Kontrata me Blair do te kushtoje, por cili xhep do ta paguaje?
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqipëria, një ndër vendet më të varfra të Europës mund të shtojë së shpejti pasurinë e Tony Blair. Ish-kryeministri laburist mikpriti Edi Ramën në zyrat e tij në Mayfair javën e kaluar. Dy muaj më parë, britanikja “The Telegraph” raportonte se Blair kishte rënë dakord të këshillonte qeverinë e ardhshme të Shqipërisë, duke i hapur rrugën një marrëveshjeje me vlerë miliona paundshe. Marrëveshja me Shqipërinë është lënë të kuptohet se u negociua më së pari në shkurt, kur Alastair Campbell, ish-drejtori i komunikimit të Blair fluturoi në Shqipëri për të promovuar ditarin e tij “bestseller”. Ai i ofroi Partisë Socialiste këshilla strategjike për fushatën elektorale. Zëdhënësi i Blair ka thënë se ai nuk ka firmosur ndonjë kontratë dhe se qeveria shqiptare nuk do ta paguajë atë. Gjithsesi, ai refuzoi t’i jepte përgjigje pyetjes nëse Blair do të paguhej nga Partia Socialiste.
Në cilin xhep do të shkojë fatura?
Marrëveshja e Ramës me Tony Blair ka tërhequr vëmendjen e medias në Shqipëri dhe Britani. Arsyeja fshihet tek kostoja e saj, ose më saktë, tek fakti që po i mbahet e fshehtë publikut. Gazeta britanike “The Telegraph” ka kontaktuar si me stafin e Ramës, ashtu edhe me atë të Blair, por përveç fjalëve të kortezisë e të mirave që pritet të vjelë Shqipëria nga ky këshillim, asnjë fjalë nuk ka shpëtuar mbi çka do të përfitojë Blair. Në mungesë të një përgjigjeje, gazeta britanike i ka hedhur sytë drejt kontratave të tjera të Blair, për të kuptuar pak a shumë tarifën e tij. Sipas të njëjtit raport, kompania e Blair, Government Advisory Practise këshillonte qeveritë e Kazakistanit, Brazilit, Kolumbisë dhe Kuvajtit.
Në kohën e negociatave me Shqipërinë, listës i është shtuar edhe Mongolia. Supozohet se Kazakistani është “ishulli i thesarit” për Blair. Sipas gazetës, dyshohet e kontrata me këtë vend është rreth 16 milionë paund, shifër e hedhur poshtë nga zëdhënësi i Blair. Këshillat e Blair i kanë kushtuar Brazilit rreth 4 milionë paund, ndërsa kur vjen puna tek Shqipëria, më shumë se tek paratë, halli duket se me cilën dorë do të paguhen ato! Në shkrimin e djeshëm, “The Telegraph” aludonte se kontrata pritet të firmoset nga Partia Socialiste. Arsyet mund të gjenden sa tek mungesa e gjatë e transparencës, aq edhe tek përpjekja për të mbajtur qeverinë e re “të pastër”.
Dritë-hijet mbi kontratën
Përgjatë qeverisjes së PD, të shpeshta ishin kokëçarjet për të justifikuar rolin kontrovers të Podestës, apo paratë që transferoheshin drejt llogarisë së kësaj kompanie. Vetë Rama dhe njerëzit e tij e kanë kritikuar me dhjetra herë këtë marrëdhënie të dyshimtë me kompaninë lobuese, e sido që ta ketë emrin kontrata me Blair, ajo do t’i vendosë pushtetarët e rinj në të njëjtën pozitë si të vjetrit. Kohë më parë, në linjën e devizës “ne do të jemi ndryshe”, Rama tha se nuk mund të hiqen paralele mes Podesta-s dhe Blair.
“Ka një ngutje të madhe, të kotë për të bërë krahasime mes Blair dhe Podestáve, që paguhen me paratë e shqiptarëve për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një qeverie të korruptuar deri në palcë. Të jeni të sigurt se vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do sjellë. Ndërsa kontrata nuk do të rëndojë hiç fare mbi buxhetin e shtetit dhe të publikut”, do të shprehej atëherë Rama. Megjithatë, vetë Blair ka humbur shumë prej hirit dhe simpatisë së dikurshme. Kontratat e tij milionëshe me drejtues shtetesh që shihen vëngër në perëndim janë bërë shpesh ushqim për mediat britanike, ndërsa në të gjitha rastet, vlera ekzakte e tyre ka mbetur e panjohur për publikun. Historia po përsëritet edhe me Shqipërinë, ku megjithëse nuk është firmosur ende, kontrata me Edi Ramën do të shtojë pasurinë e ish-kryeministrit laburist. Përshtatur nga “The Telegraph”