e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjyshja e Mitros: Qaja dhendrin, vone mesova vrasjen e Arbrit

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjyshja e Mitros: Qaja dhendrin, vone mesova vrasjen e Arbrit

“Vetëm pak minuta përpara se të ndodhte vrasja e Arbrit, aty ishte e ëma e tij, Merita, ime bijë. U largua që aty vetëm pesë minuta para ngjarjes, ndërsa i biri ishte fare mirë dhe po punonte në lokalin e vet. I ati i Arbrit, vetëm pesë minuta para ngjarjes, rastësisht kishte lënë punën që bën pranë KQZ-së, ku kontrollon dhe mbikëqyr rojet e sigurisë së KQZ-së, dhe ishte drejtuar për atje”,- tregon gruaja e moshuar Dife Dubi, gjyshja e 23-vjeçarit të vrarë dy ditë më parë në rrugën “Egnatia”, në një pallat 9-katësh, pranë një lokali lojërash për fëmijë playstation si dhe bilardoje.

“Unë deri vonë në darkë qaja dhëndrin tim, burrin e sime bije, sepse ende nuk e dija se kush ishte vrarë. Në darkë mora vesh që ishte vrarë dhe kishte vdekur Arbri i nënës dhe jo dhëndri. Iku ai mbylli sytë, por ime bijë… Asaj iu mbyll dera” – shpërthen në dënesë gruaja e moshuar që nuk arrin të mbajë më lotët ndërsa rrëfen për momentet e rënda të ditës së djeshme kur kishte marrë vesh se nipi i saj, djali i së bijës kishte ndërruar jetë pasi ishte goditur me thikë në trup nga një person.

Si person të dyshuar të vrasjes së Mitros, policia arrestoi Elton Bajraktarin, 32 vjeç, nga Shkodra, me banim në Tiranë, pikërisht në pallatin ku edhe ndodhi vrasja e dy ditëve më parë. “E vrau krimineli moj nënë…. E vrau krimineli djalin. Nuk i kishte bërë keq askujt. Mbaroi shkollën për kompjutera dhe hapi këtë dyqan, që e kishin blerë që kur ishte ndërtuar pallati”,- thotë mes të qarave dhe lotëve gruaja 75-vjeçare që shoqërohet nga e motra në shtëpinë e së bijës, ndërsa familja miqtë dhe të afërmit kanë shkuar t’i japin lamtumirën e fundit Arbrit në varrezat e Tufinës. Edhe kur zbret shkallët e pallatit, në rrugën “Naim Frashëri”, përballë Mozaikut të Tiranës, dënesa e gruas së moshuar ende ndihet ndërsa e motra mundohet ta qetësojë.

Ndërkaq, e motra e Arbër Mitros, tha dje se autori i dyshuar i krimit edhe disa ditë më parë ishte konfliktuar dhe ishte grindur me Arbrin pikërisht për faktin se disa fëmijë kishin qenë duke luajtur me top pranë dyqanit. Sipas saj, autori i krimit edhe më parë ishte treguar agresiv. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga banorë të zonës, të cilët menjëherë pas ngjarjes së të dielës thanë se disa ditë më parë patrullat e policisë së Komisariatit nr.3 kishin mbërritur në zonë për të shuar një konflikt mes këtij personi dhe Mitros. Ndërkaq, gjatë marrjes së tij në pyetje, autori i dyshuar i krimit, Elton Bajraktari në komunikimet me hetuesit e policisë është shprehur i penduar për krimin e tij. “Ai më goditi në krah me stilolaps, ndërsa unë u ktheva dhe e godita dy herë me thikë në trup, kur edhe u rrëzua. Dyshova se ai donte të merrte ndonjë objekt për të më goditur dhe unë e godita sërish”, – mësohet të ketë thënë autori i dyshuar i krimit gjatë pyetjes nga hetuesit e policisë së Tiranës.