e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ben Blushi: Po koalicionit me LSI, nese bejme 71 vota per te rrezuar Berishen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ben Blushi: Po koalicionit me LSI, nese bejme 71 vota per te rrezuar Berishen
Deputeti socialist, Ben Blushi nuk ka asnjë dilemë kur vjen fjala për koalicion me LSI-në e Ilir Metës. “Nëse bëhen 71 vota kundër Berishës në Parlament, ne jemi të gatshëm ta rrëzojmë qeverinë që nesër”,-tha ai në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, përballë një paneli analistësh të njohur.

A jeni i gatshëm të pranoni Ilir Metën në koalicion?

Sigurisht që po. S`ka asnjë dilemë. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur, eventualisht mund të kemi një koalicion me LSI dhe nëse ka njerëz që janë të papërgatitur në atë që po ndodh, do të thotë se kanë probleme në fantazinë e tyre, sepse nuk parashikon dot se si një aventurë e pamundur, mund të bëhet e mundur. Dhe nëse ka një gjë që stonon në Shqipëri në këto 20 vjet është aleanca e PD me LSI, sepse aleanca e LSI me PS, pavarësisht nga ç’ka ndodhur, mënyra si është folur, teknologjia që është përdorur për ta prishur apo për ta ndrequr këtë marrëdhenie organike, pavarësisht nga kjo, aleanca PS- LSI është biologjikisht e mundur: pra është bashkimi i dy trupave, që në një kohë të caktuar dihen u ndanë….

Mos është vonuar ky takim, mos ndoshta duhej të ishte më herët?

Një takim nuk është një marrëveshje. Por padyshim, palët kanë interesa të përbashkëta për të arritur për Presidentin. Në 2009, Ilir Meta na kërkoi një përqasje tjetër të Kodit Zgjedhor, por nuk e bëmë. Ndoshta i humbëm zgjedhjet edhe për shkak të kodit, por edhe të koalicionit. Nuk mund të ndodhte përpara edhe për shkak të këtij kontesti. Ne u futëm në bojkot, ai nuk kishte kontest, në u futëm në grevë, ai sërish nuk kishte kontest për të ikur. Ndodhi 21 janari, por edhe në zgjedhjet e 8 Majit, ai ishte kundër Ramës. Takimi për Presidentin detyron palët nisur edhe nga votat. Nëse nuk do ishte Presidenti, nuk do ishin as takimet.

Nëse nuk do të ndodhte ekstremizimi, do kishte qasje më parë?

Unë besoj se PS është më e rëndësishme sot, se sa para një viti. Ajo që ne kërkuam, nuk ndodhi për shkak të radikalizmit, i cili solli shumë pasoja. Kur ne ishim në grevë, nuk mund të afroheshim me parti. Tani që jemi në parlament, normale që mund të ekzistojë marrëdhëniet. Kur je në politikë, sidomos në rastin tonë, vijmë nga asnjë traditë politike për arsye që i dimë. Ky kufi është i papërcaktuar. Nëse do të gjëjmë imoralitetin …… të kemi një president që ta zgjedhë Berisha, apo ta zgjedhim një president të shumë palëve, jam i bindur që një masë dërrmuese do donte të kishim një President mbi palët. President konsensual kërkon populli. Është faktori ndërkombëtar, strategjik  që e kërkon këtë lloj zgjedhjeje. Faktori ndërkombëtar, i cili është dominues për fatet tona kërkon president konsensual. LSI është një faktor i rëndësishëm numerik,  pasi mban Berishën në këmbë.

Cili është qëndrimi juaj për Presidentin?

Ne si Parti Socialiste kundërshtojmë një president të zgjedhur nga PD me 71 vota. Për këtë arsye, kemi kërkuar të ulemi në tavolinë me të gjitha palët dhe aktorët politikë me qëllim zgjedhjen e një presidenti kosensual. Ne përjashtojmë çdo kandidat që imponon proces të njëanshëm. Ne si forcë politike nuk kemi ende një emër për kandidat për President, pasi është e parakohëshme të flasim për emra. Nëse presidenti do të zgjidhet me 71 vota, ne nuk do t’i japim legjitimitetin e një presidenti konsensual.

A mund të zgjedhë kryeministri Berisha presidentin me 71 vota?

Nëse Berisha nuk përdor hilen që përdori në vitin 2007, nuk e zgjedh dot presidentin pa Lëvizjen Socialiste për Integrim. Koalicioni do të quhet i përfunduar, nëse nuk plotësohen votat për zgjedhjen e Presidentit. Nëse këto dy parti nuk bëjnë dot 71 numra në raundin e katërt, sepse nuk merren vesh për një emër të përbashkët, sigurisht që maxhoranca ka rënë dhe eventualisht qeveria bie.

