e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ja kush jane 11 politikanet qe do te hetohen nga Prokuroria

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ja kush jane 11 politikanet qe do te hetohen nga Prokuroria
Akuzat publike për shpërdorim detyre do të çojnë në “duart” e Prokurorisë 10 deputetë të majtë e të djathtë dhe kreun e PS-së, Edi Rama, të cilët do të japin llogari për çdo veprimtari të paligjshme. Akuza më e shpeshtë që rëndon mbi shpatullat e politikanëve është korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës. Ndërkohë që disa të tjerë do të hetohen për veprimet e familjarëve të tyre. Sinjali i parë, për t’i dhënë fund deklaratave publike dhe për të vënën nën hetim “fajtorët” është dhënë dy ditë më parë nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, dhe është vulosur dje nga Kryeprokurorja Ina Rama. Por që të ketë një hetim real dhe rezultativ, më parë ligjvënësve duhet t’u hiqet imuniteti. 

Të akuzuarit

Fillimisht nisi si luftë politike, por tashmë po merr trajtën e akuzave serioze që do jenë nën hetimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Pas akuzave të demokratëve për kreun e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe të selisë rozë, Edi Rama, se përfiton 20 për qind për dhënien e çdo leje ndërtimi, ky i fundit ka mobilizuar “ushtarët” e tij që të nxjerrin të gjithë “të palarat” për ligjvënësit demokratë. Në këtë pikë, deputetët e PS-së çdo ditë kanë nxjerrë fakte që implikojnë figura të ndryshme në Partinë Demokratike. Kështu,  PS filloi një sulm të njëpasnjëshëm për ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Priftin, të cilin e akuzuan për korrupsion galopant.

Më tej, socialistët u morën me partnerët e deputeteve Albana Vokshi e Rajmonda Bulku, ku sipas tyre, kishin përfituar HEC-e nga qeveria. Mandej, PS ka akuzuar për korrupsion me kasat fiskale ministrin e Financave, Ridvan Bode, për korrupsion me privativin e ish-ekspozitës, “Shqipëria Sot”, ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Rulin, si dhe për lidhjet e motrës e kunatit të saj me mafian italiane, ministren e Integrimit, Majlinda Bregun. Po ashtu socialistët kanë akuzuar deputetin demokrat Eduard Halimi se ka aksione në një kazino shumë pranë qeverisë. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Ilir Meta është akuzuar nga aleati i tij, Dritan Prifti, për pasuri të padeklaruara.

Për deputetët socialistë, demokratët nuk kanë gjetur shumë fakte, por në çdo deklaratë sulmojnë kreun e PS-së, Edi Ramën. Ditët e fundit janë hedhur akuza edhe për lidhjet vëllait të deputetit Fatmir Xhafaj me organizatat kriminale si dhe kanë akuzuar për korrupsion deputetin Ilir Beqja. Ndërkohë, taktika e Ramës ka qenë që përballë çdo akuze të PD-së, të reagojnë deputetët të rinj socialistë, të cilët kanë figurë të ”pastër” dhe që nuk mund të akuzohen nga demokratët.

Hetimi

Dy ditë më parë, shefi i qeverisë, Sali Berisha, deklaroi se të gjithë deputetët e akuzuar publikisht për mega-afera, do të vihen nën hetimin e Prokurorisë dhe të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Berisha tha se nëse është e nevojshme, qeveria është e gatshme që të bëjë të gjitha ndryshimet e duhura në legjislacion, për t’iu ardhur në ndihmë institucioneve që do të hetojnë këto akuza.     

Ina Rama: Do hetojmë çdo akuzë publike

Pas një heshtje të gjatë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar dje për herë të parë se të gjithë ligjvënësit e akuzuar publikisht, do të vihen nën hetimin e organit të akuzës. “Prokuroria ju siguroj që është duke bërë punën që duhet të bëjë në këto moment. Po vlerëson çdo informacion të vlefshëm dhe po zbatojmë procedurat ligjore për hetim aty ku çmohet. Në gjitha rastet ku ka vend për të nisur hetim, ju garantoj se do të nisim hetimin. Prokuroria po bën detyrën kushtetuese”, u shpreh dje Kryeprokurorja, Ina Rama. Reagimi i Ramës vjen dy muaj pasi politika shqiptare është kthyer në “fushë-betejë” sulmesh, ku secila parti denoncon aferat korruptive të deputetëve të partisë rivale.

