Kater paralajmerimet e Muhamedit A.S

Kater paralajmerimet e Muhamedit A.S

Muhamedi (a. s.) i ofroi njerëzisë kyçin e suksesit në çdo sferë të jetës, çelësin për një jetë të rehatshme dhe sukses në të dy botët;  ai ishte shembull i gjallë i moralit të lartë, ai i caktoi rregullat e një sistemi legjislativ e gjyqësor të pashembullt, caktoi ligjin që ishte i drejtë ndaj të gjithëve, shpalli kushtetutën e parë të njerëzimit.

Paralajmërimi i parë

“Ka dy lloje të banorëve të Zjarrit që ende nuk i kam parë: njerëz me kamxhik si bishti i lopës, me të cilin i rrahin njerëzit  dhe gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese ) dhe me diçka në kokat e tyre që duken si gungat e devesë, të anuara në një anë. Ata nuk do të hyjnë në Xhenet dhe as që do ta nuhatin aromën  e tij, edhe pse aroma e tij mund të nuhatet prej sa e sa larg.”

Ky hadith flet për dy lloj njerëzish të cilët Muhamedi (a. s.) nuk i ka parë, por ai na ka paralajmëruar se ata do të paraqiten pas vdekjes së tij; dhe,  për fat të keq,  fati i këtyre  njerëzve do të jetë zjarri,  për shkak të gjynaheve të tyre. Një grup i madh i dijetarëve paraqitjen e këtyre njerëzve e kanë konsideruar si një nga shenjat e vogla të Ditës së Kiametit.

Ndërkaq,  këta njerëz që i përmend Muhamedi (a. s.) janë dy llojësh:

“Njerëz me kamxhik si bishti i lopës ”

– ajo që mendohet këtu është për ata që i sulmojnë njerëzit pa ndonjë arsye; në këtë grup sipas disave bëjnë pjesë: forcat diktatoriale, tiranët ose të tjerë, që veprojnë me urdhër të pushtetit.

Kjo pjesë e këtij hadith ka të bëjë me disa persona për të cilët Muhamedi (a. s.) ka paralajmëruar se do dalin në sipërfaqe, por për fat të keq këta njerëz sot i kemi në mesin tonë, dhe vetë paraqitja e tyre është shenjë e vogel e ditës së Kiametit.

Al-Neveviu ka thënë: “Sa u përket atyre që kanë kamxhik, janë ata që punojnë për policinë.”

Al-Sakhauvi ka thënë: “Ata janë tani ndihmësit e tiranëve dhe zakonisht i referohet grupit më të keq përreth sundimtarit; gjithashtu mund të aplikohet edhe për sundimtarët e padrejtë.”

Për atë se ky grup i njerzëve sipas shumicës së dijetarëve është prej shenjave të vogla të ditës së Kiametit,  po e paraqesim raportin e Imam Ahmedit,  në të cilin thuhet: “Në fundin e kohës do të paraqiten njerëz nga ky ummet me kamxhik si bishti i lopës. Ata do të dalin në mëngjes nën hidhërimin e Allahut dhe do të kthehen në mbrëmje nën zemërimin e Tij.”

“Gratë që janë të veshura, mirëpo të zhveshura, të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese ) dhe në kokat e tyre që duken si gungat e devesë të anuara në një anë”

-sa i përket kuptimit të këtij fragmenti,  d.m.th.  se do t’i zbulojnë pjesët e trupit të tyre që e tregojnë bukurinë, kështu do të jenë të veshura, por të zhveshura. Do të vishen me rroba të holla dhe do të shfaqin çfarë ka nën to. Sheh ibn Uthejmini ka thënë:  “të veshura, por të zhveshura” ka kuptimin se gratë e tilla  mbajnë rroba të shkurtra,  që nuk e mbulojnë auretin,  që duhet të mbulohet. Është interpretuar se këta njerëz janë që veshin rroba të lehta (të holla),  që nuk i ndalon të tjerët të shohin lëkurën e gruas nën to, ose veshin rroba të ngushta që nuk ua shfaqin lëkurën,  por ua shfaqin hijeshitë e tyre.

“Të cilat ecin me një ecje tërheqëse (joshëse, provokuese)”

-sa i përket kësaj fraze,  nënkuptohet devijimi nga bindja ndaj Allahut dhe nga urdhri për të ruajtur delirësinë e tyre ose i mësojnë të tjerët të bëjnë atë që ata bëjnë. Ndërkaq,  si kuptim final i kësaj është se ato mundohen t’i tërheqin meshkujt me ecjen e tyre.

“Kokat e tyre që duken si gungat e devesë të anuara në një anë”

-kjo mund të nënkuptohet se ato i bëjnë që kokat e tyre të duken më të mëdha me shamitë e tyre, të cilat janë të lidhura përreth kokës, kështu që duken si gungat e devesë. Al – Maziri ka thënë:    “Këtu bëjnë pjesë ato që nuk do ta ulin shikimin në prani të burrave, dhe ato më tepër do të shikojnë tek ata.”

