Berisha mes joshjes se shqiptareve dhe trazimit te nderkombetareve
Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Shqiptarët e kanë dëshmuar se dashurinë në politikë e japin “lehtë” sa kohë që politikani është në pushtet. Më pas, me rënien nga pushteti, të gjithë ata shkojnë si me komandë, si të zgjuar nga gjumi, si një pendul gjigant ndjenje në kahun tjetër.
Shumëkund në Japoni. Një vit e gjysëm më parë, Japonia gati u gjunjëzua nga fuqia e verbër e cunamit që e goditi. Pamjet e ngjashme me fantazitë që përshkruajnë “The day after” ishin me tragjike edhe se vetë dita tjetër mbas ditës së fundme. Megjithatë, ndër fotot që dokumentuan tragjedinë, ishin dhe ato që paraqisnin qindra e mijëra japonezë që, në heshtje e në rregull, si pjestarë të ushtrisë më të disiplinuar në botë, qëndronin në rradhë për të marrë një shishe me ujë dhe një kokër mollë të shpërndarë nga qeveria si ndihmë. Uji në ato ditë të egra marsi, madje, ishte gati-gati vetë kufiri mes jetës e vdekjes, por dhe ajo nevojë jetike, nuk arrinte të prishte rreshtin e japonezëve të duruar e në heshtje.
Gjithkund në Shqipëri, edhe në zemrën e saj, Tiranë. Në ditën e Pavarësisë, një tortë gjigante e mundësuar nga Bashkia e Tiranës, me shije shege dhe ngjyrë të kuqe, e shndërroi turmën që priste ndarjen e saj, në instikt të verbër, pasion e epsh prej demi. Turma ju sul tortës me duar e dhëmbë dhe këmbë, me dërrasa e kusi dhe tepsi, me neps varfërie, me ngut padurimi, me klithmë urie. Torta meritonte një fat më të mirë.
Sepse edhe ata njerëz të tallur e të fyer gjithë këto ditë në botën virtuale të internetit të shqipove, padyshim meritojnë një fat më të mirë. Shumëkush nga njerëzit e asaj turme plot pasion, me siguri kanë provuar ëmbëlsisë për herë të fundit në fillimin e këtij viti; shumëkush e ka të shënuar emrin në listat ngjethëse të varfërisë për ushqim “veresie” në minimarketet e lagjeve; shumëkush ju vërvit tortës me idenë që ajo ishte e shtetit dhe në shtet rrjedh e nuk mbaron kurrë. Ndaj, për ata njerëz duhet mirëkuptim. Edhe pse nuk janë japonezë. Edhe pse si ballkanas, kulturën e durimit dhe të pritjes e kanë diku pranë zeros. Njëlloj si në anekdotën me fëmijën që qante në dasëm se donte dhe ai nuse: “E dua tani dhe e dua si jotja!”
Por ky është vetëm një detaj. Dita e 100 vjetorit të Pavarësisë, por dhe ditët që e paraprinë, dëshmuan nën një dritë të fortë çfarë jemi, nga vijmë dhe ku përgatitemi të shkojmë. Jemi jo ata që do të donim të ishim, nuk biem dakort se nga vijmë dhe aty ku shkojmë, nuk kemi garanci se do të bëhemi më mirë.
Çfarë jemi?
Kemi një shtet një shekullor, por nuk kemi shtetas. Kemi politikë 100 vjeçare, por nuk kemi politikanë. Kemi institucione në letër, por i kemi vite dritë larg sendërtimit të tyre real. Kemi qytetarë, por nuk kemi qytete. Po t’u besohet librave të shenjtë, e keqja do që të dalë po aq vjet sa ka hyrë. Sipas kësaj logjike, llogaritë me Shqipërinë ngatërrohen ligsht. Askush nuk mund të thotë se kur ka hyrë e keqja në këtë vend që të shënjojë se kur pritet që ajo të dalë. E megjithatë, nëse komunizmi do të merrej si fillesë, 20 vjetët e divorcit prej tij, por jo të fundit të bashkëjetesës me të, janë vërtet shumë. Festimet e inicuara nga qeveria, me mungesë fantazie dhe varfëri mendimi, ishin tipike komuniste. Bashkë me konfliktin që komunizmi dinte ta gatuante si pak ideologji të tjera në këtë botë.
Shpërthimi i valëve të kuptueshme të nacionalizmit në përvjetore të tillë ku bëhen bilance, buçimat e krenarisë që zakonisht ngrihet mbi përbuzjen e të tjerëve, kryesisht të pompuara në kahun nga lart poshtë, domethënë, nga qeveria tek qytetarët, krijuan atë atmosferë të gazit kolektiv dhe të lumturisë së detyruar sepse ishte detyrim që gjithkush të ishte i lumtur. Festat janë si fëmijët e porsalindur: në të gjitha rastet për ta thuhet se janë yje të bukur. Në rastin tonë, festa kombëtare na dëshmoi se çfarë jemi dhe si jemi në këtë kapërcyell shekulli të “lirë dhe të mosvarur”. Jemi ende në pikën ku mjafton çdo shkas për t’u bërë shkak për sherr. Dhe sherri zakonisht zbret nga lart poshtë. Nga tribunat politike në ato që quhen rëndom krime në familjë. Kësaj here, megjithatë, patëm fat. Një krim kolektiv që u premtua se do të ndodhte në rrugë – therrja e deshve dhe qengjave – u anullua në minutën e fundit. Duke na kursyer atë shfaqje barbarie, që edhe pa ndodhur, e bëri vendin gazin dhe habinë e botës.
