e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Gedafi humb luften, thirrje per 'largimin e kolonelit'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Gedafi humb luften, thirrje per 'largimin e kolonelit'
Do të doja të shihja kolonel Gedafin të përballej me drejtësinë për krimet e tij. Ai ka kryer krime të tmerrshme kundër popullit, por Libia është një vend sovran dhe është punë e autoriteteve të reja për të bërë atë që ata besojnë se është e drejtë për Gedafin.

Pas një lufte prej gjashtë muajsh, kryengritësit libianë kanë raportuar se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të Tripolit. Rebelët depërtuan në Sheshin e Gjelbër - të cilin thanë se do ta riemërojnë Sheshi i Dëshmorëve - pas përballjes me një kundërshtim të dobët nga forcat qeveritare. Ajo çfarë nisi si lëvizje e protestave popullore gjashtë muaj më parë, tani duket të jetë në prag të fundit, përkatësisht rrëzimit të Muhamar Gedafit pas 42 vjetësh në pushtet. Turmat euforike në mbarë Libinë festuan fitoren gjatë gjithë natës. Në deklaratën e tij nga rezidenca në Londër, Kryeministri britanik, Devid Kameron, tha se shumica e Tripolit kontrollohet nga forcat e lira të Libisë. Ai i bëri thirrje Gedafit të japë dorëheqje. “Nuk kemi konfirmim për vendndodhjen e Gedafit, por të paktën dy djemtë e tij janë kapur. Regjimi i tij është duke u copëtuar. Gedafi duhet t’i ndalojë luftimet pa kushte dhe të tregojë qartë se ka hequr dorë nga çdo pretendim për të kontrolluar Libinë”, - tha Kameron. Sipas tij, u mbetet autoriteteve të reja të Libisë të vendosin për fatin e Gedafit.

“Do të doja të shihja kolonel Gedafin të përballet me drejtësinë për krimet e tij. Ai ka kryer krime të tmerrshme kundër popullit, por Libia është një vend sovran dhe është punë e autoriteteve të reja për të bërë atë që ata besojnë se është e drejtë për Gedafin”, - tha Kameron.

Më herët, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se beteja ka arritur një “pikë kthese” dhe se Libia po rrëshqet nga “kthetrat e tiranit”. Në Itali, ministri i Jashtëm, Franko Fratini, tha se “koha e Gedafit ka përfunduar” dhe se ai duhet t’i dorëzohet vetë Gjykatës Ndërkombëtare për Krime. Polonia, që mban Presidencën e tanishme të Bashkimit Evropian, tha se e mirëpret fundin e sundimit të Gedafit. Edhe NATO-ja, e cila ka mbështetur kryengritësit me fushatën e bombardimeve, tha se sundimi i Gedafit “është shkatërruar”. E njëjta u shpreh e gatshme për të punuar me njerëzit e Libisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka bërë thirrje për tranzicion paqësor.

"Tani është koha për të krijuar një Libi të re - një shtet të bazuar në liri, e jo në frikë; në demokraci, e jo në diktaturë; në vullnetin e shumicës e jo në vullnetin e disave. Ai tranzicion duhet të vijë në mënyrë paqësore. Ai duhet të vijë tani. Ai duhet të udhëhiqet dhe të definohet nga populli libian", - tha Rasmusen. Duke folur para gazetarëve në Londër, i ngarkuari me punë në ambasadën e Libisë, Mahmud Nakua, pohoi se kryengritësit kontrollojnë 95 për qind të Tripolit dhe të mbarë vendit.

Por, ai tha se rebelët, megjithatë presin të përballen me rezistencë në ditët e ardhshme, ndërkohë që të shtëna me armë janë raportuar pranë rezidencës së Gedafit dhe në jug të kryeqytetit. Nakua ritheksoi angazhimin e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit për demokraci dhe të drejta të njeriut.

“Ne do të ndërtojmë një vend demokratik. Ne do të kemi kushtetutë. Ne do të kemi liri në çdo pjesë të vendit dhe fusha të ndryshme të aktiviteteve”, - tha ai. Vendndodhja e Gedafit mbetet e panjohur. Përmes një audio-mesazhi në televizionin shtetëror, Gedafi u zotua të dielën se do të qëndrojë deri në fund, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të tij të vijnë në Tripoli për ta “shpëtuar qytetin”. Gjykata Ndërkombëtare për Krime tha se ka marrë konfirmimin për arrestimin e djalit të Gedafit, Saif al-Islam. Bashkë me babanë e tij, ai akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Al Xhazira raporton se djalin tjetër të Gedafit, Muhamedin, rebelët e mbajnë nën arrest shtëpiak

Kryeministri Berisha përshëndet rënien e diktatorit libian

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur ditën e djeshme rënien e kryeqytetit të Libisë, Tripolit, i cili mbahej peng nga forcat e diktatorit libian Muhamar Gedafi. Kryeministri Berisha e cilësoi rënien e Tripolit si dhënien fund të një regjimi të egër që kishte përreth gati gjysmë shekulli që e mbante Libinë të izoluar nga bota. Gjithashtu, kreu i qeverisë shqiptare i cilësoi heronj luftëtarët e opozitës, të cilët arritën të mposhtnin në Tripoli regjimin e egër të diktatorit Muhamar Gedafi. Kryeministri Berisha e ka lidhur regjimin e Gedafit edhe me diktaturën e egër të regjimit Hoxha, të cilat kreu i qeverisë i cilësoi si dy nga regjimet më të egra në histori. Kryeministri Berisha theksoi se forcat opozitare së bashku me forcat e NATO-s do t’i japin fundin e merituar diktatorit libian, i cili nga ana e tij, për të mbajtur pushtetin, ka vrarë dhe masakruar me mijëra qytetarë libianë.

“Shqiptarët që kanë përjetuar përreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, barazinë para ligjit, epërsinë morale të pajtimit kombëtar si kushte sine qua non për një të ardhme të ndritur që qytetarët libianë meritojnë”, - u shpreh Kryeministri në deklaratën e tij.