e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Kongresi, goditje e mendimit ndryshe dhe klientelizem'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Kongresi, goditje e mendimit ndryshe dhe klientelizem'
Deputeti Kastriot Islami analizon Kongresin e PS.
Islami: “Hera e tretë” është më shumë vazhdim i Herës së parë dhe i Herës së dytë

Në Kongres kisha vendosur vetëm të dëgjoja, duke pritur një reflektim dhe pranim të sinqertë për të gjitha gabimet në drejtimin e PSSH që nga viti 2005, që deri më sot përmblidhen në “politikën e re” dhe “radikalizimin dyvjeçar”. Naivisht, a po të mos kishe mendjen në Kongres, do të mendoje se retorika e “Herës së Tretë” sikur i përgjigjej kësaj pritshmërie, së paku për të pranuar gabimet në drejtimin e PS e hequr dorë nga spastrimi i kundërshtarëve. Por po të jesh pak racional dhe i vëmendshëm, kupton se “Hera e tretë” është më shumë vazhdim i Herës së parë dhe i Herës së dytë, duke mos pranuar në thelb gabimet, hedhur fajet vetëm të tjerëve dhe vazhduar skemën e një “drejtimi të personalizuar e klientelist”, ashtu siç stigmatizon analisti amerikan Bugajski, edhe për PS fatkeqësisht. Prandaj, shumë veta mbetën skeptikë e pesimistë për suksesin e “Herës së Tretë”, e për rrjedhojë të pamotivuar.

Pse? Ndonëse Rama kishte bërë përpjekje kolosale që me koshiencë të dukej ndryshe e autokritik, subkoshienca e demaskoi koshiencën. Në sytë e publikut, nën petkun e thirrjes për bashkim, për shkak të mungesës së qetësisë, dilemave apo inatit ekstremal, u shfaq gjithçka ai mendon e synon realisht. Disa detaje që duken si të parëndësishme, por që flasin shumë qartë, do të ishin: asnjë person i cilësuar “kundërshtar” nga Rama nuk u lejua të fliste në prezencë të medias. U linçua ish-Presidenti Meidani në mënyrë të organizuar se kishte kritikuar pjesë të programit si i “ulur në prehrin e Berishës”.

U ndanë shqiptarët në tri klasa, “në mbështetës të Ramës me të cilët do të ringjallet Shqipëria”, “në kritikues të Ramës që u etiketuan se punojnë për interesat e tyre dhe që janë ulur në prehrin e Berishës” dhe “kundërshtarë të Ramës që janë pjesë e regjimit të Berishës”. Duket si ndarje klasash në kushtet e demokracisë, “bardhë e zi, o me mua, o kundër meje”. Duke i presupozuar naivë socialistët e shqiptarët, u promovua teza e “afrimit të disa të përjashtuarve pa arsye në 2005”, ndërkohë që “u larguan këtë radhë pa arsye disa të tjerë që nuk ishin spastruar në 2009 apo të rinjve që ishin afruar në 2009-n, vetëm se e kishin kundërshtuar atë”. Por askush nuk është naiv të mos kuptojë se e gjithë kjo është vazhdim i skemës së spastrimit, relativizimit apo spostimit nga forumet drejtuesve të njerëzve me eksperiencë që kanë mendim ndryshe dhe atyre që nuk janë klientelistë, por kundërshtojnë kryetarin për defektet e drejtimit të PSSH.

Nuk u hodh asnjë tezë për bashkimin e së majtës, ndërkohë që Hera e Parë dhe Hera e dytë dështuan, se e majta ishte e përçarë… Prandaj, mbetem i vendosur të komunikoj me publikun, proporcionalisht me mosreflektimin për defektet dhe mungesën e transparencës, por akoma më shumë, me kundërshti në proporcion progresiv me drejtimin e personalizuar, klientelizimin ekstrem e mungesën e konkurrimit të ndershëm.

