e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Berisha fton Erdogan ne festen e 100-vjetorit te pavaresise

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Berisha fton Erdogan ne festen e 100-vjetorit te pavaresise
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i shoqëruar nga biznesmenë shqiptarë, nisi dje një vizitë zyrtare në Turqi. Në ditën e parë të saj nuk munguan takimet me krerët më të lartë të jetës politike turke, si Kryeministri Recep Tayip Erdogan, Presidenti Abdullah Gul dhe drejtuesi i Parlamentit turk, Cemil Çiçek. Gjatë takimit të ngrohtë me Erdogan, Berisha nuk nguroi ta ftonte Kryeministrin turk në Shqipëri me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, ironikisht festës së pavarësisë që vendi fitoi me shumë mundime nga Turqia otomane e një shekulli më parë. Por kënaqësia për këtë ftesë u shpreh edhe nga Kryeministri turk, i cili e uroi Berishën për këtë përvjetor të rëndësishëm.

Aq e ngrohtë ishte atmosfera e takimit të djeshëm, saqë Berisha theksoi se lidhja e shqiptarëve me turqit është vëllazërore dhe se dy vendet kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Berisha me batutë iu drejtua Kryeministrit turk, se nuk kishte dyshim se dhe ai kishte gjak shqiptar në dejet e tij. Përveç kësaj, mësohet se një temë kryesore në takimin tetë a tetë mes dy kryeministrave ishte edhe gazsjellësi TAP, për të cilin Erdogan theksoi se do të bënte të pamundurën që projekti të kalonte përmes Shqipërisë. Aleanca ekonomike dhe politike mes dy vendeve ishte një tjetër temë e diskutuar gjerësisht.

Erdogan

Dy kryeministrat, Erdogan dhe Berisha, preferuan që në nisje të takimit, të zhvillonin një bisedë kokë më kokë. Gjatë kësaj bisede duket se dy liderët kanë diskutuar mbi strategjitë e bashkëpunimit të ardhshëm, duke e vënë theksin te ndihma që do t’i japë Shqipëria për anëtarësimin e Turqisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe po kështu ndihma që Erdogan do të japë për kalimin e gazsjellësit TAP përmes Shqipërisë. Këto qëndrime u konfirmuan edhe në konferencën e përbashkët për shtyp mes dy kryeministrave.

“Shqipëria mbështet plotësisht kandidaturën e Turqisë për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit, e bindur se Turqia do të luajë rol shumë të rëndësishëm në forumin më të lartë ndërkombëtar”, theksoi Berisha në konferencë, duke përgëzuar Erdogan për rolin kundërshtues të regjimit të Asadit në Siri. Erdogan theksoi se Turqia do të anashkalonte Greqinë nga dhënia e gazit natyror dhe do ta kalonte atë për Shqipërinë dhe Italinë. “Pasi gazi të dalë nga Turqia, kemi çështjen e kalimit të tij në Shqipëri, pra të projektit të gazsjellësit. Këtu ju e dini që ne i kemi dhënë Greqisë gaz natyror. Tani në rend të ditës është Italia. Ne duam që Italia me Shqipërinë të ndihmohen së bashku”, deklaroi Erdogan, duke theksuar se Turqia është e vendosur ta ndihmojë Shqipërinë në projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik.

Marrëveshjet

Në Ankara u nënshkruan dje dy marrëveshje mes Shqipërisë dhe Turqisë. Mes dy vendeve u nënshkrua “Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunimin midis Akademisë së Diplomacisë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë” dhe “Marrëveshja e Bashkëpunimit në Fushën e Arkivave midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë”. Dy Kryeministrat folën edhe për shtimin e bashkëpunimit ekonomik dhe atij në fushën e sigurisë.