e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

A eshte Shqiperia ne Krize?

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
A eshte Shqiperia ne Krize?
Deputeti i PD Florion Mima dhe eksperti i ekonomisë Gjergj Filipi i përgjigjen kësaj dileme në forumin e mëposhtëm. Ata shprehen rreth situatës ekonomike të vendit, për borxhin publik dhe debatin mbi taksën progresive

 
Florion Mima: Shqipëria s’ka qenë dhe s’do jetë në krizë
 
Deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë së fundmi, siç është rasti i ministrit të Financave, nga mohimi i krizës po flasin për 'ndalje të rritjes'. A është Shqipëria zyrtarisht në krizë?

Gjykoj se është një argument i ezauruar tashmë, jo vetëm nga pikëpamja teorike, e cila, për definicion, kërkon medoemos një numër të caktuar tremujorësh me rritje negative për të konfirmuar nëse një vend është në krizë apo jo, por edhe nga këndvështrimi i ekonomisë reale të një vendi, e cila rritet vazhdimisht në terma pozitivë, ndonëse me një ritëm disi më të relaksuar. Unë gjykoj se Shqipëria as ka qenë, as është dhe as do të jetë në krizë në të ardhmen e saj afatshkurtër por edhe afatmesëm. Por, thënë kjo, besoj se më shumë vlerë do të kishte debati se çfarë duhet bërë që ritmet të rikthehen në kuota afër dyshifrore apo, pse jo, edhe dyshifrore.

Gjykoj se, së pari, degët tradicionale të ekonomisë shqiptare duhet të konsolidojnë kontributin e tyre në krijimin e PBB-së dhe të sofistikohen për t’u bërë ballë me instrumente antikrizë të gjitha goditjeve që mund të vijnë nga ankorime të krizës në territore fqinjë. Së dyti, Shqipëria ka mundësi të eksplorojë degë, nëndegë, sektorë, industri, aktivitete të reja, të panjohura më parë, të cilat rrisin punësimin, eksportet, investimet dhe mirëqenien e shqiptarëve duke rritur të ardhurat e tyre. India, Rumania etj., janë kthyer në vatra botërore të shërbimeve outsource të ndërlidhura me telefoninë mobile, me internetin etj. Po a mund të krahasohet aftësia e të rinjve evropianë shqiptarë për të mësuar gjuhë të huaja dhe për të shërbyer me cilësi europiane online? Po shërbimet e transportit të ndërlidhura me Portin e Ri të Kontejnerëve në Vlorë, me Rrugën e Kombit, me qindra e mijëra magazina stokimi, magazina doganore, zona ekonomike e zona industriale, a e imagjinojmë se ç’përmasa do t’i japin kontributit të transportit në PBB-në shqiptare? Po drufrutorët, arrorët, ullinjtë, bimët medicinale, të cilat janë programe që sapo kanë filluar të implementohen, e shpejt do të japin frytet e tyre të para?

Pra, ka vend që debati rreth rritjes të orientohet drejt strategjive që rritjen ta marrin të mirëqenë, apriori, por beteja e ideve duhet medoemos të ketë në fokus të saj masa, programe, projekte për të garantuar rritje sa më të lartë. Dhe rritja vjen jo me anulime kontratash, ç’bërje privatizimesh e kërcënime për konfiskime e shtetëzime të frymëzuara nga ide chaviste. Atë e realizojnë njerëz që u dhemb ky vend, i cili, për fat të mirë, i ka miliardat nën e mbi tokë, mjafton të mendohet si të vihen në punë në të mirë të të gjithë shqiptarëve.
 
Borxhi publik është një nivel që nga shumë organizma ndërkombëtarë është konsideruar si një problem që meriton të ndiqet nga afër. Vendi ynë, sipas Bankës Botërore, ka një mesatare borxhi publik që është më e larta në rajon. Cilat janë shkaqet që u arrit në këtë situatë dhe cilat janë rrugët e daljes prej saj?

