Gjykata e Larte 'mbyll' Gerdecin
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Bilanci
Viktimat - 26 persona humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit, e ndodhur më 15 mars 2008 në periferi të Tiranës. Dy të tjerë ndërruan jetë më pas, pas problemeve ekonomiko-sociale
Të pandehurit - Prokuroria ngriti akuzë ndaj 28 personave për këtë ngjarje, ku shumica e tyre u dënuan me vendime qesharake, ndërsa zyrtarët e lartë nuk u gjykuan fare
Proceset - Gjyqi zgjati pafundësisht në Shkallën e Parë, pasi avokatët nuk vinin në proces. Në Apel zgjati disa seanca dhe në Gjykatën e Lartë nuk u zhvillua asnjë seancë
Dosja vetëm në dhomën e këshillimit. Lihet në fuqi vendimi i Apelit, që uli dënimet. Dritan Minxholli, gjyqi gerdecit seancaGjykata e Lartë mbyll përfundimisht dosjen “Gërdeci”. Kur kanë kaluar më shumë se pesë vite, dosja arkivohet plotësisht. Vendimi vjen në prag të pushimeve të njerëzve të drejtësisë dhe disa javë para se postin e kryeministrit ta marrë Edi Rama, i cili ka premtuar se kjo dosje do të rihapet. Por gjykata supreme nuk e ka kaluar fare për shqyrtim, duke lënë në fuqi dhe në formë të prerë dënimet që ka dhënë Gjykata e Apelit. Kjo e fundit ka ulur në minimum vendimet për të pandehurit kryesorë, disa prej të cilëve u liruan pas vendimit. Prokuroria këmbëngulte se, disa nga të pandehurit kryesorë duhet të dënohen me burg të përjetshëm. Kërkesa e akuzës është bërë në Shkallën e Parë dhe në Apel, por, në të gjitha rastet, gjyqësori ka qenë i mëshirshëm për shumicën e të pandehurve, të cilët u akuzuan për vdekjen e 26 personave dhe qindra të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve janë të gjymtuar.
Dhoma e këshillimit
Lajmi për mospranimin e kësaj çështjeje në Gjykatën e Lartë u bë publik nga avokatët e familjarëve, të cilët thanë se tashmë “Gërdeci u varros përfundimisht”. Gazeta “Shqip” tentoi të shikonte në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë vendimin, por çuditërisht faqja nuk punonte. Më saktësisht, nuk hapeshin dosjet, të cilat nuk janë pranuar nga kjo gjykatë dhe kanë qenë vetëm në dhomën e këshillimit.
Megjithëse nuk u kalua për shqyrtim, efektet e kësaj procedure janë “vulosje” e vendimit të Gjykatës së Apelit. Prej kohësh në këtë gjykatë janë mijëra dosje që presin për t’u gjykuar dhe të tjera në dhomë këshillimi. Por, duke qenë se ky proces mund të zgjaste, apo të shkonte në Kolegjet e Bashkuara, ku nuk përjashtohej mundësia e rigjykimit, ashtu siç e kërkoi mazhoranca e dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, gjykata i ka rënë shkurt, me një vendim të thatë.
Apeli uli dënimet
Disa muaj më parë, Gjykata e Apelit vendosi të lehtësonte dënimet për të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Ish-drejtorit të ndërmarrjes shtetërore të eksport-importit të armëve, Ylli Pinari, iu ul dënimi nga 18 vite në 15 vite. Ndërsa pronarit të fabrikës, Mihal Delijorgji, dhe drejtorit të saj, Dritan Minxolli, iu reduktuan dënimet me një të tretën. Ata ishin dënuar respektivisht me 10 dhe 18 vite burg.
Prokuroria, e cila apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës, kishte kërkuar të njëjtat dënime edhe në Gjykatën e Apelit: burgim të përjetshëm për ish-drejtorin i Meico-s, Ylli Pinari, për pronarin e fabrikës ku kryhej demontimi i municioneve, Mihal Delijorgji, si dhe drejtorin e asaj fabrike, Dritan Minxolli. Ata ishin akuzuar, ndër të tjera, edhe për vrasje, por Gjykata e Apelit, ashtu si dhe ajo e Shkallës së Parë, i dënoi ata për shkelje të rregullave në punë, shkatërrim të pronës pa dashje apo shpërdorim të detyrës, ndërsa uli dënimin e dhënë më parë.
Vendimet e tjera
Apeli nuk i ndryshoi dënimin ish-zyrtarit të Meico-s, Sokol Gjeci, 10 vite burg, si dhe për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, i dënuar me 6 vjet. Ndryshime pati edhe për disa nga ish-gjeneralët e ushtrisë. Shpëtim Spahiu u shpall i pafajshëm, ndërsa Zija Bahja, që ishte deklaruar i pafajshëm, u dënua tre vite me kusht. Për funksionarët e tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim, por të gjitha me kusht, sikundër edhe për tre të tjerë që kishin qenë shpallur të pafajshëm. Pas vendimit të Apelit, familjarë të viktimave nuk e përmbajtën dot zemëratën për vendimin. “Turp zoti kryetar, t’ju vijë turp. Njerëz pa shtyllë kurrizore, pa identitet”, iu drejtua trupit gjykues Zamira Durda, e cila humbi fëmijën e saj nga shpërthimi.