e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Greqia ne prag te kaosit, zgjedhjet nuk prodhojne qeveri

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Greqia ne prag te kaosit, zgjedhjet nuk prodhojne qeveri
Dy partitë kryesore kthehen në parti të vogla, të dyja bashkë kanë vetëm 30 për qind të votave

Mbështetësit e një koalicioni të partive të ekstremit të majtë festuan nëpër të gjithë Greqinë gjatë natës së kaluar pasi zgjedhjet e djeshme e nxorrën atë partinë e dytë më të madhe në vend, ndërkohë që analistët besojnë se Greqia po hyn në një periudhë të gjatë trazirash pasi krijimi i një aleance qeverisëse ngjan shumë i vështirë.

Dy partitë më të mëdha në Greqi, që gjatë muajve të fundit patën bashkuar forcat për të krijuar një qeveri teknike, këtë herë morën të dyja sëbashku vetëm një të tretën e votave.

Partia e qendrës së djathtë Nea Demokratia fitoi vetëm 18.9 për qind të votave nga 33.5 për qind që pati fituar më 2009. Partia e qendrës së djathtë Pasok fitoi vetëm 13.2 për qind nga 43.9 për qind që pati fituar më 2009. Por Pasok është tashmë partia e tretë në Greqi pasi aleanca e ekstremit të majtë Syriza fitoi 16.7 për qind të votave.

Greqia është zhytur në një periudhë destabiliteti intensiv, raporton BBC. Konservatorët dhe socialistët, të cilët mbështetën sëbashku reformat e dhimbshme të imponuara nga donatorët e Greqisë, u mposhtën nga partitë që kundërshtojnë këto reforma. Udhëheqësi i Syriza Alexis Tsipras thotë se dëshiron të krijojë një qeveri alternative që të hedhë poshtë detyrimet që Greqia ka për ndihmën financiare e përfituar. Ndërkohë, lëvizja neonaziste Agimi i Artë do të hyjë në parlament. Ata fituan 7 për qind të votave. Tani diskutimi është nëse dy partitë kryesore do ta çojnë sërish vendin në zgjedhje me shpresë se herën tjetër fragmentarizimi i votave do të jetë jo kaq i madh sa të krijojë mosqeverisje.

Udhëheqësi i Nea Demokratia Antonis Samaras tha se do të synojë krijimin e një qeverie për shpëtim kombëtar për të mbajtur vendin në Eurozonë. Por shtoi gjithashtu se dëshiron të “amendojë” marrëveshjen me FMN-në për të nxitur rritjen ekonomike. Alexis Tsipras nga Syriza thotë se dëshiron të krijojë një koalicion të majtë për të hedhur poshtë marrëveshjen me FMN-në. “Partitë që e nënshkruan memorandumin (me BE-në dhe FMN-në) tani janë në minorancë. Populli i deligjitimizoi,” – tha ai. Udhëheqësi i Pasok Evangelos Venizelos, i cili është edhe ministri i financave aktualisht bëri thirrje për një koalicion të gjerë të partive proeuropiane.