e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

6 telefonatat e pergjuara qe çuan ne qeli zyrtaret

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
6 telefonatat e pergjuara qe çuan ne qeli zyrtaret
Dosja e përgjimit, si funksiononte grupi i zyrtarëve të METE-s

Gjykata e Tiranës vendosi dje që të lërë në burg tetë zyrtarët e Metrologjisë të arrestuar për vjedhje me peshoret dhe korrupsion. Dosja hetimore e prokurorisë për të arrestuarit përmban një material voluminoz ku përveç dëshmive dhe hetimeve ndodhen edhe përgjime telefonike dhe ndjekje në terren. “Shekulli” ka siguruar një kopje të dosjes dhe do të publikojë sot pjesën e parë të saj. Sipas dosjes së prokurorisë, të arrestuarit kanë abuzuar duke përfituar tarifa të ndryshme nga subjekte private me pretendimin për kolaudimit të njësive matëse që dispononin pranë aktivitetit të tyre private. Ndërkohë, është shpallur në kërkim një grua, edhe kjo punonjëse e kësaj drejtori, e cila në bashkëpunim me të tjerët përfitonte shuma të mëdha parash në emër të institucionit ku punonte. Sipas prokurorisë, gjithçka ka nisur pas kallëzimit të bërë nga vetë punonjësit e Metrologjisë. Ai kishte zbuluar se kolegët e tij kishin vënë vula false në dy dyqane që ndodheshin në zonën e tij. Bëhet fjalë për një furrë buke dhe një market në në rrugën “Sadik Petrela” Tiranë. Pronarët dyqaneve kanë bërë përshkrimin fizik të inspektorëve dhe më pas është zbuluar i gjithë rrjeti.

Më poshtë, materiale nga dosja:

“Në datë 12 tetor 2011 prokuroria, me vendim gjykate, ka vënë në përgjim nr. personal të telefonit të shtetasit Kristaq Thanasi me detyrë inspektor pranë drejtorisë së Metrologjisë Tiranë. Aty nga ora 15:40 i dyshuari Thanasi merr një telefonate nga një biznesmen me inicialet A.K. Ky i fundit në hyrje të Porto Romanos, ka ndërtuar një pikë për peshimin e automjeteve me dy peshore të reja elektronike automobilistike.

Nga biseda me Thanasin, rezulton se A.K. është i interesuar për kolaudimin e tyre meqenëse i kishte ardhur një anije dhe i duheshin dokumentet (librezat e kolaudimit) me qëllim për t’ua treguar kapitanerisë së anijes. Thanasi e pyet nëse do vetëm dokumentacionin apo donte kolaudimin e sakte, ndërsa A.K. i thotë se si fillim i interesonte vetëm ana dokumentimit për t’ia treguar kapitanerisë.

Pas kësaj Thanasi i ka telefonuar shtetasit Rolandi Çelmeta, me detyrë zv/Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe i ka treguar këtë fakt duke i thënë që A.K. të cilin i dyshuari Çelmeta nuk e njeh, i duheshin dokumentet e kolaudimit, pasi ai priste të bënte evadimin e një ngarkese nga një anije në port. Çelmeta i jep leje për të vepruar duke i thënë që thuaji biznesmenit A.K. të vijë në Tiranë t’ia japim letrat në dorë, ta mbyllin punën. Thanasi i ka thënë se gjithsesi do njoftonte dhe Moisi Musabelliun.

Pas kësaj, Thanasi i telefonon të dyshuarit tjetër Moisi Musabelliu me detyre Drejtor i Metrologjisë dega Tiranë dhe e vë në dijeni që e ka marrë miku i tyre biznesmen A.K. dhe i ka kërkuar kolaudimin e peshoreve dhe Musabelliu i thotë për të nesërmen.

