kanë rënie të ndjeshme madje disa emigrantë kanë lënë vendin helen për shkak të mos gjetjes së një vendi pune.

Që në fillim do dëshiroja ta nisja bisedën me pyetjen se, në çfarë shkalle ndodhen sot marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, pas konflikteve të fundit?

Nuk e di se për çfarë konfliktesh e keni fjalën, por mund të them se aktualisht marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë karakterizohen si shumë të mira, me një tendencë që ka prirje për të shkuar drejt progresit, në një nivel gjithnjë e më të lartë. Duke qenë vende fqinje, në një rajon me ngarkesa historike të së kaluarës, vlerësojmë se në realitetet e reja që po përjetojmë ka një zhvillim cilësor në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, gjë që shprehet jo vetëm në vullnetin mjaft pozitiv që kanë dy qeveritë tona, por edhe në krijimin e një opinion pozitiv në nivel popullor në të dy vendet tona. Ato që ju i quani konflikte, nuk janë gjë tjetër vetëm se çështje të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje që në kuadër të shpjegimeve të më sipërme janë të evidentuara në axhendën e bisedimeve dhe hap pas hapi po gjejnë zgjidhjen e tyre, në frymën e mirëkuptimit dhe realiteteve të reja europiane që po përjetojmë. Është vënë re se midis dy vendeve fqinje kanë munguar takime të kontakteve të nivelit të lartë, si mund të kuptohet kjo nuk ka më probleme?

Në zhvillimet e sotme botërore dhe rajonale po ndodhin ndryshime të mëdha përsa i përket edhe klisheve standarde me të cilat ne jemi mësuar të shohim marrëdhëniet dypalëshe. Në rastin konkret, në marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë nuk kanë munguar takimet dhe bisedat në nivel të lartë të cilat bëhen në mënyrë frekuente në takimet apo forumet ndërkombëtare dhe rajonale, ku presidentët, kryeministrat apo ministrat tanë të Jashtëm janë të pranishëm. Përveç kësaj, mund të them se lidhjet dhe afrimet njerëzore kanë bërë të mundur që komunikimet për raste apo ngjarje të veçanta të realizohen nëpërmjet mundësive të shumta që teknologjia e sotme moderne ka bërë të mundur.Pavarësisht nga kjo, edhe shkëmbimet e nivelit të lartë nëpërmjet vizitave dypalëshe janë në programet e dy ministrive tona të jashtme për këtë vit dhe në vazhdim, por koha e realizimit të tyre është në funksion të zhvillimeve të brendshme në të dy vendet tona dhe faktorëve të tjerë që lidhen me axhendën e aktiviteteve ndërkombëtare.

Kosovën tashmë e kanë njohur shumë shtete, keni ndonjë mesazh nga pala greke për njohjen si shtet? Po për marrëdhëniet midis Greqisë dhe Kosovës?

Qëndrimi zyrtar i Greqisë përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës tashmë është i njohur dhe nuk ka ndonjë ndryshim. Ky qëndrim është bërë transparent dhe nuk është vështirë të lexohen arsyet nga çdo vëzhgues i vëmendshëm. Në të njëjtën kohë, krahas këtij qëndrimi formal, është e rëndësishme të theksohet fakti që Greqia ka bërë shumë hapa përpara në njohjen de facto të shtetit të ri të Kosovës, ku vlen të theksohet njohja e pasaportës se shtetit kosovar nga pala greke. Kjo gjë që shprehet edhe në marrëdhëniet e shumta që realizohen midis Greqisë dhe Kosovës, si në fushën diplomatike dhe ekonomike, ashtu edhe në atë të sigurisë dhe përfshirjen e Kosovës në axhendën e Greqisë në kuadrin e proceseve të integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Pajisja e emigrantëve shqiptarë me pasaporta biometrike është një kërkesë emergjente, por deri tani ka pasur vetëm premtime nga ana e shtetit shqiptar, në një kohë kur ambienti ka përfunduar dhe është gati për tu shërbyer emigrantëve tanë?