I. Politika e re dhe kursi radikal, taktika dyvjeçare të dështuara. Po “Hera e tretë”?

Politika e re lindi në 2007 e u përmbyll, pa mbushur ende dy vjet, në qershor 2009, dhe për shkak të saj PS mbeti në opozitë. Në 2009, PS nisi një kurs veprimesh radikale, në themel të së cilës do të qëndronin bojkoti e mosvotimi i ligjeve dhe reformave integruese, protestat e demonstratat për rrëzimin e qeverisë, kërkesat dhe thirrjet për zgjedhje të parakohshme, grevë urie, bllokim rrugësh, deri tek ngjarja tragjike e 21 janarit e sulmet e medias e gazetarëve pranë dhe pro opozitës kundër ndërkombëtarëve e veçanërisht SHBA, kurs që do të zgjaste veçse dy vjet. Për shkak të këtij kursi radikal, aleanca e PS do të kishte 141 mijë vota më pak se aleanca qeverisëse dhe do të ndërronte peizazhi politik në Bashkinë e Tiranës dhe njësitë e saj bashkiake. Tani është deklaruar se do të kalohet në “Kursin e ri” apo siç u quajt ndryshe në Kongres, projektin “Rilindja e Shqipërisë”, ide e bukur që nis në 2011-n dhe me shumë gjasa do të zgjasë përsëri 2 vjet, deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Kjo është Hera e tretë, e treta e vërteta? Paradoksalisht, kjo herë nisi me një deklaratë naive se “Bojkoti dhe politika dyvjeçare radikale ishin viktima të suksesit të tyre…”.

Hera e tretë ka në themel: a) një projekt-platformë me një listë dëshirash socialdemokrate, por që kërkon shumë punë për t’u kthyer në një program realist qeverisjeje; b) një retorikë për bashkim të komprometuar rëndë nga linçimi i organizuar i ish- Presidentit Meidani dhe nga teza sektare se “Kush kritikon ose ka qëllime personale, ose është në prehrin e Berishës”, dhe c) afrimin (gjë shumë e mirë) e disa të përjashtuarve në 2005-n, përjashtimin (gjë shumë e keqe) e disa të afruarve kritikues në 2009-n dhe vazhdimin e skemës makiavelike të kontrollit të forumeve (që hedh në erë tezën e bashkimit) me formatimin e kryesisë e të sekretariatit. Tri pyetje shtrohen 1) Ku ndryshon “Hera e tretë” nga “Politika e re” dhe përse dështoi politika e re në zgjedhjet e 2009?; 2) Kush mban përgjegjësi për kursin dyvjeçar radikal, që ta themi “troç”, rezultoi i gabuar dhe i dështuar në zgjedhjet vendore të 2011, por ai paraqitet paradoksalisht sukses; dhe 3) A do të mund të fitohet vetëm me sloganin “E treta, e vërteta” kur ende nuk ka një përgjigje se si mund të zvogëlohet apo përmbyset distanca prej 141 mijë votash që mban PS në opozitë që nga viti 2009 dhe nuk ndryshoi në 2011-n dhe mund të ripërsëritet në 2013-n?

II. “Hera e tretë”, si vazhdimësi e “Politikës së Re” dhe “Kursit radikal dyvjeçar”… ?

“Politika e re”, që kishte në themel refrenin e goditjes së “politikës së vjetër 18-vjeçare”, ku përfshiheshin edhe 8 vjetët e qeverisjes së majtë, u përjetua më shumë si fillimi i zbatimit të një “politike spastrimesh e spostimesh të të gjithë atyre që kishin themeluar PS” dhe/ose atyre që “kishin ndërtuar qeverisjen e majtë me sukseset dhe defektet përkatëse”. Politika e re dështoi në 2009-n, edhe sepse u spastruan pikërisht disa nga ata që sot afrohen dhe shumë të tjerë që nuk janë afruar ende, sepse vazhdojnë të kritikojnë kryetarin. Kursi dyvjeçar radikal dështoi dhe po ashtu u braktis pas humbjes në shkallë kombëtare dhe konkurrimit të gabuar të Ramës e largimit nga kreu i Bashkisë së Tiranës dhe rezultatit negativ në 11 minibashkitë e Tiranës, më 8 maj 2011. Mendimi ndryshe u godit dhe u programua “largimi i tij nga forumet drejtuese”, për t’u realizuar në Kongresin e 5 nëntorit e në vijim të tij. Tani ka nisur të artikulohet Hera e tretë, e cila duket si një “ishallah midis suksesit e dështimit” por që tingëllon më shumë si vazhdimësi e Politikës së Re dhe Kursit dyvjeçar radikal apo si përzierje e tyre.