Po e them që në krye të herës se personalisht bëj pjesë në atë kategori njerëzish e njohësish modestë të fushës që beson se Shqipëria mund të zhvillohet më shumë dhe më shëndetshëm vetëm nëse ka rritje ekonomike të niveleve të larta, ka administrim me nikoqirllëk të të hyrave publike dhe nëse merr borxh me ritme më të ulëta se ritmet e rritjes ekonomike. Sot ne jemi në nivelin e rreth 58% të PBB-së dhe nëse extrapolojmë rreth 4 pikë % të garancive sovrane që buxheti ka kontabilizuar si detyrime për borxhe të marra nga korporata a trupa të tjerë publikë, niveli i borxhit zbret në rreth 54%. Nëse leku vazhdon të ruajë këto trende forcimi ndaj euros e dollarit mund të jenë edhe 1-1,5 pikë të tjera të zbritshme për ta çuar atë në rreth 52,5%.

Nëse deficiti i pritshëm i 3-4 viteve të ardhshme ruhet në nivele më të ulëta se rritja ekonomike, stoku i borxhit do të zbresë nën 50% brenda mandatit të ardhshëm çka relakson edhe skeptikët më të mëdhenj dhe ata që borxhin e kanë kthyer në kalë beteje për benefite politike. Nëse Shqipëria do të kishte qenë në stadin e fqinjëve tanë që rrugë, autostrada, shkolla, spitale e struktura të tjera imobiliare i gjetën gati qysh nga periudha e komunizmit, dhe nëse socialistët në 8 vitet e qeverisjes së tyre nuk do të kishin marrë borxh për shpenzime operative, Shqipëria sot do të kishte një nivel borxhi shumë më të moderuar.

Gjithsesi, vetë struktura e borxhit, ku pjesa më e madhe e borxhit të huaj është nga banka zhvillimi, më jep qetësinë e mjaftueshme për të konfirmuar se borxhi ynë është i shëndetshëm, i leverdisshëm, i përballueshëm për xhepat e tatimpaguesit shqiptarë dhe lehtësisht i shërbyeshëm. Ai është një borxh që merret sot vetëm për vepra madhore publike dhe si i tillë ai do të shërbehet edhe nga brezat e ardhshëm, të cilët, po ashtu si prindërit e tyre sot, do të përdorin këto vepra e do të përfitojnë nga këto shërbime publike.
 
Ka një debat në vijim, i cili, me sa duket do të përfshijë edhe fushatën e ardhshme elektorale, në lidhje me aplikimin e taksës progresive apo vazhdimin me sistemin e taksës së sheshtë. Së pari, a ka vend për një debat të tillë dhe së dyti, cilat janë anët pozitive e negative të secilit sistem?

Unë kam bërë pjesë në grupin e punës që ngriti kryeministri Berisha për të studiuar mundësinë e aplikimit të taksës së sheshtë në Shqipëri. Ndër të tjera jemi takuar edhe me krijuesin e konceptit dhe mbështetësin më të madh të saj, prof.  Alvin Rabushka, i cili e ftoi Shqipërinë në “klubin e vendeve me taksë të sheshtë”. Është punuar gjatë dhe me seriozitet dhe, kuptohet, vendimi politik është marrë pasi u vunë në tryezë të gjitha ‘pros’ dhe ‘cons’, pasi u analizuan të gjitha të mirat dhe mangësitë, pasi u përplasën ato me realitetin shqiptar, me atë se ç’do të ndodhte me të gjitha kategoritë e tatimpaguesve, si do të afektohej e ardhura e tyre, si do të shkonin të hyrat publike pas kësaj reforme etj., etj. Sot e them pa hezitim se ajo ka qenë një reformë solide, e cila realizoi të gjitha pritshmëritë e saj.

Thjeshtoi sistemin, rriti investimet, luftoi korrupsionin, rriti të hyrat publike, la më shumë pará në duart e investitorëve, rriti përmbushjen vullnetare të detyrimeve nga ana e tatimpaguesve, rriti numrin e kontribuesve individualë nga më pak se 300 mijë në rreth 460 mijë, etj. Për të mbrojtur individët me të ardhura të ulëta u prezantua një prag përjashtimi prej 10 mijë lekësh, i cili nuk tatohej nëse e ardhura nga paga ishte më e ulët se 30 mijë lekë.

