e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dorezohet vraresi i Komisarit te Shijakut, policia: Tahiraj u qellua me pistolete

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dorezohet vraresi i Komisarit te Shijakut, policia: Tahiraj u qellua me pistolete
Policia ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e Komisarit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, ngjarje e cila ndodhi në fshatin Sukth Katund. Ilir Xhakja është dorëzuar në fshatin Shenavlash ku ishte strehuar.

Policia e ka identifikuar në rrugë operative vendin ku Xhakja kishte gjetur strehim dhe i është bërë një rrethim pa asnjë rrugëdalje për të. Në këtë situatë është negociuar dhe më pas është bërë edhe dorëzimi i tij, veprim i cili ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme.

Bashkë me arrestimin e tij të është siguruar edhe arma me të cilin ai dyshohet të ketë qëlluar mbi Komisarin e Policisë së Shijakut, Tahiraj.

Policia ka zbardhur versionin zyrtar të ngjarjes duke bërë të ditur se komisari i policisë është qëlluar me pistoletë të llojit “Glok” nga Xhakja. Ky veprim i tij ka ardhur pasi policia ka kërkuar që të bëjë shoqërimin e nipit të tij. Ndërkohë mësohet se Tahiraj nuk ka qenë i vetëm në operacion por ai ishte i shoqëruar nga forca të policisë së Komisariatit Durrës. Për këtë çështje ka pasur një debat mes kryepolicit dhe Xhakes, dhe ky i fundit më pas ka qëlluar pesë herë në drejtim të Tahirajt.

Ndërkohë nga Ministria e Drejtësisë pritet të ngrihet një grup inspektimi që do hetojë gjyqtarët që kanë firmosur lirimin e Xhakës. Gjykata e Lartë e ka rrëzuar në vitin 2009 dënimin e Ilir Xhakjas me 21 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda duke e kthyer për rigjykim. Me ndryshimet në Kodin Penal, gjykimin e kësaj çështja i kaloi Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila e shpalli të pafajshëm Xhakën.

Nishani: Të zbardhet sa më shpejt ngjarja

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shprehur hidhërim për vrasjen në krye të detyrës të Kryekomisar Adem Tahiri dhe i ka përcjell familjes ngushëllimet. Nishani e konsideron vrasjen e Tahirit një “akt të rëndë kriminal ndaj forcave të rendit”. Presidenti u ka kërkuar të gjitha strukturat shtetërore që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët e saj.

“Pavarësisht egërsisë dhe pabesisë që mund të shfaqin krimi dhe kriminelët, nuk do të munden ta thyejnë forcën e shtetit dhe ligjit, nuk do të munden ta përkulin kurajën dhe trimërinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, nuk do të munden t’i shpëtojnë ndëshkimit të drejtësisë. Në këtë moment solidarizimi u bëj thirrje të gjithë vajzave dhe djemve që shërbejnë në forcat e policisë të qëndrojnë akoma më fort në betejën e tyre me krimin. Në krah të tyre është i gjithë populli”, shprehet Nishani.

Klani mafioz "Xhakja" ekzekuton Kryepolicin e Shijakut

Katund-Sukth-Shijak, në këtë rrugë ekzekutohet me breshëri kallashnikovi kryekomisari i Policisë, Adem Tahiri. Rrethanat janë ende të paqarta, ndërsa autori i vrasjes është identifikuar menjëherë. Policia ka shpërndarë në pak minuta emrin e vrasësit, që për ta rezultonte të ishte pikërisht i shumëpërfoluri për një sërë krimesh të rënda, Ilir Xhakja. Ai kryeson një klan që funksionon pre vitesh dhe rezulton i paprekshëm nga policia dhe drejtësia.

Ngjarja

Ekzekutimi ka dëshmitarë të shumtë, ndërkohë që deri orëve të mesnatës autori bashkë me kushëririn e tij, një tjetër emër shumë i njohur dhe me nipin, që mësohet se është edhe pikënisja e kësaj ngjarjeje të rëndë, vijojnë të jenë të lirë. RENEA dhe disa skuadra të tjera policore, të specializuara për ndërhyrje dhe neutralizim të personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, janë instaluar në zonë.