Fillimi i punës për pajisjen e shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi me pasaporta biometrike dhe karta identiteti është një çështje ditësh. Pavarësisht se ka kohë që në ambientet e godinave të ambasadës sonë në Athinë dhe Konsullatës në Selanik janë instaluar pajisjet e nevojshme dhe janë bërë gati operatorët që do merren me këtë punë, vonesat kanë ardhur për disa arsye që lidhen me rakordimin e të gjithë procedurave midis institucioneve tona shtetërore dhe firmës private franceze që merret me prodhimin e këtyre dokumenteve.

Emigrantët janë zhgënjyer disa herë nga politika shqiptare që nuk i ka mbështetur për të fituar të drejta të plota. Si ambasador keni ndonjë strategji që emigrantët të fitojnë këto të drejtat e tyre?

Në përpjekjet e gjithanshme që bëhen për fitimin e të drejtave të emigrantëve në një vend të caktuar luajnë rol të rëndësishëm disa faktorë. Respektimi i normave dhe standardeve ndërkombëtare dhe europiane për të drejtat e emigrantëve përbëjnë shtratin kryesor legal; sa më të mira të jenë marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona aq më shumë këto të drejta bëhen më të lehta në realizimin e tyre; por ajo që është më thelbësore, janë vetë emigrantët që me punën dhe sjelljen e tyre qytetare do arrijnë të fitojnë jo vetëm respektin por edhe integrimin e tyre ne shoqërinë greke. Për të përmendur, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe, është fakti që Shqipëria ka kërkuar fillimin i negociatave në mes grupit të punës, në nivel ekspertësh për realizimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore, mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe homologes së saj greke, IKA. Një kategori e konsiderueshme e emigrantëve, sidomos të moshave të mesme dhe të thyera, kanë paguar sigurimet shoqërore si në sistemin shqiptar ashtu edhe në atë grek, pa i plotësuar në asnjërin sistem vitet minimale të kontributeve për të përfituar pension. Do të ishte me interes realizimi i një marrëveshjeje që do të realizonte mbledhjen e viteve të kontributeve në të dy vendet.

Cilat janë problemet kryesore të komunitetit shqiptar dhe si mendoni ju të kontribuoni në zgjidhjen e tyre?Si problem kryesor për komunitetin shqiptar ne Greqi mbetet ai i integrimit të plotë në këtë shoqëri si dhe zgjerimi i hapësirave të ushtrimit të të drejtave të tyre në kuadrin e nismave të ndërmarra nga qeveria greke, gjatë vitit të fundit. Edhe pse ka pasur një ndryshim cilësor të dukshëm vitet e fundit, në integrimin e emigrantëve shqiptarë, të cilët tani mund të konsiderohen si komuniteti shqiptar në Greqi, përsëri ata vazhdojnë të kenë probleme qe lidhen me një sërë faktorësh legjislative, burokratike apo të mentalitetit.

1. Një zhvillim shumë i rëndësishëm në favor të emigrantëve ishte miratimi, në gjysmën e parë të 2010, vetëm me votat e PASOK-ut dhe SYRIZA-s, i Ligjit mbi “Përfitimin e shtetësisë greke dhe pjesëmarrjes politike të homogjenëve dhe të huajve të vendeve të treta, që kanë qëndrim të ligjshëm afatgjatë në Greqi”, i cili ka dy drejtime:

-së pari i jep të drejtën e shtetësisë greke emigrantëve ekonomikë, që vërtetojnë se qëndrojnë ne mënyrë legale për 5 vite në shtetin grek dhe fëmijëve të tyre që kanë ndjekur per 6 vite shkollën në Greqi.
- së dyti i jep të drejtën, për të votuar për administratën lokale për herë të parë emigrantëve të ligjshëm me leje qëndrimi afatgjatë në vend.

2. Tashmë mund të konsiderohet i tejkaluar problemi i lëvizjes së lirë drejt atdheut dhe kthimit në Greqi për emigrantët që janë në proces rinovimi të lejeve të qëndrimit në shtetin grek. Ne e kemi mirëpritur vendimin e qeverise greke për shtyrjen e afatit, edhe me një vit tjetër, të udhëtimit drejt atdheut të emigrantëve, që janë në proces rinovimi të lejeve qëndrimit.

