e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

BE: Rivendosje urgjente e dialogut politik

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
BE: Rivendosje urgjente e dialogut politik
Bashkimi Europian përsëriti të hënën apelin drejtuar Shqipërisë për “përmbyllje transparente të proçesit zgjedhor, rivendosje urgjente të dialogut politik dhe pranim të rezultatit në respekt të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura”. Deklarata u bë në mbyllje të takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së, ku mes të tjerash u diskutua edhe situata paszgjedhore në Shqipëri. BE tha se i ka ndjekur me shumë vëmendje këto zgjedhje, të cilat i vlerëson si të zhvilluara në një klimë të qetë, transparente dhe kompetitive, pavarsisht pengesave dhe vështirësive proçeduriale.

Por, megjithëkëtë, BE-ja shprehet e shqetësuar për situatën politike dhe tensionin e krijuar në fazën paszgjedhore. ‘Me keqardhje vërehet se mesazhet e Unionit për dialog politik mbi ato çështje që nuk gjejnë zgjidhje në kod elektoral, nuk janë marrë në konsideratë nga udhëheqësit politikë”, ka konstatuar BE. Sipas deklaratës, “situata në Tiranë është çështje shqetësuese dhe shprehet keqardhje për përkeqësimin e situatës politike dhe rritjen e tensioneve pas këtyre zgjedhjeve”. Në mbledhjen e sotme, u kërkua gjithashtu bashkëpunim mes Qeverisë dhe opozitës, të cilat në bashkëpunim me shoqërinë civile, të bien dakord për realizimin e një reforme të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it para zgjedhjeve të ardhshme.

Bashkimi Europian nxit autoritetet shqiptare të rigjallërojnë dhe forcojnë përpjekjet në axhendën e reformave dhe për zbatimin e tyre. Këto janë jetike thuhet në deklaratë për të përmbushur kriteret e Kopenhagenit duke përfshirë edhe 12 rekomandimet e dhëna nga Komisioni Europian në raport progresin e vitit 2010. Në deklaratë gjithashtu thuhet se “vetëm pasi të përmbushen të gjitha sa u thanë më lartë Shqipëria do të mund të ecë drejt Bashkimit Europian”.