e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Aleks Nika, jo kurban per paqen mes Rames dhe Berishes'

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Aleks Nika, jo kurban per paqen mes Rames dhe Berishes'
Ka reaguar ashpër një nga familjarët e viktimave të 21 janarit pas mbylljes së hetimeve për vrasësit e 4 personave, duke shprehur shqetësimin se paqja mes mazhorancës dhe opozitës po bëhet duke përdorur si “kurban” gjakun e të vrarëve. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, me profesion avokat, i ka dërguar një letër komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Këtë letër po e botojmë të plotë më poshtë…

Përfundimi i hetimeve për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit dhe dorëzimi i dosjes në gjykatë është pritur duke mbajtur frymën nga familja jonë. Besoj edhe nga familjet e të vrarëve dhe të plagosurve të tjerë në atë masakër të Gardës së Republikës mbi popullin.

Duhej të ishte momenti i parë i lehtësimit për ne që kemi humbur përjetë të dashurit tanë plotësisht të pafajshëm. Në fakt, hetimi dhe akuza kanë hedhur dritë mbi disa nga pikat e errëta të atij krimi makabër. Dy persona janë akuzuar për vrasje, dy të tjerë për fshehje të provave të krimit. Gjykata do të shprehet për fajësinë e tyre.

I kam përshëndetur dhe i përshëndes prapë, në emër të familjes Nika, hapat e hedhur në rrugën e zbardhjes së 21 janarit. Por lehtësimi që kemi pritur e presim është akoma larg për ne. Janë identifikuar vrasësit e Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt. Kurse vrasësi i Aleksit tonë është akoma në mjegull. Plumbi që i mori jetën atij ka bërë rrugë të gjatë nga Tirana në Turqi, nga Turqia në Tiranë… Shpresojmë dhe kërkojmë me forcë që prokuroria të dalë sa më shpejt të jetë e mundur me një përfundim të qartë për armën dhe dorën që qëlloi në lule të ballit të dashurin tonë. Hetimi ka vështirësitë e veta.

Për këtë unë si jurist jam plotësisht i vetëdijshëm. Por kushdo mund ta kuptojë dhimbjen e dyfishtë të prindërve të Aleksit, bashkëshortes së tij, motrave të tij dhe mbarë familjes sonë, kur lexojmë e dëgjojmë se nuk po gjendet akoma doraci. Ky lajm i keq bën masë me lloj-lloj lajmesh, dëshmish e hamendjesh të tjera për manipulim të qëllimshëm të plumbit për ta lënë vrasjen enigmë. “Mos i besoni”! na thonë dashamirësisht disa nga miqtë e familjes sonë. Mirëpo edhe ata e kanë të vështirë kur shohin se vrasësit kanë ndërruar tytat e armëve për të fshehur gjurmët.

Pse të mos e bënin me plumbin atë që kanë bërë me armët? Në dorë e kanë pasur. Lehtësimi që kemi pritur e presim është akoma larg jo vetëm se nuk është akuzuar kush drejtpërdrejt për vrasjen e Aleksit, por edhe për një arsye tjetër madhore që ka lidhje me gjithë procesin dhe me natyrën politike të vrasjeve të 21 janarit. Ata që urdhëruan të hapet zjarr dhe të prishen filmimet nuk janë hetuar. Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, nuk janë hetuar. Megjithëse kanë kryer veprime dhe kanë bërë deklarata publike shumë domethënëse për ngjarjen, për të cilat duhet të ishin thirrur nga prokuroria. Për ne si familjarë të viktimave të 21 janarit hetimi dhe dënimi i atyre që kanë dhënë urdhër për të vrarë është në plan të parë. Pastaj vjen hetimi dhe dënimi i atyre që i kanë ekzekutuar urdhrat, që në rrethanën e dhënë kanë qenë vegla. Hetimi jep përshtypjen se ka vendosur një kufi për t’u marrë me “të vegjlit” dhe këta janë siguruar nga “të mëdhenjtë” se do ta kalojnë lehtë, siç po e kalon në shtëpinë e tij vrasësi A. Prendi, apo siç po e kalon në kushtet e një trajtimi të privilegjuar vrasësi tjetër A. Llupo.

Kjo paralajmëron degradimin e 21 janarit në një farsë juridike për t’i dhënë masakrës trajtat e një vrasjeje të zakonshme. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë. Nuk është e rastësishme, që ndërsa procesi ka hyrë në këtë hulli, që me të drejtë një gazetar e quante hullia e peshqve të vegjël apo e kokave të turkut, Kryeministri Berisha mori zemër t’u turret në Kuvendin e Shqipërisë deputetëve të opozitës, duke i kërcënuar e poshtëruar se do t’ua bënte më keq se me 21 janar!? Kjo ishte një sfidë e një shkalle më të lartë se sfidat e mëparshme të këtij Kryeministri kundër prokurorisë, opozitës, Partisë Socialiste, opinionit publik, faktorit ndërkombëtar dhe kundër familjarëve të viktimave.

A e ka mbajtur shënim prokuroria këtë deklaratë skandaloze, ku Berisha pohon me gojën e tij se vrasjet ishin politike dhe ku guxon të shpallë krimin si meritë? Po opozita, si e përtypi ashtu? Unë nuk e di si e kanë pritur ndërkombëtarët dhe nuk mund t’i imponohemi askujt në qëndrimin që duhet të mbajë. Në emër të familjes Nika dua t’i them dy fjalë Sali Berishës. Nuk i ke bërë asnjë gjë opozitës, aty rreth e rrotull e ke për bukuri.