Edi Rama

Prokuroria duhet të hetojë edhe kreun e PS-së, njëkohësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili akuzohet se përfiton 20 për qind për dhënien e çdo leje ndërtimi, që i bie rreth 100 milionë lekë për çdo leje të dhënë. Akuzat janë bërë nga shumica e demokratëve.

Ilir Beqja

Megjithëse gjatë gjithë kohës Beqja ka tentuar të sqarojë se nuk ka përfituar fonde publike gjatë kohës që ka ushtruar mandatin e deputetit, tashmë këtë duhet ta bëjë përpara Prokurorisë, e cila do të hetojë gjithçka lidhur me akuzat e PD-së se Beqja ka marrë fondet e Bashkisë së Durrësit.

Fatmir Xhafaj

Edhe pse vetë është munduar të qëndrojë korrekt në detyrën e tij si deputet, Fatmir Xhafaj nuk i ka shpëtuar hetimit të tij. Xhafajt i duhet të japë llogari për lidhjet e të vëllait me organizata kriminale dhe trafik droge, meqenëse këto janë akuza të ardhura nga radhët e Partisë Demokratike.

Majlinda Bregu

Ministres së Integrimit i duhet të japë llogari një më një për lidhjet e motrës dhe kunatit të saj me djalin e mafiozit italian Albino Prudentino. Bregu ka deklaruar se nuk ka ligj që e detyron të përgjigjet për këtë, por duket se Prokuroria do t’i hyjë me rrënjë hetimit.

Ridvan Bode

Vetëm një deklaratë e Bodes për kasat fiskale, i ka shkaktuar ministrit telashe, pasi tashmë do të jetë në survejimin e organit të akuzës. Bode do të tregojë si qëndron e vërteta e kompanive që janë përzgjedhur për të shitur kasat për tregtarët dhe pse çmimet janë kaq të larta.

Eduard Halimi

Deputeti demokrat do të hetohet për vërtetësinë e akuzave nëse ai ka lidhje me një kompani bixhozi pranë qeverisë. Akuzat kanë ardhur nga selia rozë, por ligjvënësi Eduard Halimi i ka cilësuar shpifje. Tashmë Prokuroria do të zbardhë të vërtetën përpara opinionit publik.

Ilir Meta

Prishja e marrëdhënieve me aleatin e tij dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Priftin, i kushtoi jo pak deputetit Ilir Meta. Prifti numëroi pasuri të fshehura të ministrit të Ekonomisë dhe tashmë Meta do të hetohet nëse pasuritë që deklaroi Prifti dhe që nuk janë bërë publike, janë apo ajo reale.

Dritan Prifti

Ish-ministrit të Ekonomisë do ti dalë në “shesh” e vërteta përfundimtare se si ka arritur që brenda një viti ta shtojë pasurinë e tij me 1.8 milion euro. Kështu, me këtë rast do të marrin përgjigje të gjitha pyetjet që janë ngritur nga deputetët opozitarë.

Genc Ruli

Genc Ruli do të hetohet nga Prokuroria për veprimet e tij në kohën kur ka qenë ministër i Ekonomisë. Organi akuzës do zbardhë të vërtetën për privatizimin e ish-ekspozitës “Shqipëria Sot” duke bërë një përballje me shpjegimet që ka dhënë vetë deputeti Genc Ruli.

Albana Vokshi

Deputetja Albana Vokshi do të hetohet familjarisht, pasi Prokuroria do të hetojë pasurinë e bashkëjetuesit të saj dhe lidhjet e Vokshit në këtë mes. Organi akuzës do të verifikojë ndërhyrjen e Vokshit në koncesionet e përfituara nga bashkëjetuesi i saj.

Rajmonda Bulku

Për çështje koncesionesh, në hetim do të përfshihet edhe aktorja e mirënjohur, njëkohësisht deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku. Opozita e ka akuzuar se bashkëshorti i saj ka përfituar dy HEC-e në kohën kur ministër Ekonomie ka qenë Genc Ruli. Prokuroria do hetojë të vërtetën për këto akuza.