e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Incidenti:Erion Braçe: Ja e verteta e sherrit me 27-vjeçarin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Incidenti:Erion Braçe: Ja e verteta e sherrit me 27-vjeçarin
Deputeti socialist Erion Braçe është përfshirë në një incident dje paradite në afërsi të sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Pas një grindjeje të çastit me një 27-vjeçar, është goditur me pëllëmbë nga ky i fundit. Policia njofton se autori, Rigels Shehaj është shoqëruar në komisariat, ndërsa vetë deputeti Erion Braçë ka deklaruar se nuk do ta padisë të riun, pasi ai i kishte kërkuar falje.

Incidenti

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, është goditur dje nga një 27-vjeçar, në një debat e sipër mes tyre. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia sqaron se autori Rigels Shehaj,është shoqëruar menjëherë në komisariat. Policia sqaron se si deputeti, ashtu dhe i riu, kanë preferuar të mbyllin incidentin pa asnjë kallëzim penal. “Pas debatit, deputeti Braçe, u paraqit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, i cili refuzoi për të ndjekur ligjërisht këtë incident të rastësishëm. Po ashtu edhe 27-vjeçari, Rigels Shehaj, nuk depozitoi asnjë kallëzim penal për këtë grindje të çastit”,  sqaron policia në komunikatë, për shtyp.  Shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr.l Tiranë, pasi kanë marrë në pyetje 27-vjeçarin dhe kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale, e kanë lënë të lirë. Policia e kryeqytetit konfirmoi zyrtarisht se sherri kishte ndodhur për motive banale kur dy automjetet, ai i deputetit dhe ai i personit tjetër të përfshirë në sherr, kishin ndaluar në trafik.

Reagimi i Braçes

Pas incidentit, deputeti socialist ka shkuar në komisariat për të dhënë versionin e tij për ngjarjen. ”Nuk ka ndodhur më herët absolutisht asgjë që të më ketë cenuar mua apo makinën time, apo makinën e ndonjë qytetari tjetër; asnjë lloj konflikti për parkim, asnjë lloj konflikti për makinat, asnjë lloj konflikti për ndonjë arsye tjetër. Çdo gjë është zgjidhur ligjërisht. Djali që është ndaluar nga policia kuptoi gabimin, kërkoi falje dhe besoj duhet të jetë duke ikur në shtëpi”, tha Braçe. Gjatë marrjes në pyetje, Rigels Shehaj, u ka thënë punonjësve të policisë se nuk e dinte që personi të cilin e kishte qëlluar ishte deputet.

Rrëfehet Erion Braçe: Ja e vërteta e sherrit me 27-vjeçarin

“Për shkak të një deklarate jo profesionale të policisë së Tiranës, e cila u tërhoq e u hoq pak me parë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Brendshme, dua të sqaroj: Sot paradite, rreth orës 10 e 40 minuta, pak para se të mbërrija në selinë e PS dhe zyrat e Bashkisë së Tiranës, në rreth-rrotullimin e qendrës, tek Ministria e Transportit, në krah të saj, një makinë me targa greke hyri me shpejtësi në kthesë, përballë meje. I hapa rrugë dhe e ftova me dorë të kalonte dhe doli në krahun tjetër. Djali që e ngiste, nga dritarja e hapur, ktheu nga unë dhe lëshoi një lumë të sharash! Isha me xhama të mbyllur, ndërkohë që vazhdoja një bisede telefonike që kish lidhje me punën! Vijoi përpara dhe doli sërish paralel në semafor duke vijuar të shajë me çfarë  i vinte për gojë.

Ulërinte nga makina e tij dhe kërkonte të ndaloja. E pashë që parkoi para xhamisë në qendër! Kam vijuar e parkuar para Sahatit për të hyrë në Bashki! Përballë kam patur menjëherë djalin në fjalë, agresiv kundër meje, shau përsëri në sy të shumë besimtarëve aty rrotull. E kam pyetur se ç’kish që shante, u përgjigj: dua të shaj! E pyeta se a me njihte: as me "rruhet" hiç kush je, qe përgjigja! I kam kërkuar të largohet, ndryshe do lajmëroja policinë, në sy të një polici bashkiak dhe disa qytetarëve të tjerë të cilët po e mbanin për duarsh! Kam kthyer kurrizin për tu larguar kur djali ka tentuar të më godasë, grushti i të cilit kapi pjesën anësore të syzeve që mbaja në sy! Nuk kam reaguar fare ndërsa shihja që djalin e kishin kapur disa qytetarë dhe po i njëjti polic i bashkisë që ruan parkimin! Ka tentuar të godasë policin e Bashkisë, gjë që nuk e arriti për shkak se e mbanin disa qytetarë!

 Vetë, i kam telefonuar policisë e cila mbërriti në vend pas disa minutash. Mori agresorin dhe e shoqëroi në Komisariatin nr.1! Ju kam thënë policëve se do të shkoja pas tyre në Komisariat! Kam shkuar vetë në Komisariat, përkundër ngulmimit të autoriteteve për të bërë kallëzim që nga ambientet e Bashkisë ku ndodhesha! Kam kërkuar e jam ballafaquar me agresorin në zyrat e policisë, ka pranuar fajin, ka kërkuar falje disa herë aty! Aty mësova se ishte nga Tirana, quhej Rigels Shehaj, djalë i një ushtaraku të para '90-tës, emigrant i kthyer para 2-3 muajsh! Aty mësova se gjatë kontrollit të makinës së tij, policia kish gjetur një shkop bejsbolli që e mbante me vete. Pas kërkesës për falje, kam vendosur të mos e kallëzoj penalisht! Pasi kam firmosur këtë deklarate jam larguar nga Komisariati!

Këtë sqarim u shtrëngova ta shkruaj për shkak të lajmeve joprofesionale e tërësisht të pa qëna të televizionit “Ora News”, raportimeve të para skandaloze e të pavërteta të televizionit “News 24”, raportimeve po të tilla të televizionit “Top News”, sipas të cilave "unë jam konfliktuar me një shtetas tek Ministria e Mbrojtjes për parkim!" (ku ka parkim aty????0, "se kemi përplasur makinat me njëri- tjetrin dhe ky ka qenë sebepi i sherrit". (Makinat nuk kanë asnjë të gërvishtur), "unë kam provokuar një qytetar i cili s’më kish duruar dhe goditur me shpullë" (unë isha në makinën time me xhama të mbyllur dhe duke folur në telefon, tamam me celularin në vesh, në anën që shihej nga agresori). Por edhe i detyruar nga deklarata jo profesionale e policisë sipas së cilës unë jam goditur me shpulle dhe qytetari agresor me paska falur pa bërë kallëzim!

Dua të them që deklarata nuk pasqyron asgjë nga sjellja profesionale e policëve të sallës operative kur i kërkova ndihmë, asgjë nga sjellja profesionale e policëve të patrullës që mbërriti në kohë, asgjë nga sjellja profesionale e drejtuesve të policisë të mbërritur në Komisariatin nr.1, apo asgjë edhe nga sjellja etike e ministrit të Brendshëm i cili më telefonoi disa herë. Nuk di kush e ka formuluar atë komunikatë, por keqdashës ndaj sjelljes sime shumë korrekte duhet të jetë patjetër! Se fundi, duke lexuar disa forume të mediave të ndryshme dua të shtoj: Jam shumë shumë mirë, siç mund të kenë parë në konferencën për shtyp dhënë menjëherë pas daljes nga Komisariati lidhur me aferën më të madhe korruptive të ndodhur në 6 vitet e fundit!

Kush u kënaq me agresionin ndaj meje, i bëftë mirë! Kush u ndje keq, duhet të dijë se edhe sikur 100 herë të ndodh, unë nuk do të tërhiqem nga detyra që kam: të them të vërtetën deri në fund! Kush u ndje i pasigurt, duhet të dijë që edhe vetëmbrojtja është legjitime!!!”