e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gjykata pezullon greven e urise, 'e paligjshme', grevistet kercenojne me gjak

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gjykata pezullon greven e urise, 'e paligjshme', grevistet kercenojne me gjak
Gjykata e Tiranës ka vendosur sot shpërndarjen e grevës së urisë së ish-të përndjekurve politikë, grevë e cila sot ka hyrë në ditën e 26 të saj. Këtë vendim gjykata e ka marrë, duke pasur parasysh një padi nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, e cila e konsideron grevën të paligjshme, sepse në të janë kryer vepra penale.

Ndërkohë që, gjendja shëndetësore e grevistëve është rënduar së tepërmi dhe ata ditët e fundit po kërkonin të uleshin tonet e ashpra e të shtroheshin në bisedime me qeverinë, e cila nga ana e saj ka përsëritur se, kundrejt tyre ka zbatuar ligjin, pa dërguar asnjë përfaqësues të saj te grevistët.

Grevistët: "Nuk e njohim gjykatën"

Nga ana e tyre, grevistët kanë reaguar se nuk do të largohen nga çadrat dhe nuk e njohin vendimin e gjykatës. Por dhe nëse i nxjerrin me forcë, ata do ta zhvendosin grevën diku tjetër, ndërkohë që forcat e tyre po shterrojnë. Ata e kanë quajtur të turpshëm dhe mungesë lirie vendimin e gjykatës. "Në kundërshtim me të drejtat e individit për të protestuar", janë shprehur njëzëri ata.

"Ne nuk kemi forcë fizike të përleshemi me policët, ata janë rrogtarë të thjeshtë. Por nuk do të duam të largohemi nga çadrat. E nëse e bëjnë me forcë, do digjemi përpara Parlamentit. Doktori pa zemër nuk ka zemër të shohë dhimbjen tonë. Por bashkë me djegien tonë do të digjet përfundimisht edhe karriera e tij politike", kanë thënë grevistët Lamaj dhe Kollçaku. "Berisha iku dhe la urdhërat prapa. Këto nuk janë zgjidhje. Zgjidhja është siç tha dhe ambasadori amerikan dje, uluni dhe diskutoni. Nëse këta njerëz nxirren me vendim gjykate, që dihet se në dorë të kujt janë, ne deklarojmë se në Shqipëri ekziston një diktaturë e re, që vepron në mënyrat më brutale dhe veprimi që bëhet me ne bëhet me çdo qytetar.  Berisha: Ose hiq vendimin, ose do të bëhet gjak, do të digjemi para Parlamentit", ka thënë koordinatori i grevës, Skënder Tufa.

"Kjo është e turpshme. Ne duam që, siç kanë vdekur shokët tanë, të vdesim edhe ne", është shprehur Fatmir Lamaj përpara mediave, të cilat i ka falenderuar për transparencën, e pas vendimit për pezullimin e grevës sot ka pasur rënie tensioni dhe gjendje parainfarkti dhe është çuar me urgjencë në spital. Më tej kanë shtuar se "ata janë pa punë e pa para, e kërkojnë dëmshpërblimin e pamarrë, e jo siç gënjen Berisha, se e paska zbatuar ligjin dhe ua ka dhënë ato."

Grevisti Asllan Patrioti në një deklaratë të ashpër theksoi se, nëse përdoret forca kundër grevistëve, do të ketë viktima.

Arvizu-Sequi

Ambasadori amerikan Arvizu dhe ai i BE-së, Ettore Sequi, i kanë vizituar grevistët gjatë ditëve të tyre të grevës dhe pikërisht mbrëmë Arvizu ka kërkuar dialog të qeverisë me ta, pasi çështja e tyre së pari është humanitare. Ndërsa Ettore Sequi, sot nëpëmjet ekranit televiziv ka kërkuar që shmangen aktet vetëflijuese dhe të rinisë dialogu.