e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha, trendafila deputeteve te PS per Shen Valentin, Ligori: Duhej me 8 mars

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha, trendafila deputeteve te PS per Shen Valentin, Ligori: Duhej me 8 mars
Kryeministri u dhuron trëndafila grave të Kuvendit për Shën Valentin.
Ligori: Dhurata do kishte simbolikë në ditën e nënës.

Kryeministri Berisha ka uruar deputetet e Kuvendit të Shqipërisë në festën e Shën Valentinit. Stafi i Kryeministrit ka çuar në Kryesinë e Kuvendit nga një trëndafil për deputetet femra të maxhorancës dhe opozitës. Ka qenë administrata e Kuvendit që ka lajmëruar deputetet për këtë gjest simbolik të kreut të maxhorancës, i cili duket se dhe në momente të vështira që po kalon vendi, nuk ka harruar të shprehë anën njerëzore të tij për të uruar gratë deputete në një ditë që festohet nga e gjithë bota. Por deputetet socialiste, të befasuara nga dhurata e bërë nga kreu i maxhorancës, nuk janë treguar entuziaste, madje e kanë komentuar në mënyra të ndryshme.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Median, Valentina Leskaj, e cilësoi të papërshtatshme këtë dhuratë të Kryeministrit, duke u fokusuar në situatën e rëndë që po kalojnë banorët e zonave të bllokuara nga dëbora. “Sot që është qameti i dëborës në veri të vendit, kur një familje po hante kokrrat e fundit të misrit, është e tepërt të komentoj trëndafilat e Kryeministrit për Shën Valentin”, u shpreh anëtarja e Kryesisë socialiste, Leskaj.

Ndërsa deputetja tjetër socialiste, Shega Ligori, e cilësoi dhuratën e Kryeministrit të papërshtatshme për ditën që është bërë. Sipas saj, dita në të cilën Kryeministri mund të bënte një dhuratë të tillë është 8 Marsi, festa e nënës dhe gruas. Por Ligori shprehet gjithashtu se dëshiron ta shohë këtë gjest të Kryeministrit si reflektim për të ardhmen e sjelljes së tij në Parlament ndaj grave deputete. “Këtë dhuratë të Kryeministrit nuk e di nëse do të mund ta konsideroj si një akt reflektimi të sjelljeve të tij aspak dinjitoze ndaj grave në politikë, sepse nga goja e tij kanë dalë shumë fyerje dhe shpifje në Parlament.

E konsideroj një dhuratë jo në ditën e duhur. Trëndafilat mund të ishin të denjë dhe simbolikë për festën e nënës dhe gruas”, u shpreh deputetja socialiste, Shega Ligori. Mësohet se deputetet socialiste nuk kanë shkuar në Kryesinë e Kuvendit për të marrë dhuratën e bërë nga Kryeministri. Ndërsa nga ana e deputeteve demokrate, edhe ato që nuk janë gjendur në Tiranë, kanë çuar njerëz të tyre për të marrë këtë dhuratë simbolike të kreut të maxhorancës në Ditën e Shën Valentinit.

    Institucionet  Deputetet e PD
   
.    Jozefina Topalli
.    Majlinda Bregu
.    Lajla Pernaska
.    Arenca Trashani
.    Adriana Gjonaj
.    Albana Vokshi
.    Mesila Doda
.    Rajmonda Bulku
.    Paulina Hoti
.    Ledina Aliolli

Deputetet e PS
  
.    Arta Dade
.    Eglantina Gjermeni
.    Enkelejda Shkreli
.    Paulina Hoxha
.    Ermonela Felaj
.    Klodiana Spahiu
.    Luiza Xhuvani
.    Mimi Kodheli
.    Olta Xhaçka
.    Shegush Ligori
.    Valentina Leskaj
.    Vasilika Hysi