Ky hadith është një nga mrekullitë e Muhamedit (a. s.), sepse këto dy lloje njerëzish tani janë shfaqur dhe ekzistojnë edhe në mesin e shoqërisë myslimane.

Paralajmërimi i dytë

“Kur të lind robëresha zotëriun e vet dhe kur t’i shohësh të rraskapiturit, të zbathurit, të varfrit, brinjët e bagëtive të krenohen ndaj njëri-tjetrit me ndërtimin e ndërtesave të larta.”

Ky është hadithi kur Xhibrili (a. s.) erdhi dhe e pyeti Muhamedin (a. s.) për shenjat e Kiametit, ndërsa Muhamedi (a. s.) në një ndër shenjat e Kiametit përmendi edhe këtë hadith.

Hadithin do ta ndajmë në dy pjesë,  duke dhënë sqarim për secilën prej tyre.

“Kur të lind robëresha zotëriun e vet”

-qëllimi i kësaj pjese është se do të përhapet paduegjueshmëria e fëmijës ndaj prindërve të tyre, fëmijet do të kenë sjellje jonjerëzore ndaj nënave të tyre, do të sillen njëjtë sikur sillen pronarët ndaj robërve të vet, do të ketë prej fëmijëve që do t’i shajnë nënat e tyre, do t’i rrahin, do t’i poshtërsojnë dhe duke kërkuar prej tyre shërbime të shumta dhe të ndryshme, prandaj ky fëmijë quhet “zotëriu i nënës  së vet”.

Ose, me fjalën “zotëri” mund të nënkuptohet kujdestari, madje, ky përkufizim është sikur më i qëlluari dhe më i drejti, ngase në hadith flitet për atë se kjo gjendje do të jetë e çuditshme, se shenjat e afërsisë së ditës së Kiametit do të jetë ajo se shumë gjëra do të jenë të kthyera krejtësishtë mbrapshtë, kështu fëmija që duhet të edukohet nga prindërit do të jetë “edukator”.

Muhamedi (a. s.) diku para XIV shekuj na paralajmëroi se do të vijë kjo kohë kur njerëzit do të sillen ndaj nënave të tyre sikur të jenë pronarë,  zotërinj të nënave të tyre. Ky fenomen negativ, për fat të keq, është në mesin tonë, sot! Shumë të rinj sillen me prindërit e tyre  në mënyrë          jonjerëzore, e sidomos kur është në pyetje nëna, ata (fëmijët) në sjelljet e tyre janë të pakujdesshëm. Fëmijët e sodit, për t’u dukur “sa më të civilizuar”,  i dërgojnë prindërit e tyre në shtëpi për pleq. Ja,  pra,  kujt i dedikohet kjo: “Kur të lind robëresha zotëriun e vet.”

“Kur t’i shohësh të rraskapiturit, të zbathurit, të varfrit, brinjët e bagëtive të krenohen ndaj njëri- tjetrit me ndërtimin e ndërtesave të larta.”

-sqarimin e këtij fragmenti më së miri na e ka shpjeguar vetë Muhamedi (a. s.), ku e pyeti Xhibrili (a. s.) se cilin synon me këto fjalë, i Dërguari i Allahut (xh. sh.) tha:“ ata janë arabët”, janë beduinët të cilët jetojnë në shkretëtirë. Muhamedi (a. s.) paralajmëroi se do të vijë një kohë kur arabët do të bëhen mbretër me ndërtesa që do t’i ndërtojnë dhe se ata do të krenohen dhe do të lavdërohen me to.

Sot për çdo ditë shohim nëpër media se si nëpër vendet arabe ndërtohen ndërtesa madhështore që kushtojnë me miliona, duke i harruar disa vende të tjera ku njerëzit vdesin për një kafshatë të bukës, e dikush lavdërohet dhe krenohet se ne ndërtojmë ndërtesa më luksoze në botë.

Imam Kurtubiu thotë: “Më këtë dëshirohet të tërhiqet vërejtje në ndërtimet tejet të mëdha që do të ndodhin, kështu që beduinët përdhunshëm do të ngadhënjejnë në disa shtete dhe do të sundojnë padrejtësinë, pastaj do të tubojnë pasuri që do ta shpenzojnë në ndërtimin e ndërtesave të larta,  duke u krenuar me to, e ne jemi dëshmitarë të kësaj këto ditë.”

 

Paralajmërimi i tretë

“Nuk do të shkatërrohet bota, derisa vendet arabe të mos mbushen me kopshte e lumenj.”

 

-kjo thënie e Muhamedit (a. s.) diku para XIV shekujsh është duke e habitur botën e sotme moderne: shumë studiues jomyslimanë kanë mbetur pa koment kur e kanë dëgjuar se Muhamedi (a. s.) dinte edhe për gjeologjinë, ndërsa sot shkenca moderne  i verifikon të gjitha thëniet e Muhamedit (a. s.).

