Gjermanet shqetesohen per 'autostraden energjetike'
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Roland Siller, drejtor i bankës gjermane KFW, në një letër dërguar kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit Ridvan Bode, ka shprehur shqetësim rreth bllokimit të projektit për ndërtimin e autostradës energjetike Kosovë –Shqipëri
Prishtinë. Bllokimi i projektit për ndërtimin e autostradës energjetike Kosovë-Shqipëri, nga ana e kryeministrit Sali Berisha, në masë të madhe ka shqetësuar edhe përfaqësuesit e bankës gjermane KFW, të cilët janë edhe donatorë të projektit në fjalë. Gazeta “Zëri”, ka siguruar korrespodencën mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe drejtorit të Bankës gjermane, Roland Siller, ku ky i fundit duket tejet i shqetësuar Në letrën e drejtuar Siller ministrit të Financave, Ridvan Bode, e kishe falënderuar ministrin për letrën që ia kishte dërguar bankës gjermane KFW, më 19 janar të këtij viti. Çështjet që janë ngritur në letër kanë qenë në fokus të tyre të vëmendjes, që nga nëntori i vitit 2011, kur e kanë marrë evoluimin final të raportit.
“Shqetësimet e ngritura meritojnë vëmendje. Ne dy herë kemi arritur në Tiranë, për të diskutuar personalisht me OST, rreth rezultatit të tenderit të transmisionit 400 KW me Kosovën”, thuhet në letrën që drejtori Siller i ka dërguar ministrit të Financave, Ridvan Bode. Më tej në letër thuhet se në pozicionin e financuesit Banka Gjermane KFW monitoron nga afër të gjithë procesin e tenderit. Po ashtu, drejtuesit e bankës i kanë rikujtuar ministrit Bode se dallimi mes kompanisë që e ka fituar tenderin dhe kompanisë tjetër që ka qenë konkurrente është tepër i dukshëm.
“Kur i kemi pranuar draft-raportin final të vlerësimit diferenca e çmimit mes ofertuesit të parë dhe të dytë të radhitur është i dukshëm. Është detyrë e KFW që fondet të shfrytëzohen sa me ekonomikisht të jetë e mundur. Kjo ka shkaktuar shqetësime te ne”, thuhet më tej në letër.
Në fund të letrës drejtori i bankës gjermane KFW thotë se procedurat e tenderit duke i përfshirë edhe kriteret e përzgjedhjes ishin definuar nga agjencitë.
Sipas tij, rezultat e vlerësimit janë një rezultat i procedurave të përcaktuara dhe sipas tij, ato nuk mund të kontestohen.
Po ashtu, gazeta “Zëri” ka siguruar edhe korrespodencën e ministrit të Energjetikës, Nasip Naço me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Naço i ka rikujtuar kryeministrit Berisha, se për aq kohë sa financimi për kryerjen e veprave sigurohet nga donatoret e huaj është e natyrshme që procedurat dhe rregullat të vendosen nga ta.
“Mosarritja e një zgjidhjeje përfundimtare mes të gjitha palëve lidhur me ketë situatë mund të sjellë dëme të konsiderueshme si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë politik me marrëdhëniet me një donator serioz, siç është KFW, përfaqësues e Qeverisë gjermane, duke e vënë në rrezik realizimin e këtij projekti vital për sektorin elektroenergjetik dhe për ekonominë shqiptare”, thuhet në fund të letrës që ministri Naço ia ka dërguar ministrit Bode dhe kryeministrit Berisha.
Përndryshe gazeta “Zëri” të hënën ka raportuar se si djali i kryeministrit Sali Berisha, i ndikuar nga biznesmenë serbë ka bllokuar realizimin këtij projekti për ndërtimin e linjës së transmisionit Kosovë-Shqipëri, ku si pasojë Kosova po pëson dëme të konsiderueshme, pasi që për momentin të vetmen rrugë për import të energjisë e ka Serbinë. Marrë me autorizim nga gazeta “Zeri”.