e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Dajti nis historine e Tropojes, por pengohet nga gjykata

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Dajti nis historine e Tropojes, por pengohet nga gjykata

Sikundër pati premtuar një seancë më parë, Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve nisi dje rrëfimin e tij për implikimin e një zyrtari të lartë në vrasjen e punonjësve të policisë në Tropojë. Duke iu drejtuar kryesuesit të seancës, që asokohe ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Tropojë, Dajti tha: “Ju e dini se çfarë ka ndodhur në Tropojë në vitin 1997”. Por deklarata e tij u ndërpre nga gjyqtari me argumentin se kjo deklaratë nuk ka lidhje me çështjen objekt gjykimi.

Ndërsa i pandehuri Dritan Dajti ka tentuar të vazhdojë duke thënë se mban përgjegjësi për deklaratat që ai vetë bën. Pas ndërhyrjes së gjykatës ai është larguar nga salla e gjyqit duke replikuar me anëtarët e trupit gjykues. “Nëse ju ndodh diçka nuk e keni nga Dritan Dajti, por nga A. M”- tha Dajti duke ju referuar zyrtarit të lartë të policisë të cilin ai e akuzon për përfshirje në vrasje.

Dajti gjithashtu ripërsëriti kërkesën drejtuar gjykatës për ballafaqimin me punonjësin e policisë, F. G. i cili ka qenë dëshmitar në këtë proces. Sipas Dajtit ky person është autori i vrasjes së kolegut të tij Saimir Duçkollari i cili mbeti i vrarë në atë që njihet si masakra e Durrësit në vitin 2009. Edhe pse kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata Dajti insistoi duke thënë se duhet t’i bëjë disa pyetje dëshmitarit F.G. Por pas rrëzimit të kërkesës i pandehuri duke iu drejtuar gjykatës ka deklaruar:  “Gjykata ka frikë nga hapja e kutisë së Pandorës”. 

Me këtë shprehje ai i referohet të vërtetës së tij për atë që ndodhi më 7 gusht të viti 2009 ku mbetën të vrarë katër punonjës policie gjatë arrestimit të Dritan Dajtit si person i shpallur në kërkim për vrasjen e një biznesmeni. Pas deklaratave në seancën e djeshme trupi gjykues vendosi të shtyjë procesin ndaj Dritan Dajtit për në shtator të këtij viti, pas pushimeve verore të gjykatës. Prej më shumë se një viti procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vrasjen e katër policiëve ka mbetur pezull pasi asnjë prej avokatëve të caktuar kryesisht nga gjykata nuk merr përsipër mbrojtjen e Dajtit.