e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Ali Evsen ngriti biznese ne Shqiperi per hoteleri-turizem

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Ali Evsen ngriti biznese ne Shqiperi per hoteleri-turizem
Njësia Task-Forcë fillon një hetim pasuror ndaj bosit të kompanisë “Albania Airlines” në Shqipëri, pasi ka dyshime se ka pastruar paratë e ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak. Grupi hetimor ka mësyrë QKR-në për bizneset e Evsen dhe nga verifikimet ka rezultuar se në emër të 49-vjeçarit figuronin disa biznese të tipit hoteleri-turizëm, të cilat dyshohet se janë ngritur kohët e fundit. Akuza tha se hetimi pasuror ka nisur pas kërkesave të Interpolit menjëherë pas arrestimit në Spanjë. “Nga verifikimi i kryer deri më tani ka rezultuar dhe janë bllokuar disa llogari bankare, që nga ato të kompanisë ‘Albania Airlines’, e deri te llogaritë e biznesmenit turk, Ali Evsen, dhe katër administratorëve të tij. Janë bllokuar në bankat e nivelit të dytë llogari bankare, si dhe kapitali i kompanive të drejtuara nga Evsen që kapin vlerën e rreth 3 milionë eurove”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas saj, grupi hetimor ka dërguar shkresa në Hipoteka për bllokimin e pasurisë që ndodhet në emër të tij apo kompanive që ai është pronar apo administrator.

Sipas prokurorisë, deri më tani janë marrë disa shkresa nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit ku evidentohen bizneset që figurojnë në emër të tij. “Rezulton se përveç kompanisë ajrore, shtetasi turk i arrestuar në Spanjë ka investuar edhe në disa biznese për hoteleri turizëm në disa vende të Shqipërisë, kryesisht në Tiranë.

Po kryhen verifikime për të mësuar transaksionet e bëra nga Shqipëria drejt Turqisë dhe anasjelltas, si dhe drejt Spanjës, ku i janë bllokuar rreth 30 milionë euro”, thanë burimet nga prokuroria shqiptare.

Disa ditë më parë, Policia Europiane është vënë në kërkim të parave të ish-presidentit të Egjiptit, Hosni Mubarak, të depozituara në Shqipëri. Ka dyshime se bosi i kompanisë “Albania Airlines” ka ngritur disa llogari bankare në vendin tonë dhe me to ka kryer dhjetëra transferta të vlerave monetare. Akuza thotë se Interpoli i ka kërkuar evidentimin e këtyre llogarive dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave është kryer një evidentim i të gjitha llogarive bankare. Mësohet se është gjetur një pasuri rreth 3 milionë euro dhe ka dyshime se ato janë ngritur me paratë e ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubakak. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës thotë se ka filluar hetimet për akuzën e pastrimit të parave ndaj bosit të kompanisë shqiptare të fluturimeve. Akuza saktëson se të dhënat janë ende në fazën e dyshimeve dhe pritet që në ditët paraardhëse të merret një kontakt nga drejtësia e Spanjës dhe Turqisë.