e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ari, lajmetari i katastrofes?

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ari, lajmetari i katastrofes?
Mbiçmimi i beftë të arit nëpër bursa ngre pikëpyetje mbi jetëgjatësinë e sistemit të tanishëm financiar, ndërsa ekonomitë amerikane dhe europiane po shkunden nga goditje të pandërprera sizmike që vijnë nga bursat. Ndoshta, tërmeti i dytë i madh nuk është shumë larg.

Po bëhen rreth 40 vjet që kur amerikani famëkeq Riçard Nikson hodhi poshtë standardin e arit duke çimentosur themelet e sistemit modern financiar. Por, ari ka ardhur duke u shtrenjtuar vazhdimisht dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve rregullatore për ta nxjerrë atë jashtë kornizës së financave ndërkombëtare. E vërteta është se para mbylljes së kësaj jave, metali i çmuar nuk ka qenë kurrë kaq i vlerësuar. Çmimet e arit vijuan rritjen përgjatë gjithë javës, mes bursave të trazuara dhe një ndjesie gjithnjë e më të zymtë për ekonominë botërore. Në fakt, çmimet e metalit të çmuar arritën pikun në një kohë kur Europa “dogji” rreth 94 miliardë euro nëpër flakët që kanë përpirë tregjet ndërkombëtare.
Vlerësimi i arit përbën thuajse kurdoherë një lajm të keq.

Ekzistojnë disa arsye për diçka të tillë. Në radhë të parë janë arsyet praktike. Çmimi i arit ngrihet kur punët me ekonominë shkojnë keq, pritet të shkojnë keq, apo supozohet se janë duke shkuar keq. Duke qenë se perceptimi është shumë i rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare, në dy rastet e fundit, punët priren të shkojnë vërtet keq edhe kur parashikimet nuk janë domosdoshmërisht të sakta. Në fakt, çmimi i arit thuajse është dyfishuar që nga fundi i vitit 2007, kohë kur filloi recesioni ekonomik, ndërsa në qershor të këtij viti u rrit sërish me gati 20 për qind, për shkak të diskutimeve në SHBA mbi borxhin publik. Diskutimet mbi borxhin në SHBA ndodhin vetëm kur në pushtet janë demokratët, pavarësisht faktit se borxhin e krijojnë të dyja kampet politike.

Problemi tjetër madhor me vlerësimin e arit lidhet me vetë ekzistencën dhe vlerën që i jepet. Gjithçka të bëjë me mungesën e besimit në sistemin aktual financiar, nostalgjinë e nënvetëdijshme për kohët e standardit të arit dhe një ushtri operatorësh ndërkombëtarë që dinë ta mjelin lopën siç duhet për të bërë para me frikën e publikut përballë një paraje që nuk ka një vlerë të vetën.

Standardi i arit

Bëhet fjalë për një sistem monetar, në të cilin njësia standarde llogaritëse në ekonomi është një sasi e përcaktuar ari. Diçka e tillë mundësohet përmes kompromisit. Në këtë kuptim, standardi i arit përfaqëson një zotim nga vendet e përfshira për të fiksuar çmimet e monedhave vendase sipas një sasie të paracaktuar ari. Paratë kombëtare dhe format e tjera të parasë konvertoheshin lirisht në ar sipas një çmimi fiks. Një vend nën standardin e arit do të caktojë një çmim për të dhe do ta blejë e shesë arin sipas atij çmimi. Rrjedhimisht, diçka e tillë përcakton vlerën e valutës së një vendi. Metale të tjera të çmuara mund të përdoren për të vendosur një standard monetar, siç ishte standardi i argjendit në vitet 1800. Kombinimi i standardit të arit dhe argjendit njihet si bimetalizëm.

Gjatë pjesës më të madhe të 1800-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin një sistem bimetalor të parasë, ndonëse kryesisht të bazuar mbi floririn, duke qenë se realisht tregtohej shumë pak argjend (mjafton të merret si referencë vetëm SHBA, duke qenë se prej shekujsh, ndonëse jo e vetme, ka udhëhequr zhvillimet dhe modifikimet në sistemet financiare perëndimore).

Standardi i vërtetë i arit në SHBA, hyri në fuqi më 1900 me miratimin e Aktit të Standardit të Arit. Por, ky standard praktikisht u shfuqizuar më 1933, kur Presidenti Ruzvlet e bëri të jashtëligjshëm pronësinë private të floririt (duke përjashtuar vetëm bizhuteritë). Sistemi i Breton Woods, i vënë në veprim në vitin 1946 krijoi një sistem të kursesh këmbimi të fiksuara që i lejonte qeverive t’ia shisnin arin e tyre, thesarit të Shteteve të Bashkuara me një çmim prej 35 dollarësh për ons (28.35 gr).

Sistemi në fjalë përfundoi më 15 gusht të vitit 1971, kur presidenti Riçard Nikson e ndërpreu tregtimin e arit me çmimin në fjalë. Në këtë pikë, për herë të parë në historinë e njerëzimit, lidhjet formale ndërmjet valutave kryesore në botë dhe mallrave reale u ndërprenë. Qysh prej asaj kohe, standardi i arit nuk është përdorur në asnjë prej ekonomive të mëdha.

Sot, thuajse çdo vend në botë, bazohet në një sistem parash letër, të cilat sipas fjalorit përkufizohen “para që është thelbësisht e pavlerë; përdoret vetëm si mjet këmbimi”. Si rrjedhojë, vlera e parasë përcaktohet nga oferta dhe kërkesa për para dhe nga oferta dhe kërkesa për mallra dhe shërbime në ekonomi. Nga ana tjetër, çmimet e arit dhe argjendit lejohet të luhaten sipas forcave të tregut.

Rreziku (jo)teorik

Ndërkohë, bankat qendrore të vendeve në zhvillim kanë filluar t’i këmbejnë valutat kryesore në rezervat e tyre me flori, duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e kërkesës për këtë metal. Në këtë pikë, analistët e tregjeve ndërkombëtare thonë se ka diçka më shumë se frika në rritjen e çmimit të arit. “Rritjes së fundit i mungojnë shpjegimet” deklaroi një analist, duke sinjalizuar rrezikun e një tronditje të thellë, ndërsa çmimi i arit i afrohet vlerës prej 2000 dollarësh për ons (nga vlera prej 35 dollarësh për ons që u caktua në mes të shekullit të shkuar). Hera e fundit që ari vlente më pak se 1000 dollarë për ons ishte tetori i vitit 2009.

Megjithatë, rekordi aktual, i cili luhatet në kufijtë e 1900 dollarëve mbetet poshtë pikut prej 859 dollarësh të vitit 1980, i cili i rregulluar sipas inflacionit, përkthehet në 2400 dollarë me valutën e sotme. Ky rekord mund të arrihet nëse investitorët vazhdojnë të hedhin baste se ari do t’i mbrojë ata nëse SHBA dhe Europa bien sërish në recension, çka do të tendoste çmimet në bursa. Në fakt, një sërë bankash të mëdha dhe ekonomistësh, së fundmi po paralajmërojnë mbi rrezikun e një kolapsi të ri. Morgan Stanley rishikoi këtë javë parashikimin e rritjes ekonomike për këtë vit dhe atë që vijon, duke theksuar se SHBA dhe 17 vendet që përdorin euron po “lëkundeshin rrezikshëm në skaj të recensionit”.