e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Fajon: BE mund te rivendose vizat nese shkelen afatet

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Fajon: BE mund te rivendose vizat nese shkelen afatet
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila po mban një rol kyç në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën zhvilloi dje një bisedë telefonike për spektaklin “E Diell”, në “Top Channel” me drejtuesin tij, Ardi Krasta.  Drejtpërsëdrejti nga Brukseli, pak ditë pasi Parlamenti Europian miratoi liberalizimin e vizave për këto dy vende, Fajon i kërkoi qeverisë shqiptare të bënte përpjekjet maksimale për sa i përket procesit të informimit të qytetarëve në lidhje me kufijtë e këtij liberalizimi. Sipas eurodeputetes, kishte rëndësi të veçantë që shqiptarët të kuptonin se nëpërmjet liberalizimit nuk mund të përfitonin azil politik, nënshtetësi apo punësim në vendet e BE-së. Duke theksuar se pas një muaji ministrat e Brendshëm të Europës do të ishin të “ashpër” në lidhje me kërkesat e tyre ndaj Shqipërisë, Fajon parashikoi dhe skenarë negativë në rast se nga ana e shqiptarëve do të kishte shumë kërkesa për azil politik.

“Një pjesë e vendeve të BE-së mund të kthejnë përsëri vizat”, theksoi eurodeputetja, emri i të cilës ka marrë një rëndësi të veçantë këto ditë në Bosnjë dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, eurodeputetja, ndonëse theksoi se ky proces ishte teknik kërkoi që në klimën politike shqiptare të ekzistonte bashkëpunimi dhe konsensusi. Fajon theksoi se së shpejti do të vizitonte Kosovën, për të gjetur mundësinë e përfshirjes së këtij vendi gjithashtu në procesin e liberalizimit të vizave. Por sigurisht që ajo premtoi se së shpejti do të zhvillonte edhe një vizitë në Shqipëri.

Tani Tirana duket sikur është në dashuri me ju, sepse ne e quajmë se ju keni bërë një kryqëzatë personale që ju keni bërë për të ndihmuar shqiptarët. Ju jeni sjellë me shumë energji dhe me shumë pasion. Përse kaq papritur ju e keni bërë këtë gjë për ne?

Unë mund të them që në çdo pjesë të jetës time, kur vendos që  diçka është shumë e rëndësishme dhe unë besova që liberalizimi i vizave është diçka shumë e rëndësishme, atëherë unë mund të jem shumë kokëfortë. Por duhet të korrigjoj në diçka, nuk jam vetëm unë që e bëra këtë, por më ndihmuan edhe kolegë të mi. Jam shumë e gëzuar që këta kolegë ishin aktorë kryesorë dhe të rëndësishëm për liberalizimin e vizave në Ballkanin Perëndimor. Dhe unë jam e kënaqur që isha raportuese në Parlamentin Europian, edhe sepse unë isha aty prej një viti. Unë jam e re në mandat dhe ky ishte raporti im i parë dhe unë sinqerisht e besova që qytetarët shumë afër Sllovenisë nuk mund të udhëtojnë lirisht në Bashkimin Europian. Dhe unë u shtyva nga ky qëllim i përbashkët që qytetarët e Shqipërisë që kanë qenë prej shumë kohe të izoluar mund të ishin gati të udhëtonin në BE. Unë kam pasur me vete një grup shumë të ri dhe energjik dhe kemi bërë një punë të përkryer në PE. Përgëzime Shqipëri dhe qytetarë të Shqipërisë. Unë jam e lumtur që PE ka dhënë këtë mbështetje të rëndësishme.

Ne shqiptarët nuk mund të duam këdo, jemi shumë përzgjedhës si popullsi. Kemi zgjedhur t’ju duam ju dhe faleminderit. Tani do ju pyes për diçka që ju përmendët në konferencën tuaj për mediat. Ju po flisnit për liberalizimin e vizave te qytetarët e zakonshëm. Në këtë kuadër, çfarë duhet të bëjë një qytetar i zakonshëm shqiptar?

Unë e përmenda këtë veçanërisht, sepse unë mendoj që heqja e vizave është e rëndësishme për personat e zakonshëm. Kjo nuk është e rëndësishme për politikanët apo personat me para, sepse ata mund të udhëtojnë lirisht dhe i kanë gjetur mënyrat e tyre për të udhëtuar. Unë mendoj se ky vendim për të udhëtuar lirisht në BE është i rëndësishëm për të rinjtë, apo studentë, apo ata që nuk kanë shumë para. Unë mund të pranoj që këta muajt e fundit kam marrë shumë letra jo vetëm nga Shqipëria, por nga e gjithë Europa që më thoshin sesa e rëndësishme është të udhëtosh lirisht dhe sa shumë histori të dhimbshme kanë kaluar me ambasadat në Shqipëri. Dhe unë mendoj se për studentët dhe për personat që nuk kanë para duhet të udhëtojnë lirisht.

Kjo është akoma edhe më shumë e rëndësishme nga ana psikologjike, sepse vetëm për t’u ndier i lirë dhe për të pasur idenë për të udhëtuar lirisht mund të kuptosh vlerat europiane. Ky është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë drejt BE-së. Unë nuk dua të jap tani mësime, por dua të them që autoritetet ose të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë çështje të thonë që janë të gatshëm të bëjnë diçka me një qëllim të përbashkët. Diçka në luftë kundër korrupsionit dhe trafikut dhe kjo gjithashtu provon se Shqipëria është gati për t’u futur në BE. Unë jam e lumtur që ne e japim këtë rast.

Lajmet bëjnë të ditur se ministritë e Brendshme të vendeve anëtare do të jenë të ashpër në kërkesat e tyre. A duhet të shqetësohemi ne për këtë?

