e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Arvizu: Amerika, gjithmone ne krah te shqiptareve

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Arvizu: Amerika, gjithmone ne krah te shqiptareve
Ambasada amerikane, nën kujdesin e veçantë të ambasadorit Aleksandër Arvizu mblodhi pasditen e djeshme në një ceremoni të kuruar deri në detajet më të imta, krerët kryesorë të politikës shqiptare. Ceremonia, që pason një cikël veprimtarish të shtrira në disa ditë, në kuadër të 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, u ndoq me interes nga shumica e mediave dhe opinioni i gjerë publik.

Sipas një protokolli të paracaktuar, në orën 18.00 të pasdites së djeshme në mjediset e brendshme rezidenciale, ambasadori Arvizu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, priti Kryeministrin Berisha, Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe dy ish-presidentët, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani. Të ftuarit e nderit shprehën përpara ambasadorit amerikan kënaqësinë që ndodheshin në ambasadën amerikane, 20 vjet pas rihapjes dhe gjetën rastin të tregonin fragmente dhe detaje kujtimesh e emocionesh të lidhura me miqësinë shqiptaro-amerikane. Akti riçeljes i ambasadës në Tiranë, deklaratat e ish-Presidentit amerikan, Willson, vizita e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Beker, në Shqipëri, mbështetja për Kosovën, vizita e ish-presidentit Xhorxh Bush dhe NATO ishin në qendër të fjalimeve të shkurtra të tyre.

Në pritjen e veçantë të rezervuar në mjedisin e brendshëm rezidencial gjatë 20 minutash, për krerët e lartë të shtetit dhe politikës, u vu re ftohtësia mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të shtetit, Bamir Topi, pavarësisht insistimit të të zotit të shtëpisë. Dy krerët e lartë politikë mjaftuan me një përshëndetje korteziale dhe takim të ftohtë duarsh, duke ndjekur protokollin e vendosur nga ambasadori, i cili ia dha fjalën të parit Presidentit Topi. Pas kësaj ceremonie të shkurtër, palët dolën në verandën e ambasadës ku ishin të rreshtuar shumë personalitete të vendit për të dhënë mesazhet e tyre kryesore.

Në fjalën e tij përpara qindra të ftuarve ku spikati me vonesë edhe kreu i opozitës, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ambasadori Arvizu theksoi se Amerika do të jetë gjithmonë në krah të shqiptarëve për t’i mbështetur ata. “Ekziston një miqësi e madhe dhe partneritet mes dy vendeve tona e ndajmë pikëpamje të njëjta për demokracinë. Do jemi gjithmonë në anën e shqiptarëve dhe do mbështesim aspiratat e shqiptarëve”, theksoi ambasadori Arvizu. Pas fjalimit të mikpritësit ambasador, fjala iu dha kreut të shtetit shqiptar, zotit Topi, i cili ndër të tjera, deklaroi se “...ndonëse shumë vende janë munduar ta ndihmojnë Shqipërinë, askush nuk e ka bërë këtë më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Pas Presidentit, fjala iu dha Kryeministrit Sali Berisha, i cili qartazi u shfaq i emocionuar. Në fjalimin e tij, Kryeministri theksoi se ndihma e SHBA-së gjatë këtyre 20 viteve në vend ka qenë e jashtëzakonshme.

“Ky ka qenë një 20-vjeçar i bashkëpunimit dhe i ndihmës, ku ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë e jashtëzakonshme. Arritjet e deritanishme janë realizuar me mbështetjen e SHBA-së. Kujtojmë këtu edhe atë që ajo ka dhënë për anëtarësimin tonë në NATO”, theksoi kreu i qeverisë duke e quajtur NATO-n, një tregues të ndihmës madhore të SHBA-së për Shqipërinë. Pas fjalimeve, ambasadori Arvizu së bashku me zonjën e tij i ka ftuar të pranishmit në pjesën e fundit të ceremonisë së përgatitur. Më tej biseda të lira dhe të shkurtra janë shkëmbyer mes politikanëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të lartë të gjendur në këtë veprimtari në rezidencën e ambasadës amerikane për rreth një orë e gjysmë.