e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ardian Civici: Prodhimi vendas, i vetmi clirim nga kriza

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ardian Civici: Prodhimi vendas, i vetmi clirim nga kriza
Ndërsa ekonomia botërore nuk po del dot nga kriza, një pjesë të efekteve të kësaj situate ndërkombëtare janë importuar dhe po japin efekte të tërthorta apo të drejtpërdrejta në ekonominë shqiptare. Në një intervistë, Prof. Dr. Adrian Civici paraqet një pasqyrë lakonike dhe ndriçuese mbi çka po ndodh sot me ato trazira të ekonomisë botërore që arrijnë të depërtojnë brenda shtëpisë së ekonomisë shqiptare

Deri dje, luhatjet në bursa dhe një sërë dinamikash të pakëndshme në sektorin e financave ndërkombëtare ende komentoheshin nën logjikën e “tymnajës” nga një sërë institucionesh dhe analistësh ndërkombëtarë. Sot po shihen flakët. Çfarë po ndodh me ekonominë botërore?

Që në momentet e shfaqjes së krizës financiare të fundvitit 2007 e deri më sot, ekonomia dhe financat botërore janë thellësisht të tronditura dhe nën kërcënime të rrezikshme. Fillimisht u shfaq si një krizë amerikane e Ëall Street-it në themel të së cilës ishin dështimi i politikës amerikane të kredive të lira e pa limit për pasuritë imobiliare, si dhe dalja nga kontrolli apo spekulimet me produktet derivative financiare, “shpikje të reja” të botës financiare që krijuan iluzionin e bollëkut monetar e financiar jashtë çdo përfytyrimi apo logjike ekonomike. Por shumë shpejt, të ashtuquajturat “produkte financiare apo bankare të infektuara”, mbi të gjitha si pasojë e nivelit të lartë të globalizimit financiar e monetar, u përhapën në gjithë botën duke e shtrirë krizën në sektorin bankar, tregjet financiare e monetare në Europë, Azi, Amerikën Latine e Afrikë.

Falimentime të bujshme bankare si rasti i bankës “Lehman Brothers” në SHBA, disa bankave irlandeze, shoqërive të sigurimit apo fondesh investimesh etj., ishin treguesi më domethënës për egërsinë e kësaj krize. Në fillim të vitit 2009, kriza financiare u transmetua në ekonominë reale duke goditur rëndë mjaft sektorë jetikë e strategjikë prodhimi e tregtie, duke ulur ndjeshëm treguesit e rritjes ekonomike në shumicën dërrmuese të vendeve të botës, përfshirë këtu dhe ekonomitë më të zhvilluara. Ndërkohë që disa muaj më vonë kriza hyri në fazën e tretë të tentakulave të saj duke komplikuar së tepërmi aspektet sociale, sidomos duke shtuar në shifra të panjohura që pas luftës së dytë botërore nivelin e papunësisë dhe goditur fuqinë blerëse të mjaft shtresave vulnerabël në mbarë botën.

Mbas krizës së “Depresionit të madh” të viteve 1929-33, kriza ekonomike financiare globale 2007-2011, është më e ashpra dhe më e rrezikshmja që ka kaluar sistemi kapitalist dhe ekonomia e financat botërore. Por, këtë radhë, qeveritë, bankat qendrore, institucionet zhvilluese apo rregullatore ndërkombëtare, duke shfrytëzuar “leksionet” apo gabimet e bëra në menaxhimin e krizës së “Depresionit të madh” përdorën masivisht financat publike dhe ndërhyrjen shtetërore për të mos lejuar përhapjen e krizës dhe amortizuar efektet e mundshme shkatërruese të saj. Me një fjalë, nuk u zbatua logjika e “Darvinizmit ekonomik apo financiar” si në kohën e “Depresionit të madh”, por u zbatua logjika e “ndihmës dhe mbështetjes publike” në emër të shmangies së pasojave që vlerësoheshin se mund të ishin katastrofike. Megjithatë, në shkallë globale humbjet nga kjo krizë vlerësohen në rreth 30-40 mijë miliardë dollarë...