 

Shumë të vërteta të përmendura në Kuran nuk qe e mundur që të vërtetoheshin në atë kohë, mirëpo sot përmes shkencës bashkëkohore u bë e mundur të vërtetohet ajo që u tha në Kuran dhe në Sunnet para 1400 vitesh.

 

Për të sqaruar më mirë këtë thënie të Muhamedit (a. s.) do të paraqes studimin  e gjeologut gjerman Alfred Kroner, i cili në një debat është pyetur kështu: “A nuk ishin vendet arabe të gjelbëruara dhe të pasura me kopshte dhe lumenj?”  Po,  u përgjigj,  kjo është një e vërtetë shkencore.  Vazhduan me pyetjen tjetër: “E kur ndodhi kjo?”

 

“Në kohën e akullnajave, akujt e grumbulluar në Polin e Ngrirë të Veriut filluan të rrëshqisnin drejt Jugut dhe, kur ato i ishin afruar relativisht Gadishullit Arabik, ndryshoi temperatura, gjë që bëri që ky gadishull të ishte një ndër vendet më të pasura me kopshte, lumenj dhe reshje.”

 

E pyetën profesorin, se a do të ndodhë përsëri që Gadishulli Arabik të shndërrohet në kopshte dhe lumenj siç ishte më parë?  Po,  u përgjigj, dhe e argumenton tezën e vet kështu:

 

“Koha e re e akullnajave ka filluar. Akulli për herë të dytë ka filluar të rrëshqasë nga Poli i Veriut në drejtim të Jugut. Tani ai ka marrë rrugën e tij në drejtim të Gadishullit Arabik. Dëshmi për këtë është ajo që dëgjojmë mbi furtunat e forta, të cilat përfshijnë vendet veriore në Evropë dhe Amerikë. Kjo është dëshmi mbi atë që thamë. Shkencëtarët kanë edhe fakte të tjera rreth kësaj çështjeje dhe kjo është e vërtetë shkencore.”

 

Pra, në bazë të këtij hadithi,  si dhe të zbulimeve shkencore,  nënkuptojmë se Gadishulli Arabik dikur ka qenë vend i mbushur me kopshte e lumenj, por gjatë kalimit të kohës dhe ndryshimeve klimatike ka ardhur në këtë gjendje që është edhe sot. Mirëpo, Muhamedi (a. s.) na paralajmëron se Gadishulli Arabik do të kthehet në të njëjtën gjendje si ka qenë dikur,  i mbushur me kopshte e lumenj.

 

Një përputhshmëri shumë e qartë e fjalëve të Muhamedit (a. s.) dhe shkencës bashkëkohore, edhe një argument shumë i qartë se Muhamedi (a. s.) nuk fliste nga hamendja,  por ai ishte nën dirigjimin e Allahut dhe se thëniet e tij janë inspirim apo shpallje nga Allahu (xh. sh.).  Po e përfundoj ketë pjesë me fjalët e Allahut (xh. sh.), që thotë:

 

“Kurani është këshillë për të gjitha botët. Ju gjithsesi do ta kuptoni këtë, madje qoftë edhe më vonë”. (Sure Sad, ajeti 87)

 

Paralajmërimi i katërt

“Kur do të humb amaneti, priteni ditën e Kiametit. Kur do të ndodhë,  o i Dërguar – e pyetën sahabët. Kur punët (funksionet ) e përgjegjshme do t’u jepen njerëzve të papërgjegjshëm.”

 

Muhamedi (a. s.) si shenjë të Kiametit na paralajmëroi se do të vijë koha kur amaneti (besimi) do të humbë nga mesi i njerëzve, e sidomos nga mesi i myslimanëve. Hadithi shumë qartë na shpjegon humbjen e amanetit nga zemrat e besimtarëve dhe kjo do t’u ndodhë atyre njerëzve që nuk e kanë frikë Zotin dhe që kenë iman të dobët.

 

Pjesa e dytë e  këtij hadithi ngërthen në vete një domethënie të madhe dhe ka të bëjë me ata persona të cilëve u besohet një post shumë me vlerë për shoqërinë në përgjithësi, ndërsa këta njerëz nuk janë aspak të përgjegjshëm për postet që i marrin apo nuk janë të specializuar për atë funksion që e marrin.

 

Sot shumë funksionarë janë caktuar nëpër poste të ndryshme pa qenë të profileve përkatëse, ndaj dhe shohim se në atë shoqëri gjithmonë ka ngecje  dhe aspak përparim.

 

Në këtë grup bëjnë pjesë edhe udhëheqësit të cilët nuk sundojnë me librin e Allahut (xh. sh.) që t’u sjellin njerëzve drejtësi.  E,  Allahu (xh. sh.) thotë: “…Allahu nuk e prish gjendjen e një populli përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre….” (Er-Rra’d,  11)

 

Po i përfundoj këto paralajmërime të Muhamedit (a. s.) me një thënie:

 

“Sikur të kishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim dhe të Muhamedit (a. s.),  deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundonin fjalët e Zotit tim dhe të Muhamedit (a. s.).”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama