e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Haxhinasto: Shqiperia partnere me Kosoven

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Haxhinasto: Shqiperia partnere me Kosoven
Ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto thotë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë marrëdhënie partneriteti.

“Kjo është për një numër arsyesh: së pari për shkak se Kosova është një shtet, i cili, gjatë kohës së shkurtër që nga pavarësia e tij, ka treguar pjekuri të madhe në ndërtimin e institucioneve demokratike, në sjelljen ndërkombëtare të tij dhe gjithashtu si një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë”, tha ai.

Ministri tha gjithashtu se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka tashmë qëllime të qartë: së pari, të bashkëpunohet në rritjen e numrit të njohjeve; së dyti, të lehtësohet angazhimi sa më parë që të jetë i mundur i Kosovës në nismat rajonale dhe bashkëpunimin euro-atlantik; dhe së treti, të realizohet integrimi i plotë ekonomik me Shqipërinë dhe vendet e tjerë në rajon.

Duke folur për bashkëpunimin me Serbinë, zoti Haxhinasto tha se Serbia është një partner në rritje në planin ekonomik. “Ka një mundësi të pashfrytëzuar në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve tona”, tha ai.  Duke komentuar bojkotimin e nismave rajonale dhe ndërkombëtare nga Serbia, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, ministri i jashtëm i Shqipërisë tha se “ky është një qëndrim dhe një zgjedhje që nuk e ndihmon fare Serbinë”.

“Do t'a përcaktoja atë si një zgjidhje që nuk është në përputhje me frymën europiane që karakterizon rajonin. Në thelb, kjo frymë është gjithë-përfshirëse dhe zbatimi i konceptit të bashkëpunimit është një çështje e popujve, shoqërive dhe jo një çështje e statusit të territoreve”, tha ai.

Lidhur me situatën politike në Shqipëri, ministri tha se zgjidhja nuk është çështje e marrëveshjes politike midis opozitës dhe shumicës. “Zgjidhja e kësaj gjendje vjen nga kuptimi i përgjegjësive të çdo pale për të vendosur interesat e vendit, interesat e shtetasve, mbi gjithshka dhe për të kuptuar se shtetasit shqiptarë janë më të interesuar në lëvizjen një hap përpara drejt integrimit në Europë sesa në rendin politik individual të ditës të udhëheqësve politikë”, tha ai në një intervistë për agjensinë amerikane SETimes.

“Në zbatimin e këtij detyrimi politik kryesor, shpresoj se opozita do të jetë e angazhuar në një proces institucional për përmbushjen e detyrimeve që vendi duhet të plotësojë me qëllim që të përftojë statusin e kandidatit. Shumica ka treguar tashmë gatishmërinë e vazhdueshme të saj për t'u angazhuar në një proces dialogu, fatmirësisht, opozita e ka bërë këtë po ashtu në hartimin e planit të veprimit për zbatimin e 12 përparësive. Shpresoj se fryma që ekzistoi në seancat parlamentare të përbashkëta në hartimin e planit të veprimit do të vazhdojë gjithashtu në aspektet e zbatimit të tij”, tha ai.