3. Një problem me te cilin po përballen emigrantët në përgjithësi është ai procedurave për rinovimin e lejeve të qëndrimit. Mirëpresim idenë e Ministrit të Brendshëm, Ragusi për të ngritur “one stop” në shërbim të emigrantëve. Aktualisht emigrantët përballen me burokraci shpesh të paaftë dhe të rënduar, si dhe me procedura të komplikuara, por ky sidoqoftë është një problem me të cilin po përballet edhe vete shoqëria greke.

4. Planifikimi i politikave të nevojshme për t’i krijuar mundësi emigrantëve që nuk kanë numrin e detyruar të pullave të sigurimeve shoqërore (ensima) të rinovojnë dokumentet e tyre.

Aktualisht vërejmë se emigrantët kanë hasur vështirësi në rinovimin e lejeve të tyre të qëndrimit për arsye të mosplotësimit të numrit të detyruar të pullave të sigurimeve ( ensimave), kjo si rrjedhojë e krizës ekonomike që po kalon Greqia, që ka prekur më së shumti grupet shoqërore më të dobëta, siç janë emigrantët. Vetë Kryeministri Papandreou ka thënë: “është e padrejtë të humbasë emigranti lejen e qëndrimit, sepse i mungojnë disa ensima”.

Ditët e fundit, Ministri Plotësues i Punës dhe Çështjeve Sociale, Giorgios Koutroumanis njoftoi mbi vendimin që pritet të merret nga qeveria për të zvogëluar numrin e pullave që duhet të kenë emigrantët për të rinovuar lejet e tyre të qëndrimit, si dhe për të përfituar sigurimet shëndetësore. Ministri premtoi se projekt-ligji do të paraqitet së shpejti në parlament.Sipas ligjit aktualisht në fuqi kërkohen 150 pulla të sigurimeve shoqërore për rinovimin e lejes së qëndrimit, që përkthehen në 200 ditë pune të ligjshme në vit. Me ndryshimet e pritshme do të kërkohet sigurimi i vetëm 120 të tilla. Ndërsa për sigurimet shëndetësore kërkohen aktualisht 80 pulla dhe pritet që numri i tyre të ulët në 50.Sipas shpjegimeve të Z. Koutroumanis, këto ndryshime kanë për qëllim të zvogëlojnë numrin e emigrantëve të paligjshëm në vend dhe t’i japë fund punësimit klandestin të tyre. Në këtë kuadër, Ministri premtoi se po shihen të gjitha mundësitë për vendosjen e gjobave për punëdhënësit që nuk do të paguajnë kontributin e sigurimeve shoqërore për të punësuarit e tyre.

Kriza ekonomike ka gjunjëzuar vendin, të parët që do preken janë emigrantët, konkretisht keni ndonjë të dhënë lidhur me largimin e tyre?

Papunësia ka prekur të gjithë sektorët publikë dhe privatë, por më shumë kjo ndjehet në sektorin e ndërtimit dhe turizmit ku edhe punojnë 50% e emigrantëve shqiptarë dhe mund të thuhet se kjo kategori është goditur shumë nga efektet e krizës gjë e cila mund të sjellë kthimin e një numri të konsiderueshëm të tyre në vendin e vet. Që kriza ka ndikuar ndjeshëm në të ardhurat e emigrantëve shqiptare, duket edhe nga dërgesat e tyre të cilat vetëm ne tremujorin e parë të vitit të shkuar ranë me 170 milionë euro. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë nga Greqia e kanë ndjerë krizën dhe kjo mund të ndikojë negativisht akoma më tepër në vitet në vazhdim. Një fakt shqetësues, sidomos për sa i përket dërgesave të tyre monetare drejt Shqipërisë, është edhe ulja e numrit e individëve të punësuar me kohë të plotë. Nëse në vitin 2008, 60% e emigrantëve ishin të punësuar me kohë të plotë, në 2009-n, ky nivel zbriti në 54%.

Sipas Qendrës për Kërkime Monitor e cila intervistoi rreth 1100 emigrante shqiptarë në dhjetor të vitit të shkuar, rreth 65% e emigrantëve të anketuar, konfirmuan se dërgojnë herë pas here para në Shqipëri, por vetëm 40% kanë mundur të dërgojnë para gjatë vitit te shkuar. Pjesa dërrmuese e këtyre, ka një nivel mesatar mujor të ardhurash familjare 1,000-3,000 euro.

