e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjyshi: Nipin e gjetem me thike dhe me litar te koka

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjyshi: Nipin e gjetem me thike dhe me litar te koka
Jonuz Cani dhe Halit Lela janë gjyshërit e fëmijës 11-vjeçar A.C., i cili u gjet dje nga policia pas pengmarrjes së tij nga Ardian Prrenjasi. Ata tregojnë për “Mapo” ankthin e humbjes së nipit të tyre mbrëmjen e së shtunës, kërkimet si dhe dyshimet e tyre për fqinjin përballë. Të dy ata thonë se pasditen e së shtunës nipi i tyre kishte dalë nga shtëpia si zakonisht dhe kishte qenë duke luajtur përpara shtëpisë. Pikërisht në këtë moment mendohet se ai ka humbur lidhjet me familjen e tij dhe me të afërmit e tjerë apo shokët, ndërsa familjarët nisën kërkimet për të.

Gjyshi i tij, Jonuz Cani tregoi se kishte pasur dyshime gjatë mbrëmjes së të shtunës duke u gdhirë dita e djeshme ndaj shtëpisë që ndodhej përballë dhe pikërisht ndaj të arrestuarit për krimin, Ardian Prrenjasi. Kjo sipas tij, pasi kishte parë disa lëvizje të dyshimta që ndodhnin në një nga dhomat e vilës dykatëshe përballë, ku perdet hapeshin e mbylleshin shpesh. Një fakt të tillë e konfirmon edhe gjyshi tjetër i fëmijës, Halit Lela, i cili banon në Shijak, por që ka mbërritur në shtëpinë e vajzës së tij, (nëna e A.C). Sipas Lelës, lëvizjet që ndodhnin në banesë të shtunën në mbrëmje ishin të dyshimta.

A mund të kujtoni momentin e largimit nga shtëpia të nipit tuaj të shtunën pasdite?

Ne kemi qenë në shtëpi, ndërsa djali ishte jashtë duke luajtur në oborr. Kaq di për momentin kur e kemi parë për herë të fundit. Di që kishte shkuar për të blerë te një dyqan afër cigare dhe më thanë që kishte shkuar për këtë person. Këtë e mora vesh sot. Kisha në fakt dyshime që mbrëmë, por se nuk mund të hyja. Unë aty dyshoja shumë. Vumë në dijeni policinë.

Sot në mëngjes erdhën ca njerëz dhe na thanë që ai s’kishte vajtur në punë. Njëri na tha që ka dy ditë, ndërsa tjetri na tha se s’ka dalë që mbrëmë. Kur më tha mbrëmë, unë dyshova më shumë. Menjëherë lajmërova policinë dhe dola i prita këtu. Gjatë kësaj kohe fola me djalin tim e ai më tha: Babi, çdo gjë mbaje në zemër.

Policia ndërhyri menjëherë?

Policia erdhi shpejt, pas lajmërimit tim. Hyjnë brenda duke shpërthyer derën. I thashë Sadikut, një prej të afërmve tanë: sido që të jetë, çfarëdo që t’i ketë ndodhur, dua veç ta shoh. Më premtoi dhe m’u betua për fëmijët se djali ishte shëndoshë e mirë. Më tej më tha se kishte probleme, por se ai është shëndoshë e mirë.

A e patë vetë?

Po, i bëra edhe një lutje tjetër. I thashë: Ta shoh me gjithë nënën e vet, a ke besë? E ëma u fut brenda dhe e pa. Iu var së ëmës në qafë. Në momentin që unë ia shkëputa të ëmën, çuni më lëshoi dorën dhe m’u lëshua mua. Më thirri: O gjysh.- Kaq, nuk di ç’të them më tepër.

A kishte shenja dhune në trup?

Në ato momente unë nuk isha në gjendje të përcaktoja gjërat saktë. Por në fytyrë nuk kishte dëmtime. Për fat djali ishte shëndoshë e mirë. Tani unë çdo gjë do ta lë në dorë të drejtësisë. Shpresoj që drejtësia të japë dënimin maksimal.

