e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

BB: Shqiperia, vendi me borxhin publik me te larte ne Ballkanin Perendimor

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
BB: Shqiperia, vendi me borxhin publik me te larte ne Ballkanin Perendimor
Sipas Bankës Botërore çekuilibrat financiarë pengojnë rritjen ekonomike në Shqipëri. Heqja me ligj në Shqipëri e tavanit prej 60% për borxhin publik rrezikon rritjen e mëtejshme të tij dhe daljen jashtë kontrollit.

Në një analizë të "Deutsche Welle", që i referohet shifrave të Bankës Botërore, theksohet se borxhi publik i  Shqipërisë ka arritur në muajt e parë të këtij viti në 63,8 %, të Prodhimit të Brendshëm Bruto në një kohë kur vendet e rajonit e kanë më të ulët borxhin publik dhe më të lartë PBB.

Sipas BB, përvoja e hidhur e Greqisë, me një borxh publik mbi 100 %  të GDP-së dhe cilësimi i krizës emblematike të Greqisë si krizë e borxhit publik ka ngjallur alarm tek institucionet financiare ndërkombëtare, të pranishme në Shqipëri.

Banka Botërore në mënyrë këmbëngulëse, përmes përfaqësuesve të saj e ka paralajmëruar qeverinë shqiptare se nëse nuk ulet borxhi publik apo kombëtar, Shqipëria rrezikon ta pësojë si Greqia. Shqetësimi artikulohet si rritje e çekuilibrave financiarë që pengojnë rritjen ekonomike. Drejtorja e re e Bankës Botërore dhe Koordinatorja Rajonale për Evropën Juglindore gjatë vizitës në Tiranë tha se rritja e borxhit publik është rrezik për asfiksim të rritjes ekonomike.

Rekomandimi numër 1 i BB-së është shlyerja e faturave të prapambetura të sipërmarrësve dhe investitorëve privatë, që kanë kryer punë të mëdha publike dhe nuk janë paguar nga qeveria, si një nga shkaqet e rritjes së borxhit publik.

Për drejtoren e re të BB-së, Ellen Goldstein tha se niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim si Shqipëria është rreth 40 % e PBB-së.

“Ky është standardi global, që ekonomia të mos jetë në stres dhe në risk, por nuk ka ndonjë shifër magjike sesa duhet të jetë niveli i borxhit publik. E mira është të jetë i ulët”, theksoi ajo.

Ksenya Lvovski, Drejtorja e Bankës Botërore në Shqipëri tha: "Masat fiskale për të trajtuar çekuilibrat fiskalë do të jenë pjesë e një drafti për qeverinë, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Cilado qeveri që do të formohet pas zgjedhjeve do të përballet me detyrën për të përmirësuar situatën e financave publike, për të përmirësuar efikasitetin e administrimit të të ardhurave dhe rritjen e qëndrueshmërisë së regjimit fiskal", theksoi Ksenya Lvovski.