Në themel të saj, për këdo që ka inteligjencë minimale, vazhdon të qëndrojë politika e “spastrimeve” nga njerëzit me eksperiencë, me vlera, kontribute, por edhe cilitdo që ka kapacitete, sepse të gjithë këto mund të jenë potencialisht të aftë për t’u kthyer në qendra të reflektimit, gjykimit dhe mendimit ndryshe. Rama premtoi para ardhjes në “pushtet në PS” realizimin e tre objektivave prioritarë të a) bashkimit të së majtës, b) të pranimit të institucionalizimit të mendimit ndryshe në formën e fraksioneve dhe c) të votimit një anëtar një votë së bashku me largimin nga drejtimi të kryetarit nëse humbet zgjedhjet. Duke kërkuar liri para marrjes së pushtetit në PS dhe duke bërë ekzaktësisht të kundërtën pas marrjes së tij, në mënyrë makiavelike të parat që “u vranë” sapo u fitua pushteti, në PS ishin këto tri parime. Ka vetëm një shpresë që “Hera e tretë” të jetë ndryshe, pra të mos jetë vazhdimësi e herës së parë dhe herës së dytë, vetëm duke rikthyer lirinë dhe demokracinë e brendshme në PS, sepse askush nga njerëzit me eksperiencë nuk e keqpërdor lirinë, përderisa ka qenë autor i krijimit të saj dhe, nëse ajo do të ishte “vrarë” siç ndodh aktualisht, Rama dhe njerëzit e tij nuk do të kishin pasur asnjëherë mundësi apo shanse të futeshin në PSSH.

III. Kongresi i “Herës së Tretë”….

Në Kongresin e 5 nëntorit 2011 u shpall projekti i Ringjalljes së Shqipërisë, në themel të të cilit është projekt-programi që thuhet se do plotësohet e detajohet duke shkuar “derë më derë” e “dorë më dorë” deri në zgjedhjet në 2013. Njëlloj si “dialogu me Shqipërinë” që shoqëroi politikën e re. Ky projekt ideologjikisht i majtë thuhet se na tregon rrugën se si “fitohen zgjedhjet vetëm me vota dhe pa bërë bojkot, pa bërë protesta, pa kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe pa ndryshuar sistemin zgjedhor”. Sukses relativ, por i vonuar, dhe tanimë i ofruar nga ata që mendojnë ndryshe, sepse u deshën dy vjet të humbura që të dilnim nga bojkoti e veprimet radikale për t’u futur në debatin e ideve dhe tezave të programit. Në ekspozenë e paraqitur kishte edhe një propozim për një sistem të ri të mbrojtjes së votës, por socialistët nuk kanë harruar se a) në 2009-n iu tha se “sistemi i milingonave do të mundë elefantin”, por pas zgjedhjeve komisionerët u akuzuan si të shitur; b) dhe në 2011-n u demonstrua në televizion se si do të funksiononte “ushtria e votës” dhe pas humbjes së Tiranës u akuzuan avokatët.

Në Kongres u paraqitën edhe disa ndryshime rutinë në statut. E të tjera e të tjera. Dhe në fund, një votim formal për një projekt të parafabrikuar për Asamblenë e re, që zgjerohet për të “holluar peshën e çdo individi” dhe “spostuar a larguar disa personazhe me eksperiencë e afruar disa të tjerë në funksion të ndërtimit të një ekipi tërësisht klientelist, siç e paraqet analisti amerikan Bugajski. Fatkeqësisht, shumë pak besojnë se kjo është qasja e duhur që ngjall optimizëm, motivim e garanton sukses për fitore në 2013-n. Aq më tepër që nuk pati asnjë reflektim apo nuk u dha asnjë përgjigje përse prej 6 vitesh nuk ka FRESH e Organizatë të Gruas, prej dy vitesh nuk ka Sekretariat funksional dhe Kryesi që drejton çdo javë apo çdo muaj, por vetëm një kryetar që së fundmi shpenzon kohën kryesore duke shkruar editoriale, libra për të kaluarën apo replikuar me Kryeministrin e vendit nga Twitter-i, sikur t’i kenë thënë “Mos dil për ca kohë në media, se populli është i mërzitur dhe i lodhur nga politika, sidomos nga dy drejtuesit e dy partive kryesore”.