Gjëmën që thua ua ke bërë vajzave jetime të Aleksit, gruas së tij të ve, nënës së tij, të gjithëve ne. Na ke vrarë djalin tonë, që erdhi në Tiranë për të demonstruar si shtetas shqiptar kundër pazareve që bëheshin në zyrat e ministrave të aleatëve të tu të LSI-së, të Ilir Metës dhe Dritan Prifti. Nuk erdhi Aleksi as me gurë në xhepa, as për të hyrë në zyrën tënde. Erdhi për të protestuar si mijëra e mijëra të tjerë atë ditë. A e ke parë vendin ku e keni vrarë? A e ke parë orën kur e keni vrarë? Vendi ku e keni vrarë dhe ora kur e keni vrarë ju akuzon ju dhe vartësit tuaj si vrasës burracakë, të pashpirt, çnjerëzorë. Ju keni menduar t’i jepni mësimet tuaja opozitës me jetën e djalit tonë. E keni menduar gabim, shumë gabim. Ne kemi pritur e vazhdojmë të presim drejtësinë.

Por e përsërisim para publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë: nuk do të lejojmë që gjaku i Aleksit të bëhet ujë. Personat që kanë marrë përsipër barrën e ekzekutimit të Aleksit me shokë dhe ata që kanë marrë përsipër barrën e prishjes së filmimeve dhe provave të tjera të krimit, me shpresë se do të mbrohen nga urdhëruesit e tyre, duhet ta dinë se janë dyfish në hakun e atyre që humbën jetën. Për ne është shumë e qartë se pa u hetuar të gjithë dhe pa u ndëshkuar gjithë grupi që prodhoi këto vrasje, 21 janari nuk do të konsiderohet i zbardhur. Aleksi ishte vërtetë një opozitar, por ai nuk mund të jetë kurbani i marrëveshjeve dhe pazareve mes opozitës dhe qeverisë.

Le të bëjnë paqe dhe politikë ata në hotelet dhe vilat luksoze ku organizojnë takimet e tyre. Por Fatos Nano duhet ta dijë se Aleks Nika ishte një prej atyre që ka protestuar me portretin e tij në dorë kundër burgosjes së tij nga regjimi i Berishës. Prandaj na lëndon më shumë se të tjerët kur flet për përgjegjësi të balancuar në ngjarjet e 21 janarit. Ndërsa zoti Rama, së paku zoti Rama, që na ka ndenjur pranë në tragjedinë tonë, duhet të mbajë parasysh në lëvizjet e tij atë që tha komisioneri Stefan Fule në Tiranë, kur e përfshiu zbardhjen e plotë të 21 janarit në katër kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të hyrë në Europë. Ne si familje i shprehim mirënjohjen e thellë komisionerit Fule. Nga deklarata e tij kemi kuptuar se Europa ka parime që nuk mund t’i shkelë.

Kemi kuptuar se pengesa e 21 janarit kalohet me drejtësi, vetëm me drejtësi. Kemi kuptuar se rruga e drejtësisë për opozitën është rruga e sigurt drejt Europës, kurse rruga e marrëveshjeve me kundërshtarët për gjëra të tjera nuk e kalon këtë pengesë. Kemi kuptuar se drejtësia për 21 janarin është përcaktuese në gjithë gamën e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së. Këtë gjë e kemi pretenduar gjithmonë dhe nga SHBA-ja. Sa herë që SHBA-ja ka treguar ndjeshmëri e angazhim për këtë çështje, ne si familje kemi shprehur gjithë mirënjohjen tonë.

Letra e ambasadorit Arvizu në datë 9 shkurt 2012 na dha akoma më shumë shpresë. Kemi parë se në aspektin e dhënies së ekspertizës SHBA-ja ka bërë jashtëzakonisht shumë dhe mund të themi se ka shpëtuar hetimin. Kurse në nivelin politik mbështetja për zbardhjen e 21 janarit ka oshilacione, aq sa nganjëherë na duket se SHBA-ja i ka lënë pas dore angazhimet e tyre për hetimin gjithëpërfshirës deri në nivelin e krerëve të qeverisë. Por shpresën e kemi gjithnjë të gjallë. Kurrë nuk besojmë se një shtet demokratik si SHBA-ja mund të tolerojë vrasje të tilla. Hetimi i tyre nuk ka afate. Hetimi duhet çuar deri në fund. Prokuroria ka me dhjetëra prova direkte dhe indirekte që e plotësojnë tablonë e këtij krimi të tmerrshëm. Ne kemi shpresë se prokurori amerikan duhet të ndërhyjë që të mos mbyllet çështja pa u dërguar në gjyq udhëruesit.

Zoti komisioner për Zgjerimin, zoti ambasador, zotërinj ndërkombëtarë, ejani vetë ose dërgoni njerëz të shohin se si po rriten vajzat jetime të Aleksit, si janë katandisur prindërit e tij nga kjo vrasje që po vulos e po vyshk përditë fatin e tyre. Nuk kthehet më Aleksi, e dimë të gjithë. As ata burrat e tjerë që u vranë bashkë me të. Por drejtësia është ngushëlluese. Për të jetojmë, luftojmë. Bashkë me ju.

*Xhaxhai i Aleks Nikës
Mark Nika*