e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha replike me Lubonjen: Ka rene nga antiglobalizem per llogari te Edi Rames

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha replike me Lubonjen: Ka rene nga antiglobalizem per llogari te Edi Rames
Edhe pse dy ditë më vonë nga botimi i shkrimit të publicistit Fatos Lubonja për hidrocentralet në vend, kryeministri Sali Berisha përmendi dje enkas në fillim të mbledhjes së qeverisë një vendim “Për përcaktimin e autoritetit kontratues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve ‘Qarr’ e ‘Kaltanj’”, për të shprehur zemëratën e vet ndaj përmbajtjes së këtij shkrimi dhe vetë Lubonjës. “Vitin që vjen nis projekti hidroenergjetik ndër më të mëdhenjtë në Europë, Kaskada e Devollit me rreth 1 miliard euro investim. Pra, nisma “Shqipëria superfuqi e vogël energjetike në rajon po bëhet çdo ditë e më shumë realitet. Ëndrra e Shqipërisë superfuqi energjetike të energjisë së rinovueshme në rajon po bëhet çdo ditë e më e vërtetë. Edhe këtu nuk ka sesi të mos kemi qëndrime të bazuara tërësisht në keqdashje dhe zilira. Mund të imagjinoni ju që një nga eksponentët me kryesorë të opozitës shkruante Hidrocentralizmi i Berishës.

Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marrë, sillte si shembull Ashtën, e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës nuk ka fatkeqësi më të madhe. Sepse ai i lufton koncesionet dhe ai i zhvillonte teorinë e hidrocentralizmit”, – tha dje Berisha.

Lubonja

Ditën e hënë, në të përditshmen “Panorama”, publicisti Fatos Lubonja në një shkrim të tijin me titull “Hidrocentralizimi i Shqipërisë” trajtonte çështjen e hidrocentraleve, ku sillte në vëmendje shembullin e hidrocentralit të ngritur në plazhin e Bunecit, duke e cilësuar një katastrofë për ambientin. Lubonja ndër radhë shkruante: “Shikoni foton që po i bashkëngjis këtij shkrimi. E kam bërë në një nga gjiret më të bukur të Jugut tonë, atë të Bunecit, para ndonjë viti.

Kur e pashë për herë të parë, nuk po isha në gjendje të kuptoja se çfarë qe ajo si digë e madhe që kishte betonizuar e çimentizuar një pjesë të madhe të atij plazhi. Ishte pamje krejtësisht absurde, sepse nuk dukej as si ndërtim pallati. Pastaj u informova dhe më thanë se ai ishte një hidrocentral. Po, po, një hidrocentral! Shikojeni me vëmendje foton.

Në mes të digës duket edhe kanali nëpërmjet të cilit derdhen ujërat e hidrocentralit direkt në det”- shkruante Lubonja.“E pra, sado i lajthitur të jetë Doktori, – vazhdonte më tej Lubonja, – nuk mund të mos e shohë se kjo është një katastrofë për ambientin, për turizmin, për peizazhin, për të mos thënë një çmenduri e vërtetë”. Lubonja shkruante se me projektin e hidrocentralizimit po ndodh e njëjta gjë ashtu si me industrinë e ndërtimit të banesave, apo ashtu si me ndërtimin e karburanteve.

Replika

Në anën tjetër, Berisha vijoi më tej: “Mund t’u them edhe një gjë tjetër këtu, këtyre mjedisorëve, pa mjedis. Cila energji është më e shëndetshme për njeriun? Është energjia e rinovueshme. Sepse pa energji nuk mund të qëndrojmë dot. Ata flasin si një i njohuri i imi, i cili ka katër shtëpi dhe flet kundër ndërtimeve. Shkruan artikujt të tërë kundër ndërtimeve dhe për vete ka 4 banesa në katër shpatullat e Tiranës.

U ndala këtu për të theksuar edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka që ëndrrën për një Shqipëri superfuqi energjetike në rajon po e bëjmë gjithnjë e më shumë realitet dhe do ta bëjmë. Shumë shpejt ne do të hartojmë një platformë të re për microhec, ato të nivelit më të vogël. Këtë pasuri Zoti ia ka dhuruar shqiptarëve dhe ne do të bëjmë çdo gjë për ta shndërruar në vlerë për ta.”