Ata do të tregohen të ashpër dhe jo vetëm ata, por i gjithë Bashkimi Europian. Të tre institucionet e BE-së. Parlamenti e pranoi, unë pres që edhe vendet anëtare në fillim të nëntorit do ta pranojnë, do të japin dritën jeshile, unë pres që ata të bëjnë kështu dhe besoj se do të kemi një raport pozitiv. Duke e parë nga ana teknike Shqipëria i ka arritur të gjitha kriteret dhe nuk besoj se ka ndonjë arsye që ndonjë anëtar i Bashkimit Europian, të krijojë probleme apo të shtojë kritere të reja apo ta shtyjë këtë proces.

A është e vërtetë që opozita shqiptare ka qenë në njëfarë mënyre një pengesë në këtë proces, pra në liberalizimin e vizave?

Për mendimin tim, unë nuk mund të them apo ta kem ndier që opozita mund të ketë sjellë ndonjë problem. Ky ka qenë një proces teknik dhe kjo do të thotë që kalon përmes 100 kritereve të ndryshme. Ajo që unë mund të pranoj është se situata politike në Shqipëri nuk ishte shumë ndihmuese, kështu që ne u munduam të flisnim me të gjitha partitë që merreshin me Bashkimin Europian, të kishin një dialog institucional për stabilitet në Shqipëri. Nëse ky do ishte rasti, atëherë të gjithë do të ishin gati për këtë. Situata politike dhe stabiliteti ishin të rëndësishëm në proces, por në fund ky është një proces teknik.

Do të jeni të ashpër me Shqipërinë nëse klasa politike në vend do të reagojë në mënyrë të papërgjegjshme?

Patjetër. Unë gjithmonë them se nëse ju nuk na ndihmoni me dialog politik dhe me një informacion të duhur, nëse nuk na ndihmoni në implementimin e çdo gjëje, atëherë dhe ne do të jemi të ashpër. Unë u thosha gjithmonë përfaqësuesve të Shqipërisë, se duhet të informojnë qytetarët se ç’do të thotë liberalizim. Ata duhet ta dinë që mund të udhëtojnë lirisht, por me disa limitime. Unë kam frikë se qytetarët mund ta përdorin këtë udhëtim të lirë në mënyra të ndryshme. Kjo do të jetë një problem për qeverinë dhe për shtetin dhe ky mund të jetë një problem edhe për sistemin politik të Shqipërisë. Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë që liberalizimi i vizave do të thotë që mund të qëndrojnë në vendet jashtë Shqipërisë vetëm tre muaj në vit dhe duhet të gjesh informacionin e nevojshëm për këtë udhëtim të lirë. Ky udhëtim nuk të jep të drejtën për azil politik, për nënshtetësi apo punë.

Pra, ka një frikë në Europë se në mënyrë hipotetike në Europë do të ketë një valë të madhe shqiptarësh apo boshnjakësh që do të vijnë?

Nuk dua të them që është një frikë hipotetike, por kjo është e justifikuar. Në fillim të vitit ne u ballafaquam me një valë maqedonasish që kërkonin azil politik me liberalizimin e vizave. Ata shkuan në Gjermani apo në Suedi dhe u keqpërdorën nga disa agjenci dhe ata njerëz nuk e dinin, por shkuan në konsullata dhe ata u kthyen mbrapsht.

Nëse dikush do të kërkojë azil pas këtij liberalizimi, çfarë do t’i ndodhte atij personi apo familjes së tij?

Ai ose ajo nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë azil politik sidomos jo për arsye ekonomike apo sociale. Kështu që në çdo rast ata do të kthehen mbrapsht. Dhe kjo mund të shkojë një hap më shumë dhe nëse ka shumë raste të tilla, atëherë disa shtete anëtare mund të vendosin viza sërish. Kështu që shtetet janë të informuara për këto probleme dhe shtetet duhet të dinë se si janë të implementuara këto kritere në praktikë.

Ju keni thënë që nga ky proces Kosova mund të jetë shumë e izoluar. A ka ndonjë shans që ky proces liberalizimi të nisë shpejt edhe për Kosovën?

Po, unë kam qenë edhe jam e interesuar për këtë. Që prej kalimit të vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën, Kosova do të jetë më e izoluar dhe ata mund të jenë të acaruar. Unë jam duke planifikuar për të shkuar në Kosovë, për të folur me autoritetet kosovare. Ne shumë shpesh jemi duke iu drejtuar Bashkimit Europian që të vendosin kritere të vërteta për Kosovën, sepse deri tani ky vend nuk është i përfshirë në këto kritere. Unë shpresoj që në fund të këtij viti të di më qartë sesi do të vazhdohet me Kosovën.

Ju jeni sllovene, bashkëshorte, gazetare, socialiste dhe anëtare e Parlamentit. Cila prej këtyre elementeve është më e rëndësishme për ju?

Nuk jam e sigurt nëse mund t’ju jap një përgjigje të saktë. Mendoj se të gjitha janë të rëndësishme. Por mund të them se e dua shumë punën time dhe adrenalinën e saj. Ndonëse jam gjatë gjithë kohës në lëvizje, mund të them që gjej kohë për familjen dhe për miqtë e mi.

Si të gjithë mysafirët që vijnë këtu ne kemi një kolltuk, ku duhet të nënshkruash për të kujtuar se keni qenë këtu. Ne jemi shumë larg, por satelitët e “Top Channel” na bëjnë të dukemi sikur jemi shumë afër. A mund të na jepni një autograf?

Unë sugjeroj që sigurisht shumë shpejt do të vij në Shqipëri dhe do të vij gjithashtu në televizionin tuaj, pra do ta jap autografin më vonë.