Çfarë marrëdhëniesh keni pasur me këtë person?

Asnjë lloj marrëdhënieje. Unë nuk e kam njohur. Kam tre vite që rri këtu, por nuk e kam njohur. Po kështu edhe djali im nuk e njihte. Atë e njihte pak ime shoqe, por edhe ajo nuk dinte çfarë ishte. Tani po merret vesh që ai paska pas marrëdhënie me fëmijët. Paska qenë i sjellshëm, i kulturuar e ku di unë. Ai u paska dhënë fëmijëve para për t’i blerë cigare apo për gjëra të tjera.

Sa kohë ka që banon në lagje?

Nuk e di se sa kohë ka që banonte në këtë lagje. Unë përpara nuk e kam njohur.

Nuk di të them nëse më parë ka bërë apo jo veprime të tilla. Nuk kemi pasur asnjëherë dyshime. Ajo që di të them është se i kërkojmë drejtësisë të mos na shpjerë në vetëgjyqësi. Ai njeri, po doli nga burgu nuk ka jetë. Të mendojnë njësoj si për fëmijët e vet. Një fëmijë që është gjetur me thikë dhe me litar te koka….. sepse është gjetur thika dhe litari. Po mos të kishte ndërhyrë policia për pak, çuni s’e di si do shkonte. Ai nuk ka pasur mundësi me dalë gjallë.

 Shitësja e cigareve tregon se e pa e fundit fëmijën që kishte shkuar aty për të blerë një paketë për Përrenjasin

Shqipja, një grua rreth të 60-ave që banon fare pranë shtëpisë së Përrenjasit, ishte ndër të fundit që e kishte parë fëmijën A.Cani. Ajo tregon se rreth orës 17:30 të pasdites apo rreth 18:00, e kishte parë fëmijën e mitur të vinte në dyqanin e saj të vogël që ndodhet pikërisht në krye të rrugës që të çon për tek shtëpia e Prrenjasit. Gruaja tregon se fëmija kishte kërkuar për të blerë një paketë cigare me paratë që i kishte dhënë dhunuesi. Që nga ai moment, gruaja pohon se nuk e kishte parë më të miturin, e po ashtu as njeriun që e rrëmbeu, e mbajti peng dhe e keqtrajtoi. “Erdhi këtu dhe më kërkoi një paketë cigaresh. Më dha paratë dhe u largua”, – tregon Shqipja. Sipas saj, 11-vjeçari i zhdukur ishte i urtë, i sjellshëm e i dashur. Ndërsa për Përrenjasin, ajo nuk di të thotë shumë gjëra.

“E di që punon shofer tek firma që mbledh mbeturinat. Është shofer i makinës së plehrave”, – thotë Shqipja. Takimi me shitësen është shfaqja e fundit në publik e fëmijës, derisa hetuesit e policisë mbërritën në vilën dykatëshe, ku jetonte ai prej disa muajsh. Këta të fundit ishin lajmëruar nga gjyshi i tij, ndërsa më parë aty kishin mbërritur kolegët e Prrenjasit nga kompania e pastrimit që punon për llogari të Bashkisë së Tiranës.

Hetuesit ishin informuar gjithashtu edhe nga kolegët e tij, se Prrenjasi nuk kishte shkuar në punë atë ditë dhe kishin dyshime se ai mund të kishte pasur probleme shëndetësore, ngaqë e dinin se vuante nga stomaku. Një nga të afërmit e të miturit thotë se punonjësit e pastrim-gjelbërimit mbërritën aty, i ranë derës, ajo nuk hapej. Më pas ata i ranë sërish derës, por e njëjta gjë. Në këtë kohë ata kanë kujtuar se agresori i fëmijës në fakt kishte vdekur, ndërsa deri në këtë moment nuk kishte askush dyshime mbi të. Më pas një nga të afërmit e të miturit ka vënë re se një nga perdet e dhomës ku qëndronte Ardiani, kishte lëvizur. Në këtë moment kanë mbërritur blutë, të cilët pasi kanë vënë re se dera nuk hapej, kanë hyrë me forcë në banesë.