Njëkohësisht, për këtë kategori por edhe për pagat më të larta u aplikua një rritje rroge e cila ishte e përbërë nga rritja normale vjetore dhe nga rritja që kompensonte tatimin e tepërt që do duhej paguar në skemën e re. Të gjitha këto opozita i harron ose më saktë nuk i përmend se zbulojnë demagogjinë që ajo po bën me taksën e sheshtë. Ajo që opozita propozon, pra kthimi në sistem progresiv, në kushtet e Shqipërisë do të ishte fatale, sidomos pasi taksa e sheshtë është prezantuar dhe aq më tepër me sukses. Ajo i ngjan një filmi të inspiruar nga urrejtja për më të pasurit dhe më të mëdhenjtë dhe rreket të bindë popullin se parimi marksist për të tatuar sa më fort të pasurit mund të ngjizë një votë popullore për ta sjellë atë në pushtet.

Është një film që ne e kemi parë dhe e dimë se ç’ndodhte kur Shqipëria kishte sistemin progresiv, të gjithë deklaroheshin tek segmenti i parë i të ardhurave, inspektori tatimor dhe subjekti ishin protagonistë të negociatave korruptive, shteti arkëtonte tatim mbi të ardhurat personale dhe kontribute sigurimesh shoqërore në nivele qesharake, sistemi ishte tejet i komplikuar dhe kërkonte kosto të larta administrative të përmbushjes së detyrimeve, shmangia dhe evazioni ishin ulur këmbëkryq, pasi vetë sistemi ishte një ftesë e hapur për to. E gjitha kjo bëhet në emër të një ideologjie kalpe për gjoja më shumë barazi e drejtësi sociale. Winston Churchill, thotë: “Vesi kryesor i kapitalizmit është shpërndarja e pabarabartë e pasurisë, ndërsa vesi kryesor i socializmit është shpërndarja e barabartë e fukarallëkut dhe mizerjes”. Le të mos harrojmë këto fjalë të arta të këtij shtetari të madh!
 
 
Gjergj Filipi: Taksa e sheshtë dëmtoi zhvillimin, rriti polarizimin

Deklaratat e zyrtarëve të lartë të qeverisë së fundmi, siç është rasti i ministrit të financave, nga mohimi i krizës po flasin për “ndalje të rritjes”. A është Shqipëria zyrtarisht në krizë?

Është vështirë të jepet një përgjigje “laboratorike” lidhur me këtë. Arsyeja është se akademikët kanë rënë dakord të përdorin një tregues të caktuar për këtë, dy tremujorë pasues me rritje negative ekonomike, por kjo marrëveshje është bërë e bazuar në supozimin se i aplikohet ekonomive funksionale të tregut. Në rastin konkret të Shqipërisë, besoj se është e qarte për të gjithë që nuk bëhet fjalë për një ekonomi funksionale të tregut por për një ekonomi në tranzicion. Jo vetëm kaq, por bëhet fjalë për ekonominë më të dobët të rajonit, e cila i përket vendit me të ardhurat më të ulëta për frymë (duke lënë mënjanë Kosovën për arsye të mungesës së serive shifrore). Pra, e thënë më thjeshtë, nëse  do ta konsideronim ekonominë vendase si ekonomi funksionale tregu, kriteri akademik i krizës (recesionit) është plotësuar vetëm pjesërisht. Sipas INSTAT, tremujori i fundit i vitit 2009 shënoi rritje negative. Ndërkohë që, nëse e gjykojmë në terma konkret, ekonomia shqiptare është në krizë. Arsyet për të arritur në këtë konkluzion lidhen me një sërë zhvillimesh negative.

Së pari, dhe siç përmendëm, ne jemi më të varfrit e rajonit në vitin 2012 dhe ishim të tillë edhe në vitin 1991. Meqenëse synojmë integrimin në Bashkimin Europian, e kemi të detyrueshëm konvergimin me nivelin ekonomik të BE-së, dhe meqë e nisëm këtë garë ekonomike të fundit, duhet të vrapojmë me ritme më të shpejta se të tjerët në mënyrë që t’u afrohemi disi. Kjo situatë ritmesh të shpejta të rritjes ekonomike ndryshoi brusk në vitin 2009, ku ritmet mesatare të deriatëhershme u përgjysmuan dhe madje së fundmi këto ritme kanë rënë nën mesataren e rajonit. Pra, kemi qenë, jemi, dhe së fundmi mësuam që do të vazhdojmë të jemi qytetarët me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon.

