e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

KSHH: Te mos pengohen monitoruesit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
KSHH: Te mos pengohen monitoruesit
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në një deklaratë për shtyp të hënën, bëri thirrje publike që të mos pengohen monitoruesit e shoqërisë civile. Në deklaratë theksohet se, gjatë ditës së sotme në KZAZ nr. 8 të qytetit të Durrësit, vëzhguesja e KSHH nuk u lejua të hyjë në ambientet e numërimit të votave dhe një tjetër vëzhguese e kësaj organizate, nuk u lejua të hynte në vendin e numërimit të votave në KZAZ nr. 48, në Tiranë. Sipas KSHH, të dyja vëzhgueset janë të akredituara pranë KQZ dhe disponojnë, për këtë qëllim, dokumentin përkatës.

“Veprime të tilla vijnë ndesh me Kodin Zgjedhor, nenet 6, 7 dhe 121 të tij, në të cilët sanksionohet e drejta e organizatave jofitimprurëse për të monitoruar dhe vëzhguar çdo fazë të procesit zgjedhor, duke përcaktuar se për këtë qëllim ato duhet të kujdesen për akreditimin e vëzhguesve të tyre pranë KQZ”, thuhet në deklaratë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që merren me ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit, të lejojnë vëzhguesit të kryejnë punën e tyre. Sipas KSHH-së, theksohet se edhe procesi i numërimit të votave dhe vëzhgimi i këtij procesi shënon standard.