45-vjeçari u arrestua i fshehur nën krevat

Tiranë Kur policia ka shqyer derën, Ardian Prrenjasi ndodhej poshtë krevatit dopio. Ndërsa i mituri dridhej nën lavamanin që ishte mbuluar me një perde. Pranë fëmijës ndodhej një litar i lidhur në formë laku, ndërsa në shtëpi është gjetur edhe një thikë kuzhine, me të cilën Prrenjasi e ka kërcënuar përgjatë gjithë natës. Efektivët e policisë i vunë prangat menjëherë të dyshuarit, ndërsa fëmija iu dha prindërve. Prrenjasi u prangos dhe u dërgua në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.3 në kryeqytet. Fëmija u dërgua në spital për t’iu nënshtruar ndihmës së nevojshme psikologjike.

Ndërkaq, për të arrestuarin e dyshuar si maniak seksual me tendencë abuzimin me të miturit, gruaja e moshuar thotë se e kishte parë dhe i ishte dukur si njeri i mirë e i qetë. “Vinte blinte ndonjë gjë dhe largohej. Ishte njeri me trup mesatar, i dobët, i imët, me flokë të ngritura pak lart”,- tregon gruaja. Ajo shton se e kishte parë për herë të fundit mëngjesin e së shtunës kur ai ishte përshëndetur me të teksa kishte dalë nga shtëpia ku rrinte me qira. Pikërisht hera e fundit kur e ka parë gruaja në dyqan, është momenti i zhdukjes së fëmijës, që për fat të mirë u gjet i gjallë.
 
Burgaj vizitë ngushëllimi në shtëpinë e Julian Çelës

Kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nga Komisariati Nr.3 u shpreh se reagimi i shpejtë i policisë shpëtoi nga kthetrat e monstrës Ardian Prrenjasi një tjetër fëmijë, teksa shtoi se detaje të reja do bëhen me dije në orët në vijim. “Mund të them është një reagim shumë i shpejtë i policisë lidhur me parandalimin e një ngjarjeje tjetër të rëndë nga një monstër. Të dhëna të tjera do i merrni me detaje më vonë. Ardian Prrenjasi është edhe vrasësi i Julian Çelës”, – tha Burgaj. Ky i fundit kreu edhe një vizitë ngushëllimi në familjen e Julian Çelës, ndërsa ka theksuar se kërkimet për trupin e pajetë të fëmijës vijojnë ende. Ndërhyrja e policisë është parë si vendimtare paraditen e djeshme teksa i ka shpëtuar jetën 10-vjeçarit të rrëmbyer.

Çaushaj: Precedenti i 2008 na çoi te Prrenjasi

Në një deklaratë për shtyp pasditen e së dielës, drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj u shpreh se ishte kryer arrestimi i Prrenjasit, i cili akuzohej për abuzim me të mitur.  “Në bashkëpunim me sektorin e Statistikës dhe Informacionit Kriminal në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, u arrit të siguroheshin informacionet e para për shtetasin me tendenca kriminale të abuzimit me të miturit”, – tha Çaushaj. Sipas tij, nga këto informacione rezultoi se Prrenjasi, 45 vjeç, lindur në Përrenjas dhe banues në Laprakë, kishte të dhëna dhe më parë për abuzime seksuale me të mitur, duke iu referuar rastit të bërë tashmë publik të dënimit në Gjykatën e Tiranës. “Në vlerësim të këtij informacioni, në banesën e tij u gjet i fshehur fëmija 10-vjeçar dhe shtetasi Ardian Përrenjasi. Në cilësinë e provës materiale iu gjetën një litar dhe një thikë që janë përdorur për t’i bërë presion të miturit”, tha Çaushaj.