e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dosja e 21 janarit ne gjyq: Ndrea Prendi per vrasje, bien akuzat ndaj 9 gardisteve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dosja e 21 janarit ne gjyq: Ndrea Prendi per vrasje, bien akuzat ndaj 9 gardisteve
Prendi e Llupo akuzohen për vrasje, Margarit Kume e Armando Kasaj për “pengim në zbulimin e së vërtetës”
Në Gjykatë vetëm katër të pandehur, vrasja e Aleks Nikës në hetim.

Nëntë gardistë të akuzuar për një vit radhazi se kanë qëlluar 131 herë me armë në drejtim të protestuesve të 21 janarit mungojnë në dosjen penale për këtë ngjarje të dorëzuar dje pas orarit zyrtar nga Prokuroria në Gjykatën e Tiranës.

Një vit e tre muaj pas ngjarjeve para Kryeministrisë, Prokuroria ka vendosur të pushojë akuzën për gardistët e “Grupit të Zjarrit” dhe komandantët e tyre, edhe pse në shkurt të vitit 2011 u kërkua që gardistët në fjalë të arrestoheshin. Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë dje nga zyra e kryeprokurores Ina Rama, thuhet se hetimet në ngarkim të efektivave të Gardës së Republikës, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agrom Malaj, Gazmen Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli, u pushuan në datën 20 prill 2012. “U provua se ata kanë qëlluar me armë më 21 janar, por nuk u gjetën predhat dhe nuk u provua që të kenë sjellë pasoja”, thanë burimet e Prokurorisë dje teksa shpjegonin pushimin e hetimeve për nëntë gardistët.

Akuza, kthesë 180 gradë

Prokuroria, një vit më parë kur kërkoi arrestimin e gjashtë anëtarëve të “Grupit të Zjarrit”, ka pasur një pikëpamje krejt tjetër në lidhje me ngjarjen, duke i akuzuar gardistët tashmë pa akuzë, se kishin qëlluar në drejtim të turmës. “Sipas masave të përpiluara nga njësia speciale e Gardës së Republikës dhe e miratuar nga Komanda, një grup gardistësh do të ishte në gatishmëri për hapjen e zjarrit në rast të çarjes së kordonëve mbrojtës në krahun e hyrjes së ministrave. Rreth orës 16:00, nga efektivat e Gardës është qëlluar me armë në ajër dhe në drejtim të demonstruesve, duke shkaktuar pasojat që u përmendën. Në vendin e ngjarjes janë gjetur e sekuestruar me cilësinë e provës materiale 131 gëzhoja të kalibrit 9 mm. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes së datës 29.01.2011, ka dalë se në gardhin metalik të Kryeministrisë ka shumë shenja predhash në distancë afër tokës, gjë që tregon se nga ana e grupit të gardistëve, është qëlluar me armë në drejtim të demonstruesve. Gardistët kanë deklaruar se kanë qëlluar me armë në ajër, por nga pamjet filmike dhe deklarimet e dëshmitarëve okularë, rezulton se kanë qëlluar në drejtim të demonstruesve”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e gardistëve të “Grupit të Zjarrit”, kërkesë e cila u rrëzua nga gjykatat.

Katër të pandehur në gjyq

Fashikulli hetimor i 21 janarit është dorëzuar dje në Gjykatë me katër të pandehur. I akuzuari kryesor është ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, që akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, pasi bazuar në akt-ekspertimin e FBI, datë 5 janar 2012, arma e tij ka dalë se ka vrarë Faik Myrtajn. I akuzuari i dytë është Agim Llupo, me detyrë shef i Shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, i pandehur për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, ndaj shtetasit Ziver Veizi dhe plagosjen e shtetasit Erald Bisha dhe gazetarit Fatos Mahmutaj. I akuzuari i tretë është Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, ndaj të cilit u ngrit akuza për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai akuzohet se ka dhënë armën e tij në magazinën e Gardës ku është bërë ndryshimi i tytës së pistoletës që ai ka përdorur me armën e Ndrea Prendit, me të cilën ishte vrarë Faik Myrtaj. I akuzuari i katërt është Armando Kasaj, me detyrë specialist i IT-së në Këshillin e Ministrave”, ndaj të cilit u ngrit akuza për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ai akuzohet se ka fshirë filmimet e 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë.

