e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

CD- te me numerimin e votave, prova e re e PS ne Kolegj

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
CD- te me numerimin e votave, prova e re e PS ne Kolegj
Partia Socialiste synon rivotimin në Tiranë dhe për këtë objektiv strategjia është bërë gati. I vetmi detaj që do të caktohet në orët e ardhshme është nëse do të ketë një ankimim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo do të kalohet direkt në Kolegjin Zgjedhor. Me qëllim faktimin e pretendimeve të tyre socialistëve do t’i shërbejë edhe një proces hetimi prej dy javësh që ka të bëjë me skanimin e pamjeve filmimeve të të gjitha qendrave të numërimit të votave në Tiranë. Këto CD me filmime të konsideruara si një “as nën mëngë” pretendohet se faktojnë mos rakordim mes numrit të votave të shfaqura në ekranet e filmimit dhe atyre të shënuara në procesverbale. Më tutje përmes tyre mund të faktohet edhe mos rakordimi në nivel tabele përmbledhëse për rezultatin në Bashkinë e Tiranës. Për të kundërshtuar tabelën e miratuar të shtunën në KQZ opozitarët duhet të depozitojnë padinë brenda ditës së nesërme në këtë institucion. Në rast se do të ndiqet rruga e Kolegjit atëherë afati në dispozicion të socialistëve do të jetë dita e enjte.

Pikësynimi i selisë rozë është të vërë në jetë nenin 160 dhe atë 161 të Kodit Zgjedhor që flasin konkretisht për pavlefshmërinë dhe rivotimin. Në nenin 160 thuhet se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjekteve zgjedhore, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në një apo më shumë qendra votimi, në rast se ndër të tjera ka pasur edhe shkelje të ligjit. Subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi. Kërkesa për shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve duhet të përmbajë shkaqet ligjore, përshkrimin e rasteve të shkeljeve dhe arsyetimin e detajuar për pasojën e tyre. Kodi thotë se pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi.

Në gjuhën ligjore të përcaktuar në Kod, konsiderohet ndikim në ndarjen e mandateve kur numri i zgjedhëse, që kanë votuar apo mund të kishin votuar në qendrën apo qendrat e votimit të shpallura të pavlefshme, është i barabartë ose më i madh se numri i zgjedhësve të nevojshëm për caktimin e një mandati në zonën zgjedhore përkatëse. Juristët e Partisë Socialiste do të tentojnë që me provat që do të paraqesin të faktojnë elementë të pavlefshmërisë së disa qendrave të votimit në Bashkinë e Tiranës. Siç përcakton Kodi do të mjaftonte pavlefshmëria edhe vetëm në një qendër votimi numri i zgjedhësve në të cilën kalon diferencën prej 95 votash mes Bashës dhe Ramës që të shkaktohej pavlefshmëri dhe rivotim në rang Bashkie. Argumenti tjetër i socialistëve por që gjithnjë shkon në funksion të këtij objektivi ka të bëjë me provat tanimë edhe publike të asaj çka u cilësua cenim i integritetit të kutive të votimit që u hapën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.