Në datën 13 tetor 2011 biznesmeni A.K. nga numri i tij personal i telefonit i ka telefonuar Thanasit dhe ky i fundit i ka lënë një takim në Tiranë dhe të vije pas një ore t’i marri. Biznesmeni A.K. i thotë se do dërgoj një person tjetër me emrin “Vasil”. Nga raportet e shërbimit të datës 13 Tetor 2011, rezulton se Thanasi ka qëndruar gjatë gjithë kohës në Tiranë ndërsa tek peshoret në Porto Romano mbas një pike gazi nuk ka shkuar as Thanasi e as ndonjë inspektor tjetër. Dyshohet se kolaudimi i peshores së biznesmenit A.K. është bërë në mënyrë fiktive duke pajisur me letra.

Në datën 20 Shtator 2011 në orën 11:34 Thanasi ka fol në telefon me Musabelliun dhe i ka thënë se e ka thirrur “Shaba”, i cili është një person që ka një karburant afër Liqenit Artificial. Më pas Thanasi është telefonuar nga “Shaba” i cili i ka thënë “a është takuar me Musabelliun”. Në datë 22 Tetor 2011 Thanasi i ka telefonuar Musabelliut dhe i ka thënë se “Shaba” e ka telefonuar disa herë dhe Musabelliu i thotë ta marrë vetë drejtorin në telefon. Thanasi i thotë që të flas në telefon me drejtorin vetë ai pastaj dhe i merr vet më pas pa problem. Musabelliu e adreson te “Arta” (dyshohet punonjëse që më pas është identifikuar si Dhurata Merlika që është në kërkim) dhe i thotë “ik merre aty dhe t’i shërbejmë shpejt”.

Në datë 27 shtator 2011 ora 12:32 Thanasi i telefonon “Shaba” përsëri nga nr. i tij personal dhe është biseduar për një pasaportë kualidimi për karburantin që ndodhet pranë Liqenit Artificial.

Në orën 14:15 sipas raportit të shërbimit, Thanasi ka dal nga zyra me një letër të bardh në dorë dhe një librezë ngjyrë blu në dorë e cila dyshohet se është pasaporta e karburantit. Personi tjetër që dyshohet të jetë “Shaba” pasi është takuar me Thanasin, ky i fundit i ka dorëzuar letrën me librezën ngjyrë blu. Personi i panjohur ka shkuar te karburanti që ndodhet pranë Liqenit Artificial.

Në datë 3 Tetor 2011 ora 14:27 Musabelliu e telefonon i dyshuari shtetasi Armand Shuaipi dhe bënë një bisedë për një shtetas nga Lushnja dhe një nga Elbasani. Dyshohet se Shuaipi është një sekser që ka marrë dy porosi dhe më pas ia ka dhënë Musabelliut. Ky i fundit e pyet që t’ia japi atij të Lushnjës në dorë apo t’ia jap vetë Shuaipi dhe më pas ky i fundit t’ia japë atij të Lushnjës. Shuaipi i thotë Musabelliut që t’ia jepte ndërsa atë tjetrën që i bie pasaporta e kolaudimit për një subjekt në Elbasan t’ia dorëzoj Armand Xhikës (i dyshuari tjetër). Më pas, Shuaipi i kërkon Musabelliut që t’i krijojë një kontakt me Thanasin dhe ta pyesë së sa është pagesa, bëhet fjalë për shumën që duhet të arkëtohet në shtet.

Në datën 4 Tetor 2011 rreth orës 20:00 Thanasi është takuar me Shuaipin, sipas raportit të shërbimit të datës 4 Tetor 2011 tek një lokal mbrapa Gjykatës së Lartë. Është parë që Thanasi i ka hap një dosje dhe po diskutonte me Shuaipin në lidhje me disa dokumente që ndodheshin në atë dosjen….

Në datën 6 Tetor 2011 në ora 19:41 Shuaipi flet me Thanasin. Gjatë kësaj bisede Shuaipi i thotë Thanasit që të mos harronte librin (pasaportën e kolaudimit) ndërsa Thanasi ia kthen se është libër i bukur. Thanasi e pyet Shuaipin nëse ia ka sjellë ato, dhe biseda vazhdon dhe Shuaipi i thotë se “i ka sjellë abetare për çunin, leximin dhe po deshi ndonjë stilolaps”.