Në krye të drejtimit të operacionit gjenden krerët e Policisë së Shtetit dhe të Durrësit, ndërsa për hetimin e ngjarjes janë nisur edhe prokurorët e Krimeve të Rënda. Gjithë vendi pas orës 18.10 minuta është kthyer në një shtet-rrethim, ndërsa kolegët e të ndjerit në të gjithë vendin janë lajmëruar për identitetin e autorit qëka vrarë shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahirin. Vrasja Një breshëri arme në vendin që prej thuajse 10 vitesh nuk dëgjoheshin në atë orë, ka bërë që banorë të zonës të zgjasin kokën përtej dyerve të banesave të tyre.

Plumbat kanë kapur edhe dy persona të tjerë, ndërsa mbi 7 plumba janë derdhur në trupin e shefit të komisariatit të Shijakut. Adem Tahiri, 49 vjeç, i cili drejtonte këtë komisariat policor prej rreth një viti ka mbetur i pajetë në vend, ndërkohë që në ngjarje kanë qenë të pranishëm edhe dy persona të tjerë. Sipas të dhënave të policisë, dy të plagosurit, që për fat janë jashtë rrezikut për jetën, janë nisur për në spitalin e Durrësit, ndërsa kryekomisari ka mbetur i vdekur në vend. Autorët që fillimisht nuk është kuptuar se kush ka qëlluar, janë larguar me një makinë, ndërsa mjetin tjetër e kanë lënë në vendin e ngjarjes. Vrasja ndodhi në rrugën që mund të konsiderohet edhe si pronë e fisit Xhakja në Katund-Sukth.

Policia

Policia e Durrësit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pa u marrë me rrethanat, ka mësuar autorësinë, emrin proverbial të sherreve të rënda në zonën e Shijakut që prej 20 vitesh. Sinjalizimi për ndalimin e Ilir Xhakjes shpërndahet në të gjitha drejtoritë e qarqeve, ndërkohë nis pu-na për bllokimin e të gjitha daljeve nga zona, nga Durrësi dhe kontrollohen rreptësisht pikat kufitare. Policia e Durrësit, me të mësuar emrin e ka patur të qartë rrezikshmërinë e personit që kanë shpallur në kërkim. Rreth 30 minuta pas ngjarjes, në drejtim të Durrësit nisen ekspertët e Krimeve të Rënda, si nga policia ashtu edhe nga Prokuroria, ndërsa në ndihmë të krerëve të policisë së Durrësit shkojnë edhe drejtuesit e Policisë së Shtetit. Zyrtarisht hidhet dritë mbi pak fakte që kanë çuar në vrasjen e ish-efektivit të policisë prej 20 viteve, personit që qëndroi për një kohë të gjatë në skuadrën operacionale GOS, dhe së fundmi, kryepolicin e zonës së Shijakut, ku edhe dha jetën pasditen e djeshme.

Dyshimi

Referuar të dhënave të para të policisë që kanë shoqëruar ekzekutimin e kryekomisarit Adem Tahiri, bëhet me dije se kryepolici i Shijakut gjendej në një post-bllok për kontroll automjetesh. Nga makina e ndaluar është qëlluar mbi të me armë dhe ka humbur jetën në vend. Ndërkohë që policia e Shtetit ka vijuar me dhënien e informacioneve edhe orëve të vona të së djeshmes ndërsa nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi mënyrën e ekzekutimit dhe të shkaqeve të vrasjes së rëndë. Pas të dhënave nga vendi i ngjarjes, referuar edhe dëshmive të shumta që kanë parë dhe dëgjuar krismat e armës, versioni i ngjarjes është mbetet i mjegullt. Megjithëse gjithë Policia e Shtetit gjendet në zonën e Sukthit, operacionet janë ndaluar sapo ka rënë errësira, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Dyshimi

Shefi u grind me nipin e autorit

Ngjarja e rëndë në të cilën mbeti i pajetë kryekomisar Adem Tahiri, nga Kërrnaja e Tropojës, vjen në dy versione të ndryshme. Policia ka mbajtur si version faktin që shefi i komisariatit të Shijakut gjendej në një operacion për ndalimin dhe kontrollin e makinave me targa të huaja dhe pikërisht nga një automjet i tillë është qëlluar me armë zjarri. Mirëpo referuar të dhënave të tjera, që vijnë nga burime policore në vendin e ngjarjes, bëhet me dije se kryepolici i Shijakut ka qenë i shoqëruar me shoferin e tij dhe me një oficer të komisariatit. Nuk dihet ende arsyeja e të qëndruarit në atë rrugë, mirëpo sipas burimeve të policsë, bëhet e ditur se efektivët, kanë qenë me pa automjet policie dhe janë konfliktuar pikërisht me nipin e Ilir Xhakjas, Ledion Krasniqin.