Nga vijmë?
Historia është një nga pikat ku ende nuk kemi konsensus. Edhe për këtë segment hapjembyllje sysh në histori sa shënojnë 100 vitet pavarësi. Nëntori kaloi në disa stacione. Vlen së pari të rikujtohet tendenca për të anashkaluar Vlorën si epiqendër e festimeve – edhe pse kryeqyteti kishte qendrën e vet legjitime në to – thjesht dhe vetëm për shkak të një hesapi vetjak dhe inatçor të kryeministrit. Nuk mund të mos përmendet makiazhi i një sërë figurash të historisë, kryesisht në kurriz të së vërtetës historike dhe figurave të tjera që kanë bërë histori dhe tentativa e dukshme për të përdorur festën në funksion të politikës së ditës dhe si një prolog të fushatës së pritshme elektorale. Glorifikimi i Ahmet Zogut, i vetshpallur mbret dhe i larguar nga vendi si dezertor duke anashkaluar njeriun që mundësoi pavarësinë, Ismail Qemalin, ishte gjithashtu rrjedhojë e afërsisë shpirtërore dhe jo vetëm të tillë që kryeministri i sotëm ka nisur të ketë me të.
Po kështu, tendenca për rishikimin e historisë, një zeje shkencore që rishikimin dhe rishkrimin e saj e ka mjet pune, ishte vetëm dhe vetëm një rikujtesë e asaj çfarë Enver Hoxha e bënte në kohë të tjera për motive të njëjta, njëlloj si kryeministri i sotëm. Por dhe vetë diktatori komunist hynte në këtë lëmë me pak më shumë klas dhe modesti. Edhe pse në këtë përvjetor historianët ishin si kurrë më parë të pranishëm në publik, sërish yjet e festës ishin politikanët. Njëlloj si atëherë kur Hoxha vendoste që Haxhi Qamili ishte hero dhe historianët kërkonin të gjenin provat për të vërtetuar heroizmin dhe patriotizmin e fshatarit që “donte babën”. Ndaj sot në Tiranë, si statuja, nga njëri cep në tjetrin të kryeqytetit, i shkelin syrin njëri-tjetrit edhe vrasësi, edhe viktima.
Ku po shkojmë?
Momenti tjetër ishte vala e nacionalizmit. Që nuk e kishte spikamën e vet më të fortë në dekorin kuq e zi që mbuloi rrugët dhe pallatet, as tek hartat e Shqipërisë Etnike dhe shpërthimet meskine e shpesh provinciale të krenarisë kombëtare, por binte në sy sidomos në përdorimin e nacionalizmit si kartë për politikën e ditës. “...dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve. Të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre. U bëj thirrje fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve do të bëheni më të lirë, më të drejtë dhe shqiptarët janë të gatshëm për një bashkëpunim miqësor, afatgjatë, shekullor”. “Bashkimin? Bashkimin e trojeve shqiptare? Ndryshimin e hartës së Evropës?”
Jo! Berisha nuk kishte asgjë të tillë para sysh, por ai luajti një kartë që shërben si gur për të vrarë dy zogj. E para, duke ndjerë se fati i tij individual si politikan në Evropë po shkon drejt izolimit, ai po kërcënon me autoritetin e tij, kryesisht tribal, që ka mbi qendrat politike shqiptare përtej kufirit. Ai paralajmëron se çdo veprim i mundshëm ndaj tij mund të shoqërohet me destabilitet në këto qendra dhe e shpall veten si garant të status quo-së. E dyta, i kompleksuar nga dy forca të reja të djathta që kanë dalë në skenë, kryesisht nga nacionalizmi shpesh folklorik dhe i shtirur i AKZ-së, ai po kërkon të realizojë tranzicionin e tretë të figurës së tij vetjake; nga komunist ortodoks në antikomunist ekstrem për të mbërritur tek nacionalisti gjithashtu ekstrem.
Fundja, si kryekuzhinier i politikës në këto vite, ai di më mirë se kushdo tjetër se çfarë përtyp më mirë stomaku i votuesit të zakonshëm shqiptar. Sot, Berishën e trondit më shumë se gjithçka tjetër takimi i rradhës që ka me shqiptarët në qershorin e ardhshëm. Sot, ai ka arsye të jetë shqiptari më i trembur për të nesërmen e tij sepse e di që sot ai vetë lëkundet mes dy ndjesive të kundërta që shqiptarët i kanë rezervuar: është shqiptari më i adhuruar nga të tijtë dhe më i urryeri nga kundërshtarët e tij. Dhe shqiptarët e kanë dëshmuar se dashurinë në politikë e japin “lehtë” sa kohë që politikani është në pushtet.
Më pas, me rënien nga pushteti, të gjithë ata shkojnë si me komandë, si të zgjuar nga gjumi, si një pendul gjigant ndjenje në kahun tjetër: i bashkon të gjithë urrejtja! Kësaj i trembet Berisha që me humbjen e pushtetit, mund të fitojë vetëm përçmimin e bashkëkombësve të tij. Siç i ndodhi Enver Hoxhës 20 vjet më parë. Siç i ndodhi dhe dashurisë së tij të re në moshën e tretë, Ahmet Zogut.