e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Balle per balle per presidentin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Balle per balle per presidentin
Telefonatat e Kryeministrit nga Himara. Rama takon Arvizun e Sequin

Burime diplomatike theksuan se Arvizu dhe Sequi, përveç se janë informuar për qëndrimin e opozitës, kanë ndërmjetësuar për detajet e negociatave mes dy liderëve kryesorë

E diela e 3 qershorit ka qenë e pazakontë për politikën shqiptare. E gjithë vëmendja e politikës, pse jo dhe e gjithë shoqërisë shqiptare në këtë ditë pushimi, ishte fokusuar në takimin e shumëpritur mes dy liderëve kryesorë të PD-së dhe PS-së, Sali Berisha dhe Edi Rama. Kryeministri Berisha, për shkak të angazhimeve të tij, la në ora 20.30 të ditës së djeshme takimin me rivalin politik.

Ndërsa sipas burimeve, mësohet se Berisha, edhe pse i ndodhur qindra kilometra larg Tiranës, është vënë në dijeni të çdo lëvizjeje të kundërshtarit politik përpara përballjes finale. Kjo, nëpërmjet pasqyrimeve mediatike, por edhe kontakteve telefonike. Mësohet se kreu i PD-së, Berisha, ka pasur edhe biseda telefonike me përfaqësues të trojkës në Shqipëri. Nga kampi tjetër politik, Edi Rama ka qëndruar pothuajse gjatë gjithë kohës në selinë e PS-së. Kryesocialisti u shkëput nga zyra e tij  rreth orës 12.00 për të pritur një mysafir të posaçëm.

Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka zhvilluar një takim 40 minutësh me liderin e opozitës në një nga kafenetë ngjitur selisë rozë. Biseda Rama-Sequi është zhvilluar pa praninë e ndonjë përfaqësuesi tjetër. Lideri i PS-së ka mbajtur edhe shënime në këtë takim, ndërsa është parë të tymoste dhe ndonjë cigare. Fokusimi i bisedimeve mes tyre ka qenë në lidhje me takimin e disa orëve me vonë me Kryeministrin Berisha. Sequi, pas takimit, është shprehur se me liderin e opozitës ka folur për perspektivën europiane të Shqipërisë. Rama, në ora 15.00, ka lënë selinë e PS-së për t’iu drejtuar një vendi tjetër për të bashkëbiseduar me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, Alexander Arvizu. Kafeja konsultuese mes ambasadorit Arvizu dhe Ramës u zhvillua në një nga zonat pranë Pallatit të Kongreseve, te 20-katëshi. Konsultat me përfaqësuesin e aleatit më të rëndësishëm, kryediplomatin Arvizu, mësohet se kanë zgjatur për rreth një orë. Pasdite vonë, Rama i është rikthyer selisë rozë. Një takim i zgjatur u zhvillua më pas me kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, në zyrën e liderit të opozitës, Rama.

Që të dy janë përfaqësuesit zyrtarë në takimin  me përfaqësuesit e lartë të PD-së, Berishën dhe Patozin. Për më shumë se një orë, Ruçi dhe Rama kanë ndërtuar skemën e ballafaqimit me Berishën. Aty u vendos nëse do të ketë emra të propozuar nga PS-ja ose jo. Ruçi dhe Rama dolën nga selia e PS-së në orën 19.26 për të hipur në makinën e kryesocialistit me destinacion selinë e Kuvendit, ku pritet ballafaqimi i munguar me liderin e mazhorancës. Socialistët, ndërkohë, kanë bërë të qartë se janë kundër propozimit të mazhorancës të Xhezair Zaganjorit në postin e presidentit. Ndërsa PD-ja është shprehur më e vendosur në këtë kandidaturë, duke lënë të nënkuptohet se me emrin e mazhorancës do të shkohet deri në pesë raundet.

Këto kanë qenë kontestimet e para mes PS-së dhe PD-së përpara këtij takimi të shumëpritur. Për çështjen e presidentit opozita ka kërkuar takim me liderin e mazhorancës, me qëllim përcaktimin e kritereve me anë të një kandidature konsensuale. Pas përgjigjes refraktare të Kryeministrit për këtë takim, futja në lojë e kreut të LSI-së, Ilir Meta, bindi Berishën që të ketë një takim me kundërshtarin e tij politik. Kreu i LSI-së ka qenë kryesori që ka ndërmjetësuar realizimin e këtij takimi. Takimi i parë i tryezës Berisha-Rama është realizuar në vitin 2007, kur të dy krerët nuk arritën të zbatonin një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Takimi është zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit në orët e vona të darkës, por ky takim ka rezultuar i dështuar, për shkak të mosarritjes së një emri konsensual.

Takimi i dytë midis kreut të mazhorancës dhe kryetarit të selisë rozë është zhvilluar në vitin 2010, kur u miratua edhe projekti i kompleksit të ri parlamentar. Takimi i tretë Berisha-Rama wshtw zhvilluar përpara zhvillimit të raundit të dytë për zgjedhjen e presidentit. Kuvendi ka përcaktuar që sot në orën 10.00 të zhvillohet seanca e posaçme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Fillimisht duhet të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar nëse ka ndonjë kandidaturë zyrtare ose jo. Sipas Kushtetutës, të drejtën për të propozuar kandidatë e kanë 20 deputetë.