Së dyti, këtë “dështim të suksesshëm” e kemi arritur me nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon. Edhe ky tregues përkeqësohet ndjeshëm pas vitit 2009, ku shifrat formale flasin për një nivel borxhi publik sa dy buxhete vjetore e gjysmë. Këtu nuk janë llogaritur investimet e kryera, por ende të papaguara publike, apo detyrimet e tjera të prapambetura që ka krijuar shteti shqiptar pa marrë borxh mirëfilli. Me gjithë këto, që prej vitit 2010 qeveria korrigjon planifikimin e gabuar buxhetor në mënyrë periodike, duke na treguar qartë, por në mënyrë të heshtur, një prej simptomave faktike të krizës ekonomike, e cila nuk i mundëson mbledhjen e të ardhurave.

Së treti, ndonëse ritmet e rritjes ekonomike nuk raportohet të kenë rënë nën zero, ato janë gjithsesi shumë të dobëta. Në një ekonomi ku mirëqenia shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, pra ku një pjesë e vogël e shoqërisë pasurohet vrullshëm në kurriz të pjesës tjetër, por më të madhe të popullsisë, rritjet ekonomike me shifra të vogla tregojnë de facto rënie të mirëqenies për shumicën.

Pra, ndonëse deklarohet formalisht rritje ekonomike vjetore prej 1, 2 apo 3 për qind, kjo do të thotë që prej kësaj rritjeje përfiton një segment shumë i ngushtë i shoqërisë, por pjesa më e madhe e saj i takon që të jetë de facto në situatë recesioni. Shifrat e fundit të INSTAT që tregojnë për mënyrën e përdorimit të të ardhurave nga shqiptarët i takojnë vitit 2007, dhe ato shprehin që 10 përqindëshi i shqiptarëve më të pasur konsumonte në 2007 një të katërtën e konsumit total në vend, ndërsa 90 për qind e shqiptarëve të zakonshëm konsumojnë vetëm tre të katërtat e mbetura. 

Së fundmi, janë një sërë treguesish ekonomikë të përkeqësuar në ansambël gjatë viteve të fundit. Rënie e konsumit, rënie e investimeve publike dhe private, rënie e eksporteve dhe përkeqësim i bilancit tregtar, rënie e indeksit të shitjeve me pakicë, rënie e indeksit te çmimeve të konsumit, rënie e remitancave, rritja e perceptimit të reskut për Shqipërinë në tregjet globale, përkeqësim i të tëra parashikimeve mbi ekonominë vendase nga FMN, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim. 

Pra besoj se simptomat tregojnë qartë për një mbërthim të ekonomisë shqiptare nga kriza. Ndonëse është tentuar të fshihet apo shtyhet efekti i kësaj krize nëpërmjet marrjes së borxheve, treguesit fiskalë të fillimit të vitit 2012 flasin qartë për një përkeqësim të të gjithë treguesve ekonomikë. Me gjasë që kur të publikohen shifrat e punësimit për këtë periudhë do të vërejmë edhe rënie të numrit të të punësuarve në vend.   

Borxhi publik është në një nivel që nga shumë organizma ndërkombëtare është konsideruar si problem që meriton të ndiqet nga afër. Vendi ynë, sipas Bankës Botërore, ka një mesatare borxhi publik që është më e larta në rajon. Cilat janë shkaqet që u arrit në këtë situatë dhe cilat janë rrugët e daljes prej saj?

Shkaqet e kësaj situate janë shumëplanëshe. Së pari, ishte goditja nga kriza në një vit të rëndësishëm elektoral. Viti 2008 tregoi shenja të qarta mosekuilibri fiskal dhe u mbyll me një deficit prej 5,1 për qind, nga 3 që ishte synuar. Niveli i borxhit në vitin 2007 ishte prej 53,8 për qind të PBB-së dhe kishte ardhur duke u ulur gradualisht prej disa vitesh. Kjo tendencë ndryshoi që prej vitit 2008 dhe në 2009 arriti nivelin kritik të rreth 60 përqindëshit. Së dyti, viti 2008 përkon me vitin e parë fiskal të zbatimit të reformës së taksës së sheshtë.