...Kosto apo çmimi më i lartë që u pagua për frenimin dhe minimizimin e efekteve të kësaj krize, ishte pikërisht “shpërthimi i deficiteve buxhetore dhe borxheve publike” në mjaft vende të botës, duke e kthyer këtë “problem” në thembrën e Akilit të të gjithë tronditjeve që po kalojnë aktualisht pjesa dërrmuese e ekonomisë dhe financave botërore, SHBA, Europa dhe veçanërisht zona euro, dollari, euro, çmimet e lëndëve të para, naftës, ushqimeve etj. Vende si Irlanda, Greqia, Spanja, Portugalia dhe së fundi dhe Italia, po përballen me pikëpyetje të mëdha për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e financave dhe buxheteve të tyre; SHBA është në syrin e ciklonit për sa i përket borxhit të saj kolosal, bankat qendrore si Fed në SHBA, Banka Qendrore Europiane, Banka e Japonisë, Banka e Anglisë etj., për herë të parë në historinë e tyre po detyrohen të bëjnë “politika monetare jokonvencionale” duke blerë në treg “produkte financiare e monetare të infektuara apo me risk të lartë”, po diskutohet me shqetësim për të ardhmen e euros dhe vetë BE-së, ashtu siç po shtohet skepticizmi për rolin dhe vlerën e dollarit amerikan etj. Tabloja përmbyllet me situatën e paqartë e vazhdimisht konfliktuale në lindjen e mesme, me efektet që po sjellin “revolucionet e vendeve arabe” si Tunizia, Egjipti, Libia, Siria etj., veçanërisht në lidhje me naftën dhe tregtinë botërore.

A u prek Shqipëria nga kjo krizë, dhe si shpjegohet që ne nuk ramë në recesion, apo nuk pësuam goditje të rënda të dukshme?

Direkt apo indirekt, gjatë gjithë këtyre viteve Shqipëria dhe ekonomia apo financat e saj janë prekur e vazhdojnë të preken nga kriza globale. Natyrisht, që ne nuk njohëm e provuam të njëjtat simptoma apo “plagë” si ato të mjaft vendeve të zhvilluara apo në zhvillim kur është fjala për tregjet financiare, sektorin bankar, eksportet, çmimet, luhatshmërinë e monedhave, papunësinë e lartë etj. Dhe kjo për tre arsye kryesore. Së pari, në hymë në periudhën e krizës me tregues mjaft të mirë e të qëndrueshëm makroekonomikë, pasojë e bashkëpunimit rigoroz me FMN për periudhën 1992-2008. E thënë në mënyrë figurative, hymë në periudhën e krizës “të dhjamosur”, ndërkohë që edhe politikat tona financiare dhe ekonomike, me gjithë disa devijime, e respektuan këtë “mësim apo eksperiencë” në menaxhimin e financave publike. Së dyti, niveli i hapjes ekonomike, dhe sidomos shkalla e globalizimit të sektorit tonë bankar e financiar është akoma e ulët.

Paradoksalisht, këtë radhë, kjo na shërbeu si mbrojtje ndaj pësimit të efekteve negative të krizës në Shqipëri, sidomos asaj financiare e monetare. Në të njëjtën kohë, pothuajse asnjë nga bankat e mëdha që kanë filialet e tyre në Shqipëri nuk u prek ndjeshëm nga efektet e krizës, ndërkohë që vetë sistemi bankar shqiptar rezultoi solid, i mirëkapitalizuar dhe likuid. Së treti, ekonomia shqiptare bazohet ndjeshëm në ekonominë familjare, në bizneset e vogla dhe në prodhimin e qarkullimin e brendshëm, elemente këta që “amortizojnë” goditjet e krizës. Këtu mund të përfshihet dhe efekti apo roli i ekonomisë informale që në Shqipëri vazhdon të jetë e lartë dhe që në një farë mënyre është jashtë “objektivit dhe kontrollit” të statistikave zyrtare.

Në fund të fundit, ashtu si disa vende të klasifikuara si “ekonomi emergjente” apo “vende në zhvillim intensiv”, Shqipëria arriti të ruante një rritje ekonomike pozitive gjatë gjithë viteve të krizës, megjithëse në nivele më të ulëta se ato të dekadës së kaluar. E veçanta jonë në këtë rast është se ne nuk u morëm asnjëherë “teknikisht” me krizën dhe efektet e saj në ekonominë tonë, por e trajtuam atë thuajse tërësisht politikisht duke e përdorur si kalin e betejës së debatit politik. Dy qëndrimet më të evidentuara janë, ai sipas së cilit “ në Shqipëri nuk ka absolutisht krizë...se gjithçka shkon shumë mirë”, për të vazhduar me qëndrimin tjetër ekstrem se “kriza është ulur këmbëkryq në Shqipëri, se vendi është në krizë totale, etj.”. Edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi një inventar teknik të efekteve të krizës globale në Shqipëri, dhe për pasojë, nuk kemi hartuar apo propozuar as edhe një “paketë speciale” politikash e masash për përballimin apo minimizimin e efekteve të krizës globale.

