e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Komandanti amerikan, leter familjes Vogli: U qellua nga nje polic i pabese afgan

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Komandanti amerikan, leter familjes Vogli: U qellua nga nje polic i pabese afgan
Komandanti i Skuadronit të Dytë të Ushtrisë së SHBA-ve që operon në kuadër të misionit ISAF në Afganistan, me të cilin Forcat Speciale Shqiptare kryejnë misionin e tyre në Kandahar, i ka dërguar familjes së kapitenit Feti Vogli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura një letër ngushëllimi në të cilën sqaron edhe rrethanat e rënies në krye të detyrës të dëshmorit të atdheut, kapitenit Feti Vogli. Nënkolonel David Jones shprehet në këtë letër se kapiteni Feti Vogli ra pre e një zjarri të befasishëm të një efektivi të policisë afgane në pikën e kontrollit. Në vijim teksti i plotë i letrës:

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e të dashurit tuaj. Fetiu po kryente një mision humanitar jashtëzakonisht të rëndësishëm në ditën që ndodhi incidenti tragjik. Ai po eksploronte mënyrat se si mund të ndërtohej një shkollë dhe një qendër shëndetësore në një zonë të quajtur Robat, ku komuniteti lokal ka nevoja jetike për arsimim më të mirë dhe infrastrukturë shëndetësore më të mirë. Fetiu po kryente një mision rikonicioni në Distriktin Spin Boldak, në Afganistanin Jugor së bashku me kontingjentin e tij të Forcave Speciale Shqiptare “Eagle 4″, si dhe me trupa nga skuadroni i Kavalerisë e anëtarë të policisë afgane.

Gjatë operacionit, një polic i pabesë afgan, në mënyrë krejt të befasishme hapi zjarr dhe plagosi Fetiun dhe dy ushtarë të tjerë të koalicionit. Një komandant afgan i Pikës së Kontrollit u përpoq të reagonte shpejt për të neutralizuar agresorin, por gjithsesi plagët e Fetiut rezultuan shumë të rënda. Ata që ishin të pranishëm në këtë ngjarje e përshkruan të gjithë reagimin dhe sjelljen e Fetiut pas këtij sulmi të befasishëm, si heroik. Pa asnjë dyshim, ai luftoi me një kurajo absolute, me nder e dinjitet duke dhënë dhe jetën e tij. Ai u qëllua ndërsa përpiqej që të bënte jetën e të tjerëve më të mirë. Për këtë arsye, ju siguroj që Fetiu është për ne një hero, që do të nderohet e do të ketë nderimet tona më të larta, ndërsa vazhdojmë misionin tonë në Afganistan.

Ai ishte një luftëtar trim e i respektuar, ndaj dhe do të mbetet gjithnjë në mendjet dhe zemrat tona, ndërsa ne do të mbarojmë punën që ai filloi në Provincën e Kandaharit. Qëllimi im është që Fetiu të jetojë gjithnjë në zemrat tona nëpërmjet fitoreve të vazhdueshme ndaj Talibanëve, dhe nëpërmjet paqes që ne po arrijmë për popullin afgan të drobitur nga lufta. Sakrifica e tij do të jetojë gjithnjë në shpirtin e një partneriteti të qëndrueshëm e të pashkatërrueshëm që ekziston ndërmjet ushtarëve të skuadronit tim dhe operatorëve special të Forcave Speciale Shqiptare.

Edhe një herë, ngushëllimet e mia më të thella për ju dhe familjen tuaj. Do të ndjejë mungesën e kapitenit Feti Vogli dhe ndikimin e tij pozitiv në mjedisin e luftës në Afganistan” – përfundon letra.

42

është numri i rasteve kur ushtarët e NATO-s janë vrarë si Feti Vogli, nga vetë policët afganë me të cilët bashkëveprojnë dhe që duhet të jenë aleatët e tyre. Këto 42 viktima janë regjistruar gjatë pesë viteve të fundit. Incidentet përfaqësojnë një pjesë të vdekjeve në total të koalicionit, por janë jashtëzakonisht dëmtuese pasi nxitin një mosbesim të ndërsjellë në një moment kritik të tranzicionit në Afganistan.

Rastet si i Voglit, shkaku i tërheqjes së Francës

Francapezulloi operacionet e saj në Afganistan këtë vit pas dy incidenteve të ngjashme me rastin “Vogli”, që lanë gjashtë ushtarë francezë të vdekur. “Ushtria franceze nuk është në Afganistan, që të qëllohet nga ushtarët afganë,” tha presidenti francez, Nicolas Sarkozy. Edhe presidenti amerikan, Barack Obama, ka deklaruar tërheqjen e SHBA në vitin 2014.

Nga çfarë vijnë grindje si ato që i morën jetën komandos shqiptare Feti Vogli?

“Të tilla grindje mund të vijnë nga keqkuptimet kulturore, fetare dhe ideologjike ose dhe nga stresi në betejë, – përgjigjet gjeneral Stephen Toënsend.

Ai thotë se trajnimi kulturor ka qenë jetësor për ushtarët amerikane dhe tani afganët po konsiderojnë të bëjnë të njëjtën gjë, duke ofruar mirëkuptim më të mirë ndaj amerikanëve dhe aleatëve të tjerë.