Kjo ishte një ndërhyrje shumë e diskutueshme, sepse ishte zbatuar vetëm së fundmi dhe në disa ekonomi të ish bllokut të lindjes të cilat ofronin karakteristika specifike. Kjo ndërhyrje i shfaqi që në fillim simptomat negative në mbledhjen e të ardhurave, duke sjellë mbylljen e 2008-tës me deficit fiskal të lartë dhe e bëri të detyrueshme rritjen e borxhit publik, sepse duheshin prerë shirita në vitin elektoral 2009. Së treti, mendoj se në rritjen e borxhit publik, apo thënë më ndryshe, në thyerjen e tendencës së uljes së borxhit në vitet e para 2007-tës, ka ndikuar edhe mungesa e të ardhurave nga privatizimet, të cilat, në rastet paraprirëse përdoreshin kryesisht për uljen e borxhit. Madje, kemi pasur në Shqipëri raste kur për shkak të privatizimeve të suksesshme është ulur pesha e borxhit publik, ndonëse viti respektiv mbyllej me deficit fiskal të lartë.

Së fundmi, po e mbyll duke përmendur edhe një fakt tjetër që mundet tërthorazi të ketë ndikuar në përkeqësimin e borxhit. Në janar të vitit 2009, Qeveria Shqiptare vendos të mos rifirmosë marrëveshjen me FMN-në duke deklaruar se jemi pjekur profesionalisht sa të mund të administrojmë mirë financat tona publike. Në fakt, të tëra buxhetet që ka hartuar Ministria e Financave që prej kësaj dite, kanë qenë të pasakta dhe janë ridërguar në Parlament në mes të viteve fiskale për t’u korrigjuar me ulje.
 
Ka një debat në vijim, i cili, me sa duket, do të përfshijë edhe fushatën e ardhshme elektorale, në lidhje me aplikimin e taksës progresive apo vazhdimin me sistemin e taksës së sheshtë. Së pari, a ka vend për një debat të tillë dhe së dyti, cilat janë anët pozitive e negative të secilit sistem?

Sigurisht që ka vend për një debat të tille, i cili është pjesë e rëndësishme edhe në debatet elektorale, në ekonomitë më të zhvilluara të globit, ndonëse në asnjë prej këtyre nuk është vlerësuar se kjo është një reformë e dobishme. Për fat të keq, në Shqipëri pati një nxitim në fillimin e vitit 2007 për të hartuar një paketë fiskale të bazuar mbi taksimin e sheshtë. Për shkak të këtij nxitimi humbëm mundësinë e diskutimit të një ndërhyrjeje kaq kardinale, jo vetëm për buxhetin, por për ekuilibrat social-ekonomik të shqiptarëve. Në kësi rastesh, demokracitë liberale tentojnë përfshirjen e një mase sa më të gjerë aktorësh në mënyrë që të peshohen mirë kostot dhe përfitimet e kësaj politike. Instituti Agenda ishte i vetmi institucion që reagoi atëherë mbi këtë zhvillim dhe u mbulua nga një numër i konsiderueshëm mediash lokale e ndërkombëtare.

Gjithsesi, taksa e sheshtë në versionin shqiptar, - them kështu sepse u hartua dhe po zbatohet ndryshe nga ajo që u quajt nga ekonomistët e para njëzet e kusur vjetëve si taksim i sheshtë, hyri në fuqi në mes të 2007-ës për tatimin mbi të ardhurat personale dhe nga janari i 2008-tës edhe mbi tatimin e fitimit. Efektet e kësaj reforme në buxhetin shqiptar u shfaqën që në vitin e parë të zbatimit të saj, ku deficiti buxhetor në vitin 2008 u thellua përtej planit.

Tashmë katër vjet më pas, mund të thuhet me gojën plot, se kjo reformë, jo vetëm që nuk ka sjellë asgjë pozitive në Shqipëri, por ajo ka dëmtuar potencialin zhvillimor dhe ka intensifikuar polarizimin socialekonomik të vendit. Ndër komponentët e rritjes ekonomike, modeli ekonomik shqiptar është bazuar në mënyrë shumë dominante mbi konsumin me mbi 80 për qind. Është pikërisht ky komponent që është dobësuar prej rritjes së tatimit mbi të ardhurat personale. Pra, ndërsa ekonomia jonë pritej të goditej nga vala e krizës globale, taksa e sheshtë i dobësoi pikërisht themelet mbajtëse.