e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjyqi i Haradinajt, deshmitari sfidon gjykaten e Hages

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjyqi i Haradinajt, deshmitari sfidon gjykaten e Hages
Dëshmitari i Prokurorisë, Shefqet Kabashi, ka filluar dëshminë para Tribunalit të Hagës në rastin Haradinaj dhe të tjerët. Ai ka kundërshtuar vazhdimisht pyetjet e prokurorit Paul Rogers, duke thënë madje që dëshmia e tij e dhënë gjatë hetimeve dhe ato çfarë ka nënshkruar në fund kanë qenë të modifikuara. “Nuk ka pasur burg në Jabllanicë,. Juve u kanë përzier punët tuaja dhe duhet ta dini se nuk jam ai që mundem t’ua drejtoj tashti ato”, ka thënë Kabashi. Ai madje ka lutur gjykatën që ta lërë të qetë, nëse është nevoja edhe në burg, por jo ta detyrojë të thotë gjëra, që, sipas tij, nuk janë të vërteta. “Këtu nuk ka drejtësi. Këto janë pallavra. Ma mirë do të ishte që këto para t’i jepen Hollywoodit për ta bërë ndonjë film të mirë, sesa kështu siç po veproni. Çdokush e ka humb besimin në ju, si në Bosnje, si në Kosovë, si dy vendet ma të prekura nga lufta. Jo pse po i mbroj ata (Haradinajn dhe të tjerët), por këtu nuk ka drejtësi.

Çomëni në burg edhe lërmëni atje” ka përfunduar Kabashi. Prokurori Rogers, madje ka kërkuar nga gjykatësi një pauzë disaminutëshe, deri sa të marrë veten dëshmitari Kabashi, pasi ai ka thënë se nuk është në gjendje t’i bëjë më pyetje atij. Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i UÇK-së, është arrestuar javën e kaluar në Holandë për shpërfillje të Tribunalit të Hagës në vitin 2007, kur kishte refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të hetuesve gjatë dhënies së dëshmisë kundër Ramush Haradinajt dhe të tjerëve. Shefqet Kabashi është transferuar dhe mbahet në Qendrën e Paraburgimit të Tribunalit të Hagës. Paraqitja e tij duhej të bëhej të premten, por u shty me kërkesë të avokatit mbrojtës, i cili kishte thënë se klienti i tij ishte në gjendje të rëndë psikike dhe fizike, pas arrestimit dhe transferimit të tij në Hagë. Shefqet Kabashi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), akuzohet për shpërfillje të Tribunalit. Ai kishte refuzuar të dëshmonte në procesin gjyqësor ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, me arsyetim se Tribunali nuk ofronte siguri të mjaftueshme për dëshmitarët.