Pas kësaj bisede, Shuaipi flet në telefon me Musabelliun dhe i thotë që të mos bëhet merak se nuk ka mbaruar punë me të gjitha, por do e mbarojë shumë shpejt.

Në datë 10 Tetor 2011 në orën 15:14 Musabelliu telefonohet nga Thanasi i cili i thotë se i ka telefonuar përgjegjësja e kësaj drejtori në Fier me inicialet M.A. dhe i ka thënë që “si guxon që bënë kolaudime në Fier dhe në Lushnje”. Thanasi i ka thënë M.A. që ç’punë ke t’i se ai zbaton vetëm urdhra ndërsa Musabelliu i thotë që nuk ka problem se e sqaron ai nesër këtë punë.

Në datë 18 Tetor 2011 inspektoret i dyshuar tashmë Hetem Basho, Armand Xhika, Kristaq Thanasi dhe drejtori Mojsi Musabelliu kanë shkuar me shërbim në Elbasan dhe Përrenjas. Rrugës i dyshuari Xhika i telefonon Musabelliut dhe i thotë që është bashkë me të dyshuarin Basha te unaza e Elbasanit, te një pikë karburanti që ndodhet aty dhe se këta pronarët nuk paguajnë, nuk bëjnë dhe se këta po nuk erdhi t’i si drejtor nuk duan t’ia dinë. Pas kësaj Musabelliu e merr në telefon Bashën dhe i thotë përsëri të kaloj nga ky karburant dhe ti bëjë një presion se ndërkohë Basha u kishte thënë punonjësve të karburantit që po vinte dhe drejtori. Sipas raportit të shërbimit rezulton se Musabelliu dhe Thanasi që ishin me makinën e këtij të fundit, qëndruan te karburant në unazën e Elbasanit dhe po shikonin distributoret shpërndarës të naftës dhe gazit. Më pas u nisën të gjithë së bashku në Përrenjas dhe bënë kualidimin e një karburanti në dalje të Përrenjasit. Në kthim kanë qëndruar tek një lokal përball stadiumit dhe u takuan me tre persona.

Në datë 20 tetor 2011 ora 11:25, Musabelliu ka komunikuar në telefon me Thanasin dhe gjatë bisedës ky i fundit i thotë se ka folur me shtetasin Drejtorin e Metrologjisë Ligjore me inicialet F.Th. dhe ky i fundit i ka kërkuar llogari që “përse kishte kryer veprime në Çorovodë duke qenë se është jashtë juridiksionit të tij”. Thanasi i ka thënë F.Th. se “unë këtë punë, unë nuk e bej as në Tirane pa urdhër dhe jo në Çorovodë”. Në këtë kohë Musabelliu e pyet që: “E ka bërë drejtori the”? Thanasi i përgjigjet se “nuk i ka thënë drejtori fare por unë marr urdhra nga drejtori (debatojnë në telefon).

Në datën 30 Tetor 2011 Musabelliu ka folur me Shuaipin dhe ky i fundit i ka thënë që të nesërmen në orën 10 e kanë të mbyllur atë punë. Musabelliu i është përgjigjur që nuk ka problem se e pret.

Të nesërmen në datën 31 Tetor 2011 ora 09:07 Shuaipi i telefonon një personi që i thërrasin “Ymer”, dhe gjatë bisedës Shuaipi i thotë “Ymerit” se e ka mbyllur punën dhe duhet bërë pagesa. Për këtë ai i thotë këtij personi që të dërgojë njeri aty për të marrë paratë ose t’ia kalojë në bankë në llogarinë e tij, pasi ajo punë sipas Shuaipit duhej mbyllur atë ditë, pasi është bërë gati kartoni. Shuaipi i thotë se duhet bërë pagesa e faturës prej 30 mijë lekësh të reja se të tjerat i ka Shuaipi. “Ymeri” i kërkon me mesazh numrat e llogarisë ndërkohë që Shuaipi i thotë që do dërgojë një shok tjetër me inicialet K.L. “Ymeri” pranon, që të shkoj K.L.

Në orën 09:24 Shuaipi i telefonon K.L. dhe i kërkon që të shkoj tek “Ymeri” në Labinot dhe ti thotë që e ka dërguar Shuaipi, dhe Ymeri duhet t’i japë 60 mijë lekë të reja. Në bisedë flitet 600 mijë lekë të vjetra ku Shuaipi i thotë K.L., që ky i fundit t’i thotë “Ymerit” që, K.L. pasi ti marrë do i kaloj në bankë për Shuaipin.

Nga transkriptet rezulton se personi K.L. ka një karburant të tijin.

Në orën 09:44 Shuaipi ka folur përsëri me “Ymerin” dhe i ka thënë përsëri që do shkojë K.L. dhe Ymeri t’ia japë të gjitha, ndërsa “Ymeri” i thotë që s’ia jep dot të gjitha pasi nuk ka. Të tijat pra pjesën e tij ai si ka, dhe do t’ia sjellë të nesërmen në Tiranë.

Në orën 10:30 Shuaipi flet me K.L. dhe i kërkon këtij të fundit që të shkojë pasdite pasi “Ymeri” ka vetëm 300 dhe pasdite i bënë 600 mijë. Ndërkohe Shuaipi e sqaron K.L. se ai ka vetëm 300 mijë vetëm për pagesën e asaj. Në orën 11:18 Shuaipi i telefonon Musabelliut dhe e informon se është në pritje të atij plehrës (Ymerit). Musabelliu i thotë që ta mbylli sa më shpejt se i pret dikush tjetër (shumat e lekëve)…
 

Të arrestuar

Agron Damsi

Armand Shuaipi

Armand Xhika

Hetem Basho

Kristaq Thanasi

Mojsi Musabelliu

Sokol Lami

Roland Çelmeta

Në kërkim

Dhurata Merlika

Të afërmit e të arrestuarve shajnë politikën dhe policinë

Grindja teksa prisnin vendimin e gjykatës. Grindja nisi për të gjetur fajtorin e arrestimeve: Ilir Metën apo policinë

Gjatë zhvillimit të masës së sigurisë për tetë të arrestuarit, ambienti përreth Gjykatës së Tiranës ishte mbushur me përfaqësues të LSI-së dhe të afërm të të pandehurve. Zyrtari më i lartë i arrestuar është Roland Çelmeta, ish-kandidat për deputet i LSI-së dhe anëtar i kryesisë së partisë. Për këtë arsye një numër i konsiderueshëm përfaqësuesish të LSI kanë qëndruar ditën e djeshme në lokalet përreth gjykatës.

Teksa ndodheshin në pritje të vendimeve pati edhe përplasje mes familjarëve të të arrestuarve. Në një rast dikush i identifikuar si “shok i Kolit” është përplasur me një të moshuar, i cili tha se kishte djalin të arrestuar. Në një moment i moshuari ka nisur të shajë kreun e LSI-së, Ilir Meta duke thënë se ai i kishte futur djalin në burg. Në këtë moment, personi i identifikuar si “shoku i Kolit” është përgjigjur duke e sharë. Më pas ai nisi të shante policinë, por në këtë moment kanë ndërhyrë familjarët e tjerë, të cilët i thanë të dyja palëve që të qetësoheshin: “Nuk e kuptoni që jemi për të njëjtin hall? Ata po bëjnë përça dhe sundo….”.