A do të jetë e gatshme Partia Socialiste për të bërë koalicion me LSI-në?

Nëse bëhen 71 vota kundër Berishës në Parlament, ne jemi të gatshëm ta rrëzojmë qeverinë që nesër, pavarësisht se cila parti do të jetë në koalicion me PS-në. Në koalicion me partinë tonë mund të jetë çdo parti që përshtatet me programin qeverisës që ka Partia Socialiste.

Nëse zoti Meta do të bashkëpunojë me Sali Berishën për zgjedhjen e Presidentit, a do të ishit sërish të gatshëm të pranonit Ilir Metën në parti në vitin 2013?

Nëse Ilir Meta del nga qeveria, për arsyet e tij dhe ka vullnetin, mirëkuptimin, qetësinë dhe perspektivën për të ndërtuar një aleancë me ne që kalon mbi program. Aleancë programatike do të thotë që që t’u përmbahemi detyrimeve që i kemi vënë vetes, detyrimeve që lidhen me nevojën për të reduktuar varfërinë, me nevojën për të krijuar vende pune, për të bërë reforma, për të zbutur polarizimin social. Nëse LSI, padyshim dhe çdo parti tjetër i bashkohet dhe e pranon këtë gjë, çdo aleancë është më e thjeshtë.

Z.Rama është shprehur që kemi një kusht për Presidentin, të mos jetë i PD-së. Sigurisht s’mund të jetë nga PS, por nuk ka përjashtuar faktin që s’mund të jetë nga LSI. A mund të votoni ju Ilir Metën për President?

Do të duhej marrëveshje më e madhe se sa kaq për të shkuar në këtë gjë. Ne kemi kërkuar një proces për presidentin. Kur kërkohet një proces i tillë, nuk përjashton asnjë nga palët që ka vota në parlament. Nëse nga ky proces politik mund të lindë një marrëveshje më e madhe, afatmesme, shpresoj afatgjatë që përfshin zgjedhjet e 2013, asgjë nuk është e përjashtuar. Një koalicion afatgjatë dhe një koalicion afatshkurtër që përfshin zgjedhjen e presidentit nënkupton absolutisht të gjithë ata që janë në parlamentin e Shqipërisë. Nëse nesër kemi nevojën, shqisën dhe sigurinë se me një mocion që paraqitet në mëngjes dhe votohet në pasdite e Sali Berisha rrëzohet, nuk diskutohet se do ta bëjmë këtë gjë pa asnjë hezitim. Sepse kjo është arsyeja përse kemi kërkuar vota kundër atij dhe ditën që krijohet mundësia nuk e ushtrojmë?!

Skenarit të bashkimit PS-LSI a do t’i bashkoheshin të gjithë deputetët e Partisë Socialiste pa asnjë mëdyshje?

Në këto raste prevalon një interes më i madh se kaq.

Përse z.Rama nuk e thotë publikisht që unë jam në opozitë për të përmbysur Sali Berishën dhe për këtë do bëjë aleancë me Ilir Metën?

E ke më kollaj të lexosh z.Rama se mua, sepse unë vetëm flas, ai vepron në këtë. Ai e ka bërë aksionin. Nuk jam takuar unë Ilir Metën.

Ai ndryshe flet, ndryshe vepron?

Mundet, kjo është një arsye për të mos e votuar. Ai bëri një takim publik dhe nuk mohoi një takim jo publik. Ai e ka pohuar aksionin e vet dhe ka takuar një kundërshtar, që nuk është aleat me ty. Ilir Meta sot nuk është aleati ynë, pasi është në qeveri.

Kush mund të jetë koalicioni i paprovuar, apo dyshja e pa provuar në qeveri, përveccse dyshes Berisha-Rama?

Kjo gjë për të cilën po flasim është e paprovuar. Aleanca PS-LSI në qeverisje është e paprovuar.

Kur e morët vesh për takimin Meta-Rama?

Ka kërkuar mandat ditën që u dërgoi letër gjithë partive parlamentare për shkak të procesit të zgjedhjes së presidentit. Edi Rama kërkoi mandat për të bërë takime me të gjithë, përfshi edhe Sali Berishën. Këtu nuk ka asgjë të cilën ne nuk e dimë.

Në rast të kthimit të Metës në PS, a shtohet konkurrenca edhe për ju, pasi duket qartë ambicia e z.Meta për të qenë lider i së majtës?

Ilir Meta mund të kthehet në të majtë, por nuk kthehet në PS. Nëse kthehet në të majtë, jo detyrimisht do të thotë se kthehet në PS.