Festa e Flamurit lideret e Kosoves urojne shqiptaret

Festa e Flamurit, lideret e Kosoves urojne shqiptaret
Kosova, ndonëse nuk e ka një ditë kombëtare 28 Nëntorin në Kushtetutën e saj, përsëri liderët politikë të këtij vendi kanë festuar dhe uruar festën e Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka zgjedhur t’i japë urimet për këtë ditë nga Prekazi, ku përveç urimeve për festën, ka përkujtuar edhe ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit. I shoqëruar nga ministrat e tij, Thaçi ka vendosur kurora lulesh në kompleksin memorial për nder të Jasharit dhe ka theksuar faktin se për të, Festa e Flamurit ishte një ditë e shënuar dhe mbi çdo ideologji politike. Në këtë mënyrë, ai i ktheu përgjigje edhe zërave kritikë brenda Kosovës, sipas të cilave qeveria e këtij vendi nuk po e përfillte aq sa duhej ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Festa e Flamurit dhe festa e Pavarësisë së Shqipërisë është mbi çdo parti politike, mbi çdo profil politik, mbi çdo ideologji dhe i ftoj të gjithë të afrohen me njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe në asnjë rrethanë, askush mos të pretendojë të bëjë fushatë elektorale me flamurin kombëtar dhe festën kombëtare”, - theksoi Thaçi nga Prekazi, ku kaloi paraditen e djeshme. Një urim i veçantë për këtë festë erdhi edhe nga Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e cila ju uroi festën jo vetëm shqiptarëve të Kosovës, por të gjithë shqiptarëve kudo ndodheshin. Madje, Jahjaga theksoi faktin se kjo ditë, gjithashtu duhet të përkujtohej për luftën kundër pushtuesve, si një ditë e Çlirimit të Shqipërisë.

“Të gjithë shqiptarëve kudo që janë, popullit shqiptar në Republikën e Shqipërisë, popullit shqiptar në Republikën e Kosovës, popullit shqiptar në Republikën e Maqedonisë, popullit shqiptar në Republikën e Serbisë, popullit shqiptar në Republikën e Malit të Zi, shqiptarëve në shtetet e Bashkimit Europian, shqiptarëve në SHBA dhe shqiptarëve kudo që janë nëpër botë, ju uroj 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, ditën e krijimit të shtetit shqiptar, Ditën e Çlirimit dhe të Pavarësisë”, - deklaroi Presidentja e Kosovës në deklaratën e saj. Drejtuesja e shtetit të Kosovës theksoi në mesazhin e saj edhe faktin se kjo ditë simbolizon identitetin dhe krenarinë kombëtare, duke bërë që të gjithë të mendojnë se si t’i ndihmojnë atdheut me punën e tyre  të përditshme.

Sipas saj, shqiptarët kudo që ishin duhet të ndërtonin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, në mënyrë që e ardhmja e përbashkët të ishte në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera botërore. Festën e Flamurit e uroi dje edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai shprehu në mesazhin e tij, urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetonin, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. “Ndonëse jemi vetëm një vit pranë përmbushjes së një shekulli që kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj, Festa e Flamurit tonë kombëtar, 28 Nëntori, vazhdon të kremtohet me tërë nderimin që meriton nga të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë ata, në Shqipëri, në Kosovë, në viset shqiptare në ish-Jugosllavi dhe në mbarë diasporën shqiptare”, - thekson drejtuesi i lartë i LDK-së në mesazhin e tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama