e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Babai i Nazimes rrefen takimin me te bijen ne qeli: E verteta e SMS-ve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Babai i Nazimes rrefen takimin me te bijen ne qeli: E verteta e SMS-ve
Visha: Vajza është mërzitur, por nuk është penduar për vrasjen. Më tha që ka qenë e detyruar të qëllojë

Beqir Visha thotë se e bija s’ka pranuar që i ka shkruar ajo SMS-të për Fiqiri Muçën, të cilin e ekzekutoi pak kohë më parë në Kërrabë të Tiranës. “Vajza më ka thënë që nuk i ka shkruar ajo sms-të dhe se Fiqiriu që kishte dy-tre telefona, i ka rregulluar vetë ato (mesazhet), ia ka dërguar vetes”, tha Visha në një bisedë me “Mapo”-n, ndërsa ndodhej në shtëpinë e vajzës tjetër të tij në një fshat të Tiranës. Babai i 18-vjeçares, që ndodhet në qeli e akuzuar për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i cili dyshohet të ketë abuzuar me të që në moshë të mitur e që pati me të një marrëdhënie 4-vjeçare, thotë se e ende nuk ka kërkuar nga vajza të mësojë të plotë historinë e abuzimit.

Takimet

Beqir Visha tregoi se kishte takuar dy herë vajzën dhe kishte biseduar me të për më shumë se dy orë, por në pjesën më të madhe të kohës biseda është përqendruar te gjëra të tjera dhe jo te ngjarja dhe shkaqet e saj. Sipas Vishës, e bija i ka treguar se ka qenë e detyruar të kryejë vrasjen. “Ai e ngacmonte, e merrte në telefon. E kërcënonte dhe për këtë ajo s’ka pasur rrugë tjetër”, thotë Visha, që na shpjegon se fliste nga shtëpia e vajzës tjetër të martuar në një fshat të Tiranës. “I kam thënë të rrijë e qetë, unë do ta mbështes deri në fund”, thotë ai, ndërsa shpjegon se i ka dalë përkrah të bijës pas vrasjes, duke justifikuar se ajo nuk ka pasur zgjedhje tjetër.

Madje ai thotë se e vlerëson atë për aktin që ka bërë. I pyetur për gjendjen e Nazimes në qeli, Visha tha se ajo ishte e mërzitur. “Ka qenë në gjendje të rëndë më parë, por tani ishte më e qetë. Është e mërzitur, por nuk është bërë pishman, nuk është pendu”, thotë ai duke shpjeguar se e bija i kishte thënë që nuk kishte pasur rrugë tjetër. Ai ka shpjeguar edhe se para se të ndodhte krimi vajza ka qenë shumë e shqetësuar dhe ka tentuar disa herë të vrasë veten.

Familja

“I kam çuar të takojë njërin nga vëllezërit, Dhurin, por filluan të qanin dhe ai nuk donte të ikte nga qelia”, thotë Visha ndërsa flasim. Burri shpjegon se ka dashur të marrë me vete edhe djalin tjetër, Zaimin, që është më i madh në moshë, por shpjegon se ka qenë e pamundur, pasi ai sapo hapet kjo bisedë fillon të qajë dhe ai nuk mund ta marrë me vete. “I ka rritur vetë (Nazimeja), prandaj”, shpjegon ai gjendjen e dy vëllezërve më të vegjël të 18-vjeçares që ndodhet në qeli. Burri thotë se ende nuk ka takuar avokaten e vajzës, por pret ta bëjë këtë. Nga ana tjetër ai thotë se ka dalë në televizion për të dërguar një mesazh familjes Muça, se nuk u ka borxh dhe se kërkon që të kontaktojë me vajzën tjetër që është e martuar me vëllain e viktimës. Ai tha se u ka kërkuar atyre që ta lejojnë vajzën të hapë telefonin dhe të bisedojë me familjen e saj.

Mesazhet

Visha thotë se nuk ka dashur ta ngacmojë të bijën sa i përket marrëdhënieve dhe historisë së abuzimit ndaj saj prej Fiqiri Muçës. Ai thotë se në ato dy orë e më shumë që ka mundur të qëndrojë me të në dy javët e fundit, ka folur më shumë për gjëra të tjera, për njerëzit jashtë dhe familjen, sesa për ngjarjen dhe atë që e parapriu. Ndërkohë shpjegon se e bija ka mohuar t’i ketë dërguar sms viktimës. Sipas Vishës, vajza i ka thënë që nuk i ka shkruar ajo sms-të, ndërsa i ka thënë edhe se Muça mund t’ia kishte dërguar ato vetes, pasi ai mbante tre celularë dhe mund ta ketë bërë këtë vetë. “Vajza ime nuk ka pasur telefon, pasi iu prish ai që kishte, që i ra në ujë dhe ka përdorur telefonin tim për shumë kohë”, tha Visha.

SMS-ja për shtatzëninë, ekspertiza e rrëzoi, 18-vjeçarja s’ka qenë shtatzënë

Mjekët pohuan se vajza ka pasur aktivitet seksual që në moshë të mitur, duke konfirmuar dëshminë e saj se ishte abuzuar që në moshën 13-vjeçare

Nazime Visha, vajza 18-vjeçare nga periferia e kryeqytetit, e akuzuar për vrasje me dashje të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë. Rezultatet e para vijnë nga mjekësia ligjore, e cila me kërkesë të prokurorisë ekspertoi të dyshuarën për vrasje, me qëllim konfirmimin e dëshmisë së saj, por edhe mesazheve telefonike të gjetura në telefonin e viktimës. Edhe pse ekspertiza nuk ka ende version zyrtar, paraprakisht thuhet se 18-vjeçarja nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe nuk ka kryer abort. Rezultatet e para tregojnë se 18-vjeçarja ka patur aktivitet seksual të hershëm, pra në moshë të mitur, çka konfirmon një pjesë të dëshmisë së saj, se viktima ka kryer me të marrëdhënie seksuale që në moshën 13-vjeçare. Konkluzioni është arritur pas një bashkëpunimi mes anëtarëve të mjekësisë ligjore dhe mjekëve gjinekologë të spitalit civil. Ekspertiza e vajzës është kryer në prani të psikologes së caktuar nga shteti, e cila duhet të mbikëqyrë Nazime Vishën dhe më pas duhet të përpilojë një raport që do t’i vihet në dispozicion prokurorisë për gjendjen mendore të së pandehurës.

Tashmë mjekët pritet të zyrtarizojnë rezultatet e ekspertizës, e cila do t’i përcillet prokurorisë për të vijuar hetimet në lidhje me ngjarjen. Sipas rezultateve të para, konfirmohet një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së 18-vjeçares, e cila ka deklaruar në polici se është abuzuar në moshë fare të mitur nga Fiqiri Muça. Po ashtu, dyshime ka edhe për SMS-të e gjetura në telefonin e viktimës, që tashmë është sekuestruar nga prokuroria dhe po i nënshtrohet ekspertimit teknik. Në disa prej mesazheve që dyshohet se janë dërguar nga një numër i përdorur nga 18-vjeçarja, ndër të tjera vajza thotë se do vriste veten së bashku me fëmijën që kishte në bark. Por ekspertiza e rrëzon një version të tillë, duke hedhur dyshime të forta mbi autorësinë e mesazheve telefonike të sekuestruara në telefonin e viktimës.

Psikologia: 18-vjeçarja e paqëndrueshme, shfaq gëzim që ndodhet në burg

Ekspertiza mjeko-ligjore që u krye ndaj 18-vjeçares Nazime Visha, pritet të pasohet nga një tjetër ekspertizë. Këtë radhë, për të përcaktuar gjendjen mendore të saj. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se do t’i kërkojnë Mjekësisë Ligjore ekspertimin psikik të 18-vjeçares, e cila ka pësuar traumë që në moshë fare të vogël, çka reflektohet edhe në sjelljen e saj në paraburgimin 313. Sipas psikologes, që është caktuar të mbajë nën kontroll të dyshuarën për vrasje, por edhe autoritetet e paraburgimit 313 në kryeqytet, thonë se vajza ka filluar të shfaqë paqëndrueshmëri mendore.

Sipas burimeve nga paraburgimi 313, ku ajo po mbahet në masën e arrestit me afat, ka shfaqur shenja gëzimi dhe euforie që ndodhet në burg. Sipas psikologëve, këto shenja i shfaqin persona të paraburgosur, që ende nuk e besojnë që ndodhen në qeli dhe që vijnë nga mjedise më të dhunshme se ai që ofron një burg. Me qëllim verifikimin e gjendjes mendore të së dyshuarës, prokuroria pritet të kërkojë kryerjen e ekspertimit psikik për 18-vjeçaren, ndërsa psikologia e caktuar për të ndjekur rastin e saj do të paraqesë dhe një raport ku do të jepet vlerësimi për gjendjen mendore të Nazime Vishës