e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

KLD, PD propozon Elvis Cefen ne vend te Spahiut

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
KLD, PD propozon Elvis Cefen ne vend te Spahiut
Rreth 30 deputetë të Partisë Demokratike kanë propozuar Elivis Cefën si zëvendësues të Spahiut në krye të KLD. Partia Demokratike do t’i propozojë Kuvendit emrin e kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kjo u bë e ditur edhe një ditë më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Panorama njofton sot se në pjesën me dyer të mbyllura të mbledhjes, Kryeministri e ka vlerësuar drejtorin aktual të Agjencisë së Pronave si një jurist të spikatur. Cefa do të emërohet në KLD për një mandat pesëvjeçar në vend të ish-nënkryetarit të shkarkuar, Kreshnik Spahiu.

“Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i zgjedhur për plotësimin e vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, qëndron në funksion për një mandat të plotë 5-vjeçar”, thuhet në pikën 3 të nenit 8 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas plotësimit të vendit të mbetur bosh do të jetë të zgjidhet edhe nënkryetari i KLD-së. Ndonëse zgjedhja e tij bëhet me votim të fshehtë të të 14-të anëtarëve të tjerë të Këshillit, do të jetë kreu i shtetit ai që do të bëjë propozimin. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvendëskryetar. Zëvendëskryetari organizon veprimtarinë e përditshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në pikën 1 dhe 2 të ligjit për KLD-në.

Me miratimin e emrit të Elvis Cefës si anëtar të KLD-së, do të mbetet vakant posti i drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Sipas ligjit të AKKP-së, drejtori i këtij institucioni propozohet nga ministri i Drejtësisë dhe emërohet nga Kryeministri. “Organika dhe struktura e AKKP-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, në përputhje me nenin 10 të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave’. AKKP-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm dhe 2 (dy) zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm”, thuhet në vendimin e vitit 2010 të qeverisë.