IV. Hapi i radhës, drejt forcimit të klientelës dhe “spastrimit të maskuar” të kundërshtarëve…

Në Kongresin e 5 nëntorit 2011 do të vijojë ndërtimi i “ekipit” me më shumë klientelistë të rinj e gjithnjë e më pak të “vjetër”, thjesht për t’u hedhur hi syve jo vetëm shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve, dhe me sa më pak personazhe me eksperiencë e me vlera, integritet moral e politik dhe me guxim të gjykojnë, mendojnë e reagojnë ndryshe. Natyrisht, nuk do të ketë “përjashtim të kundërshtarëve”, por veprimi makiavelik (lexoni librin Makiaveli në Demokraci të Eduard Baladyr), që do të maskohet me skenarin e largimit të butë apo spostimeve të të gjithë kundërshtarëve të Ramës me votën e një Asambleje, e cila është përgatitur që nga përzgjedhja me kujdes e delegatëve të saj, të ketë përbërjen e përshtatshme për të realizuar pikërisht këtë synim. Të gjithë kundërshtarët, por edhe shumë nga ata që nuk bëjnë pjesë në klientelën e kryetarit, këtë radhë vetëm do të spostohen e mënjanohen duke u “lënë në hije e pa punë”, ndërkohë që ata masivisht do të largohen nga politika, duke u shmangur nga lista për deputetë në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 me votën e “shumicës adekuate të Asamblesë”, por me “garancinë” e kryetarit se do të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme.

V. Jo thjesht një Alternativë fituese për PS, por një Alternativë Shprese e Ndryshimi për vendin…

Politika e re nuk e solli PS në qeverisjen e vendit. Kursi radikal e hoqi Ramën nga drejtimi i Bashkisë. PS rezulton tanimë “një OJF, pa ide, pa ideale e pa emocion”, ndërkohë që Rama dhe klientela e tij ndihen më të “sigurt” nga “forcimi” i pozitave të tyre në PS dhe largimi apo spostimi i njerëzve me eksperiencë, kapacitete, integritet e vlera, pra të gjithë atyre që gjykojnë, reflektojnë e mendojnë ndryshe dhe nuk nënshtrohen. Shtrohen pyetjet: A mund të ketë projekt ringjalljeje mbi themelet e këtyre dështimeve apo si vazhdimësi e tyre? A mund të ndërtohet një projekt ringjalljeje pa bërë një analizë e pa reflektuar për gjithçka ka ndodhur? A mund të ketë alternativë fituese pa bashkim të së majtës? Pa marrëdhënie të sinqertë me aleatët? Pa hequr dorë nga drejtimi autoritar i personalizuar? Vetëm me një ekip të ndërtuar në shumicë me klientelistë dhe duke përjashtuar ata që kanë eksperiencë e mendojnë ndryshe? A mund të ngrihet shpresë për mirëqeverisje, nëse nuk ka konkurrim të ndershëm? A mund të ketë ringjallje, nëse ekipi i ri ndërtohet mbi bazën e parimit “tani e kemi radhën ne të Ramës” për të drejtuar PSSH dhe qeverisur vendin? A mund të ndërtohet një alternativë dhe ekip i besueshëm pa luftuar korrupsionin partiak dhe kapjen e partisë që ushqejnë klientelizimin? A mund të ketë projekt ringjalljeje duke artikuluar vetëm vlerësimin se “vendi është në krizë të thellë dhe fajin e ka Saliu”? Këto janë shqetësimet e socialistëve të ndershëm e të vërtetë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. Ndërkohë që shqiptarët presin një alternativë të re që u zgjidh hallet e shqetësimet dhe jo thjesht zëvendësimin e një klientele me një tjetër, sepse kështu me siguri kriza dhe ngërçi do të vazhdonin.

* Titulli i autorit: Ç’duhet të bëjë PS, që të fitojë e majta e bashkuar