Si përfundim, kriza greke do ketë ndikime të konsiderueshme në rajon por sidomos në Shqipëri për shkak të numrit shumë të madh të emigranteve shqiptare të cilët dominojnë dy sektorë nga më të prekurit nga kriza: ndërtimin dhe turizmin. E vetmja gjë pozitive është që pavarësisht uljes së remitancave të emigranteve, këta mund të sjellin kapital për të investuar në Shqipëri në rast se vendosin të braktisin Greqinë përfundimisht.

Lidhur me mësimin e gjuhës shqipe janë bërë shumë tentativa nga vetë emigrantët, po nga ana juaj ekziston ndonjë ndihmë dhe konkretisht?

Prej disa vitesh, në Greqi, shumë shoqata shqiptare apo vetë emigrantet shqiptare me iniciativën e tyre të lirë janë angazhuar në hapjen e disa kurseve të mësimit plotësues të Gjuhës Shqipe. Ambasada Shqiptare vitet e fundit e ka ndjekur më nga afër këtë problem duke mbajtur kontakte të vazhdueshme jo vetëm me Shoqatën e Mësuesve Shqiptarë në Greqi por edhe me vetë personat apo shoqatat e tjera në rrethe të cilët kane hapur kurse të mësimit të Gjuhës Shqipe.Konkretisht institucionet shqiptare kanë ndihmuar këto shkolla të mësimit të gjuhës shqipe nëpërmjet sigurimit të materialeve mësimore bazë si Abetare, Fletore pune, Gjuhe për klasat e II, të III dhe të IV, si dhe tekste Historie. Kjo ndihme nuk është më sporadike por e koordinuar dhe e vazhdueshme në mënyrë që për çdo fillim sezoni shkollor, fëmijët të jenë të pajisur me tekste mësimore.

Kush është Dashnor Dervishi

Mbas viteve 90-te të pakët kanë qenë ata diplomat karriere që kanë shërbyer si ambasadorë të pavarur politikisht në Përfaqësinë Shqiptare në Athinë. Vitet e tranzicionit në vendin tonë me gjithë përpjekjet e bëra treguan mungesën e vullnetit politik në zbatimin e kritereve në emërimet e tyre në vendet e BE. Mungesa e emërimeve në bazë të kritereve të duhura tregoi se MPJ, ka dështuar plotësisht dhe duhet të heqë dorë nga emërime të karakterit politik- militantizmi. Duhet të kalonin shumë vite që më në fund të emërohej një diplomat, ambasador karriere. Bëhet fjalë z. Dashnor Dervishi, diplomat karriere dhe aktualisht ambasadori i Shqipërisë në Athinë. Është i diplomuar për fizikë bërthamore. Ka punuar një kohë të shkurtër si specialist në fizikën e ndërtimit pranë Institutit të Urbanistikës dhe Arkitekturës në Tiranë, më pas si kryeredaktor i revistës shkencore “Shkenca dhe Jeta”. Zoti Dervishi ka mbi 30 vjet që shërben në diplomaci. Është diplomat karriere. Në vitin 1976 është emëruar në Ministrinë e Jashtme. Me 1986-1988) është emëruar ambasador në Meksikë, nga ku mbulonte edhe disa vende të Amerikës Latine dhe të Amerikës Qendrore. Në Itali (1988-1992), në Izrael (1998-2000), në Turqi (2000-2001), në Rumani (2006-2010). Para se te vinte ne Athinë, Ambasador Dashnor Dervishi ka ushtruar detyra të ndryshme si këshilltar diplomatik i kryeministrit, drejtor i integrimit Euro-Atlantik, Drejtor i Marrëdhënieve Rajonale, Përfaqësues i Shqipërisë në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore -SEECP, Organizatën e vendeve të Detit të Zi -BSEC, Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë dhe “Pol Harris Aëard”, si themelues i Rotary Clun në Shqipëri. Zotëron katër gjuhë të huaja, anglishten, frëngjishten, spanjishten dhe italishten.