Debati mësohet se ka qenë i ashpër mes 18-vjeçarit Krasniqi dhe Tahirit. Dyshohet që pas këtij debati, që nuk dihet se përse është bërë, Krasniqi ka telefonuar dajën e tij, Ilirin dhe dyshohet se e ka lajmëruar për sherrin mestij me komisarin. Ky i fundit ka mbërritur në vendin e ngjarjes i shoqëruar me kushëririn e tij Arbenin dhe djalin e xhaxhait me një automjet tjetër, i cili është gjendur e braktisur dy orë pas vrasjes. Sipas dëshmive në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se Ilir Xhakja, ka nxjerrë armën automatike nga xhami i makinës dhe ka qëlluar mbi kryekomisarin pa zbritur nga automjeti i tij. E ka lënë të vdekur në vend dhe janë larguar. Në largim e sipër kanë marrë me vete edhe 18-vjeçarin Krasniqi për të mos u ndaluar nga policia deri në orët e para të së sotmes.

 Ilir Xhakja, 20 vitet e aktivitetit kriminal

Janë shpallur në kërkim Ilir Xhakja dhe Ledion Krasniqi, të dyshuar për vrasjen e kryekomisarit. Kush është Xhakja, pse përbën rrezik për policinë. Ilir Xhakja është 38 vjeç, i lindur dhe i rritur në Katund- Sukth. Aty përveçse ka jetuar mësohet se ka kryer edhe disa prej akteve më të njohura kriminale, ndërsa ia ka hedhur paq me drejtësinë që kur ka nisur aktivitetet e tij, I mbështetur edhe nga njerëzit e fisit dhe të klaneve të tjera kriminale në Shijak.

Referuar të dhënave të shumta që vijnë në emër të 38-vjeçarit mësohet se ndër të tjera, mbi të rëndojnë akuzat e dy vrasjeve, paçka se asnjëra nuk iu vërtetua ndonjëherë, edhe pse gjykata lëshoi masa dënimi deri në 25 vite burg, njëherë për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998 dhe më pas për vrasjen e Rubin Shahinit. Gjykata Kushtetuese e ktheu për rigjykim dhe më pas doli i pafajshëm. Sido që, hetimi, gjykimi, mbrojtja, dënimet e njëpasnjëshme u dhanë në mungesë derisa në vitin 2007 RENEA ndërhyn dhe e vë në pranga. Policia e shtetit aso kohe e përcolli me bujë të madhe arrestimin e atij që konsdierohej si “tmerri” i Shijakut.

U tha se me vendim gjykate rezulton të jetë i dënuar me 25 vite burg, por më pas ai u dënua për armëmbajtje pa leje dhe se pas përfundimit të dënimit ai ka fituar lirinë. Emri i tij është lakuar krejt pak pas zgjedhjeve të vitit 2005, kur emri i Xhakjas thuajse u përmend si kapoja i krimit të organizuar që do të kryente mbështetje të fuqishme për fushatën e PD-së. Ndaj tij u hartua një skedë kriminale me një sërë krimesh për vrasje, trafik prostitucioni si dhe të trafikut të heroinës dhe të kokainës. Policia asnjëherë nuk e shpalli në kërkim emrin e të rrezikshmit të Shijakut, ndërsa në kohën e arrestimit të tij u mësua për herë të parë se Xhakja qëndronte në Durrës.

 Sipas të dhënave që disponon policia e Durrësit dhe ajo e Shtetit, bëhet me dije se Xhakja ka marrë pjesë në vrasjen e Malokut në Korrikun e vitit 1998, ndërsa prokuroria dhe Gjykata për krime të Rënda nuk mundën ta faktonin për shkak të dëshmive që saktësuan se autori i dyshuar i prokurorisë në atë kohë gjendej në Gjermani sepse ai ishte i martuar menjë shtetase gjermane. Në favorin e tij dëshmuan edhe dy punonjës të policisë së zonës, pra mundi të dilte i pa prekur nga ajo ngjarje. Atëherë u tha se në të vërtetë, Xhakjat vepronin si një klan dhe kishin në përbërjen e tyre edhe persona të tjerë mjaft të rrezikshëm, ndërsa u akuzua dhe u dënua për vrasjen e Rudin Shahinit.