Koalicioni i drejtuar nga NATO po tenton të ndihmojë forcat lokale të marrin përsipër sigurinë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, por numri i trupave të huaja vijon të bjerë dhe vendet përbërëse dëshirojnë gjithmonë e më tepër të tërheqin ushtarët e tyre në atdhe.

Çfarë janë policët afganë që hapin zjarr mbi aleatët e tyre?

Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë ngritur çështje delikate në këtë drejtim. Zyrtarët e mbrojtjes thonë se në 58 përqind të rasteve, sulmuesit kanë vepruar në mendje të tyre, ndoshta për shkak të grindjeve personale.

Një tjetër grup kriminelësh përfshin edhe rebelë që arrijnë të depërtojnë si ushtarë afganë dhe të infiltrohen në baza.

Në raste të tjera talebanët marrin peng familjarë ose të afërm të ushtarëve apo policëve afganë që bashkëpunojnë me NATO-n dhe i detyrojnë ata që në këmbim të jetës së familjarëve të hapin zjarr mbi trupat aleate

58

përqind e rasteve, kur ushtarët e NATO-s janë vrarë nga kolegët e tyre afganë, janë raste personale. Pra sulmuesit kanë vepruar në mendje të tyre, ndoshta për shkak të grindjeve personale,  -sipas raportimeve të zyrtarëve të mbrojtjes në Uashington

Kapiten Vogli, viktima e parë mes 300 trupave të dërguara prej 10 vitesh

Shqipëria iu bashkua misionit paqeruajtës ISAF në Afganistan, qysh 10 vjet më parë, ndërsa tani ka dërguar atje mbi 300 trupa, që janë vendosur në Kabul dhe në Herat, mes të cilëve edhe ekspertë për trajnime ushtarake e policore.

Vrasja e kapiten Voglit është humbja e parë e trupave shqiptare në afro një dekadë angazhime ushtarake në NATO. Gjatë sulmit ku humbi jetën kapiten Vogli u plagos rëndë edhe nëntetar Aleksander Peci. Ai aktualisht është jashtë rrezikut për jetën në një spital ushtarak në Gjermani, duke marrë mjekime të specializuara.

Vrasjet e ushtarëve në Afganistan shoqërohen përherë me shtimin e presionit publik mbi qeveritë e koalicionit, për tërheqjen e trupave dhe kthimin e tyre në atdhe. Megjithatë autoritetet në Tiranë konfirmuan se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj në Afganistan, përkrah aleatëve.

Historia e Afganistanit

Afganistani  është shtet në Azinë qendrore i cili kufizohet me Iranin, Turkmenin, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Kinën dhe Pakistanin. Afganistani është vendi i gjashtë më i varfër i botës.

Ahmad Shah Durrani bashkoi fiset Pashtun dhe themeloi Afganistanin më 1747. Vendi shërbeu si një amortizator mes Perandorive Ruse dhe Britanike derisa fitoi pavarësinë nga kontrolli joreal britanik më 1919. Një përjetim i shkurtër i demokracisë mbaroi me grushtin e shtetit të vitit 1973 dhe me një kundër-grusht komunist më 1978. Bashkimi Sovjetik u përpoq ta pushtonte më 1979 për të mbështetur regjimin në shkatërrim afgan komunist, duke u hedhur në një luftë të gjatë dhe shkatërruese. BRSS u tërhoq më 1989 pas një presioni të papërkulshëm prej rebelëve anti-komunistë muxhahedinë që mbështeteshin ndërkombëtarisht. Një seri luftërash civile që erdhën më pas bënë që Kabuli më në fund të binte në duart e talebanëve (një lëvizje e vijës së ashpër e mbështetur nga Pakistani) më 1996.

Pas sulmeve terroriste të 11 Shtator 2001 në Nju Jork Siti dhe Uashington D.C. një aleancë ushtarake e drejtuar nga SHBA rrëzoi regjimin taleban me shkak strehimin aty të Osama Bin Ladenit. Konferenca e Bonit e OKB-së, në 2001 krijoi dhe vendosi një program për rindërtimin politik që përfshinte adaptimin e një kushtetute të re, zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 dhe zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare të vitit 2005. Në Dhjetor 2004, Hamid Karzai u bë presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Afganistan dhe Asambleja Kombëtare u inaugurua dhjetorin në vijim.

Karzai u rizgjodh për një mandat të dytë në Nëntor 2009. Pavarësisht nga përforcimi i një qeverie të qëndrueshme qendrore, talebanët e rigjallëruar dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në zonat rurale – sidomos në jug dhe lindje – mbeten sfida serioze.

Disa të dhëna tabelore mbi Afganistanin

Gjuha:             Persishtja

Kryeqyteti: Kabuli

Sistemi: Republikë

Kryetar: Hamid Karzai

Sipërfaqja: 647,500  km²

Popullsia: Rreth 30 milionë banorë

Valuta: Afgani

Pavarësia: Nga Br. e Madhe 19 Gusht 1919 – (shpallur)

Në OKB nga 19 Nëntor 1946

Himni kombëtar: Sououd-e-Melli

Kodi i internetit: af

Prefiksi telefonik: + 93