    Dosja “21 Janari”
    Të akuzuarit

    Ndrea Prendi,
    akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”
    Agim Llupo, “vrasje në rrethana cilësuese”
    Margarit Kume, “veprime që pengojnë zbulimin
    e së vërtetës”
    Armando Kasaj, “veprime që pengojnë zbulimin
    e së vërtetës”

    Pushohet hetimi për gardistët

    Dashamir Shehi
    Alfred Ahmetcenaj
    Altin Kollçinaku
    Fatos Bushati
    Aleksandër Deda
    Agron Malaj
    Gazmend Ahmetaj
    Sadik Çela
    Mark Nikolli

    Vazhdon hetimi

    për vrasjen e Aleks Nikës
    Plagosjen e demonstruesve
    Artes Dybeli
    Ilia Qesko
    Ilia Papa

Akuza e Prokurorisë në 2011
“Nëntë gardistët qëlluan turmën”

TIRANE – Qëndrim të ndryshëm nga rrëzimi i akuzave në fund të hetimit, Prokuroria ka mbajtur edhe në kërkesën që i ka drejtuar Gjykatës për arrestimin e Ndrea Prendit. “Nga këqyrja e datës 29 janar 2011, në pjesën e gardhit të Kryeministrisë, rezulton se në gardhin metalik ka shumë shenja predhash në distancë të ulët nga toka, të cilat tregojnë se është qëlluar me armë në drejtim të turmës. Shenja predhash në distancë të ulët nga toka ka edhe te porta e jashtme nr.1 e Kryeministrisë.

Shenja të qarta predhe janë fiksuar edhe te vendroja afër derës dhe te porta e vogël pranë kësaj dere, ku rezulton se është qëlluar me armë në drejtim të turmës”, thuhej në kërkesën, e cila nuk fajësonte vetëm Prendin, por edhe “Grupin e Zjarrit”, kur pohonte se “rreth orës 16:00, më 21 janar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të demonstruesve nga efektivat e Gardës, Agim Llupo, Agron Malaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta shtetas kanë qenë nën komandën e personit në hetim, Alfred Ahmetcenaj. Në kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e një tjetër gardisti në vitin 2011, konkretisht Sadik Çela, thuhej se “rezulton e provuar se gjatë zhvillimit të tubimit është ushtruar dhunë nga shumë pjesëmarrës me mjete të forta rrethanore të rrezikshme për jetën dhe shëndetin; po kështu pas përfundimit të demonstratës ka rezultuar se kanë mbetur të vrarë tre demonstrues e pikërisht shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Hekuran Deda, ndërsa disa ditë më vonë ka vdekur në spital (në Turqi) shtetasi Aleks Nika.

Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e këtyre shtetasve gjatë demonstratës ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të të gjithë armëve të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik”.

Afatet: U mbyll më 20 prill, dosja dje në Gjykatë

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi dje se dosja penale e 21 janarit ishte dorëzuar në Gjykatë në datën 20 prill 2012, mirëpo një e dhënë e tillë nuk është e saktë. Kjo pasi në përfundim të hetimeve, dosja është dashur të qepet e të përgatitet për t’u dorëzuar fizikisht në Gjykatë. Mësohet se grupi hetimor i 21 janarit ka dalë në punë ditën e shtunë dhe të diel të fundjavës që lamë pas dhe ka punuar për të përgatitur dosjen penale, me qëllim dorëzimin e saj në Gjykatë. Shkresat e dosjes të qepura janë dorëzuar fizikisht dje në Gjykatën e Tiranës pas orës 16:00 edhe pse mbyllja e hetimeve ishte shënuar se ishte bërë në datën 20 prill 2012. Tashmë, pritet që gjykata të hedhë shortin përcaktues të gjyqtarëve e më pas të hapë procesin.

3 te plagosurit

Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme thuhej dje se pas dërgimit të dosjes në Gjykatë për katër të akuzuar dhe pushimit të akuzës për nëntë gardistë, është mbajtur në hetim edhe ajo pjesë e dosjes e cila flet për plagosjen e demonstruesve të quajtur Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. Sipas organit të akuzës, nga hetimet e deritanishme nuk ka qenë e mundur që të zbuloheshin autorët e plagosjes së këtyre personave. Në demonstratën e 21 janarit kanë mbetur të plagosur 6 persona, të cilët kanë qenë të pozicionuar pranë Kryeministrisë nga krahu i urës së madhe të Lanës.

Aleks Nika

Vrasja e Aleks Nikës më 21 janar 2011 ka mbetur e pazbardhur në përfundim të hetimeve të Prokurorisë në lidhje me këtë çështje. Për shkak të dëmtimeve, predha që është gjetur në kokën e të riut nga Lezha, nuk është arritur të identifikohet nga ekspertiza me ndonjë prej armëve të gardistëve. Prokuroria deklaroi dje se i ka mbajtur në hetim aktet e dosjes në ngarkim të Aleks Nikës. Sipas burimeve zyrtare mësohet se për zbulimin e autorëve të vrasjes së këtij personi, është kërkuar të bëhet një ekspertizë e dytë me qëllim zbulimin e autorit të ekzekutimit.