Prokuroria: “Çelmeta kreu i grupit. Presion tregtarëve që vononin të paguanin

Në krye të grupit të arrestuar dy ditë më parë prokuroria ka vendosur Roland Çelmetën, zv.drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Metrologjisë, ish-kandidatin e LSI-së për deputet dhe anëtarin e kryesisë së kësaj partie. Edhe ai bën pjesë në grupin e personave të përgjuar nga prokuroria dhe nga kjo ka rezultuar se roli i tij ishte ai i drejtuesit, por edhe i koordinatorit të punëve të grupit. Përveç pikave në Tiranë, Çelmeta autorizonte njerëzit e tij që të shkonin edhe në pikat të tjera jashtë Tiranës dhe të merrnin paratë pasi ai kishte bërë më parë bisedat me ta. Dhe në rastet kur biznesenët nuk paguanin, Çelmeta i dërgonte inspektorët për presion. “Bëji presion atij byth… në Ndroq se s’është kujtuar fare…”,- është përgjuar ai ti thotë inspektorit Armand Xhika.

Më poshtë pjesë nga dosja e prokurorisë për të:

“…Në datën 28 Tetor 2011 Rolandi i telefonon Nr.06*****98, i cili i përket shtetasit Armand Xhika me detyrë Inspektor dega Tiranë. Ndër të tjera Rolandi i thotë Mandit që të shkojë të kontrollojë një pikë karburanti në Yzberisht me pronar L.G, sepse pas kontrollit pronari do t’i respektonte. Gjithashtu Mandi i thotë që t’iu thotë dhe kolegeve të tij që kur të kalojnë tek karburant E në Ndroq që të mos futen fare për kontroll atje pasi është miku i tyre i përbashkët. Pas pak Rolandi e orienton Mandin për tek pika e L dhe ndërkohe merr dhe L me nr. telefonit 06******93 dhe i thotë që të takohen bashkë me Mandin.

Në datë 01.11.2011 Rolandi i telefonon një shtetasi me nr. 06*****87 (dyshohet Armand Xhika) dhe i thotë që të kalojë ti bëjë presion atij byth… në Ndroq se s’është kujtuar fare. Në datë 08.11.2011 Landi i kërkon përsëri që të shkojë t’i bëjë presion atij të Ndroqit dhe Ndërkohe Mandi i thotë që e ke gati atë.

Në datë 02.11.2011 Rolandi i ka telefonuar shtetasit Agron Damzi me nr. 0672058382 me detyrë inspektor dega Tiranë duke i thënë që të nesërmen të shkonin në Bubq tek fabrika për kontroll. “Të shkojnë të turren”.

Sipas raportit të shërbimit të datës 03.11.2011, shtetasi Agron Damzi me mjetin e tij të punës TR 2987 S është takuar me Roland Çelmetën në fshatin Bubq dhe kanë shkuar në një karburant në hyrje të fshatit. Kontrolluan me sy pompat e karburantit dhe me pas u larguan. Më pas shkuan dhe ndaluan në një karburant në afërsi të kryqëzimit të fshatit Likmetaj me fshatin Ishëm. Dhe këtu ata kontrolluan pompat me sy. Në orën 13.00 kanë shkuar tek një karburant tjetër pranë fshatit Murqim dhe këtu kontrolluan me sy pompat e karburantit. Më pas dhe ne një karburant tjetër ngjitur me të.

Në datë 07.11.2011 Rolandin e ka marrë numri 06******13 dhe i prezantohet si A. i Gosës së Kavajës. A i thotë që kanë ardhur ata të tutë për kontroll dhe A. ia kalon telefonin një inspektori që gjendet atje me emrin Adi. Landi flet më të duke i thënë që lëre të flasë dhe mbrapa kaloje.

Në datë 08.11.2011 Rolandi i ka telefonuar Armand Xhikës në numrin e telefonit 06******60 duke i thënë që në atë pikë para tre muajsh ka mbaruar punë shtetasi Hetem Basho (Tele). “Është i Teles ai, i Teles, e ka marrë Telja bukën aty, e ka marrë Telja para tre muajve bukën aty”. Landi pohon faktin që ka qenë në atë karburant me Telen dhe Telja ka mbaruar punë…”