Cilat janë kanalet e transmetimit të kësaj krize në Shqipëri?Cilët janë sektorët më të rrezikuar dhe cilët janë instrumentet më efektivë për t’u zbatuar në mënyrë që të pakësohen sa të jetë e mundur efektet e kësaj krize?

Transmetimi i krizës është i shumëfishtë dhe me shkallë intensiteti të ndryshme. Kanalet kryesore të transmetimit të saj kanë të bëjnë me goditjet që merr leku në raport me luhatshmërinë dhe qëndrueshmërinë e euros apo dollarit amerikan; shtimi i vështirësive për kredimarrësit shqiptarë që kreditë i kanë në euro apo dollarë, ndërkohë që të ardhurat bazë i kanë në lek, duke i bërë ata shumë të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit; me pasojat negative në raportet tona tregtare import-eksportet me vendet ku kriza është më e ndjeshme; me zvogëlimin e ndjeshëm të remitancave nga emigracioni jonë ekonomik që është vendosur kryesisht në Greqi dhe Itali, vende që janë prekur thellë nga kriza; me vështirësitë që mjaft sektorë të ekonomisë sonë ndjejnë nga humbja e klientelës apo lëndëve të para me çmime të leverdisshme në BE etj.; nga shtimi i shtrëngesës dhe vështirësive për të gjetur investime e kapitale të huaja për t’u investuar në ekonominë shqiptare; shtrenjtimi i borxhit të jashtëm dhe përqindje të larta interesi për të; nga zvogëlimi i përfitimeve apo reduktim i vëmendjes ndaj mbështetjes së ekonomisë dhe zhvillimit në Shqipëri, ndërkohë që për vendet donatore shtohen hallet e problemet me financat e tyre apo vende të tjera etj.

Në një këndvështrim të caktuar, kjo krizë, për shumë vende të botës, përfshirë këtu dhe Shqipërinë, shërbeu edhe si një “lakmues” për evidentimin e dobësive strukturore të ekonomisë dhe financave tona. Instrumentet apo politikat më imunizuese dhe me efekte afat-gjata antikrizë mendoj se janë: reduktimi në vazhdimësi i borxhit publik drejt niveleve 45-50% në raport me PBB, përmirësimi i strukturës së borxhit duke rritur peshën specifike të borxhit të brendshëm dhe rritur afatin e maturimit të borxhit të jashtëm, kujdesi i vazhdueshëm në kontrollin e inflacionit në respektimin e objektivit të Bankës së Shqipërisë për ta mbajtur atë në nivelin 3% me shkallë të pranueshme luhatshmërie + ose -1%, stabilizimi i deficitit buxhetor në nivelin 3%, rritja e eksporteve dhe reduktimi i ndjeshëm i deficitit tregtar dhe bilancit të pagesave, rritja në të gjitha frontet e prodhimit vendas dhe hartimi i politikave specifike të punësimit, thellimi i integrimit ekonomik e financiar rajonal e europian, përmirësimi i vazhdueshëm i klimës së biznesit dhe trajtimin e biznesit si “partner preferencial” i qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, përmirësime cilësore në mjaft sektorë të ekonomisë dhe shërbimeve me orientim të qartë drejt “thithjes” së inovacioneve dhe modernizimit, politika më të mira rishpërndarëse në mënyrë që efektet e rritjes ekonomike të shpërndahen sa më proporcionalisht në shtresat e popullsisë dhe rajonet e vendit, nxitja e kreditit bankar dhe rolit të tregjeve financiare etj.

Në themel të këtyre politikave qëndron kalimi nga logjika apo praktika “import-konsum” që ka dominuar në këta 20 vite tranzicioni, në logjikën “prodhim i brendshëm-eksport” që duhet të dominojë në 10 apo 20 vitet e ardhshme për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme e të lartë.