e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

21 janari, zbulohet video e re ku gardistet qellojne me pistolete

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
21 janari, zbulohet video e re ku gardistet qellojne me pistolete
Efektivët e Gardës së Republikës nga oborri i kryeministrisë ditën e demonstratës së 21 janarit, përveç se kanë qëlluar me armë të llojit "MP-5" të kalibrit 9 mm dhe me plumba manovre të armës "Kallashnikovë", kanë qëlluar dhe me pistoleta të kalibrit 9 mm.

Ky lajm jo vetëm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, por provohet edhe nga disa pamje filmike të regjistruara ditën e demonstratës, pjesë nga të cilat "Shekulli" po boton sot. Fotot, për shkak të formatit bardhezi, ndoshta krijojnë probleme në identifikim, por në videon që është tashmë në duart e hetuesve, duket qartë së paku njëri nga efektivët e njësisë speciale të Gardës së Republikës duke qëlluar me pistoletë. Këto pamje janë arsyeja që grupi hetimor i dosjes së 21 janarit, javën e kaluar ka zbritur në komandën qendrore të Gardës së Republikës, duke sekuestruar me vendim të prokurorit 32 pistoleta të kalibrit 9 mm. Të gjithë këto pistoleta, ditën e demonstratës së 21 janarit kanë qenë në brezat e efektivëve të njësisë speciale të Gardës së Republikës.

Pistoletat që shtijnë në videon 14 minutëshe duken në minutën e 6 dhe të 11 të saj. Këto pistoleta mund të jenë çelësi i zbërthimit të enigmës së 14 gëzhojave të 21 janarit, të cilat nuk rezultonin të shkrepura nga "MP-5" megjithëse ishin të kalibrit 9 mm. Pistoletat pritet t'i nënshtrohen ekspertimit balistik e krahasues me 14 gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të oborrit të kryeministrisë bashkë me 117 gëzhoja të nxjerra nga armët e "grupit të zjarrit", mes të cilëve shtetasit Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çelaj.

Sipas burimeve nga prokuroria, të 32 pistoletat do t'i nënshtrohen ekspertimit, për të gjetur autorët e shkrepjes së 14 plumbave, rezultate të cilat pritet të sjellin të dhëna të reja. "Nga pamjet filmike, që vetëm një media ka filmuar duken qartë dy efektivë të Gardës. që qëllojnë me pistoleta.

Nuk identifikohen drejtpërdrejt nga pamjet, pasi janë të maskuar dhe me skafandër në kokë",- thuhet nga burimet e prokurorisë. Për këtë arsye këta dy persona pritet të identifikohen nga kryerja e ekspertimit balistik e krahasues me gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë.

Po këto pistoleta pritet të krahasohen edhe me predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrto, për të cilin ekspertët e Policisë Shkencore deri më tani nuk kanë zbuluar se nga cila armë ka ardhur. Gjithashtu, këto pistoleta nëse do të vijë predha që i është hequr nga koka viktimës Aleks Nika, do të krahasohen edhe me të. Ndërkaq, prokuroria i ka kthyer Gardës së Republikës 25 armë të llojit "MP-5" të sekuestruar kohët e fundit. Edhe ato u ekspertuan lidhur me 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë.

"Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore deri më tani me kërkesë të Prokurorisë kanë kryer ekspertimet balistike e krahasuese të 76 armëve të llojit "MP-5" të kalibrit 9 mm, që efektivët e Gardës kishin në përdorim ditën e demonstratës. Prej këtyre, janë kthyer tashmë rreth 66 prej tyre, ndërsa të tjerat janë mbajtur për t'u krahasuar edhe me predhën e hequr nga koka e viktimës Aleks Nika që ndërroi jetë në Turqi", - thanë burimet e akuzës. Sipas këtyre të fundit, mësohet se më datë 22 shkurt prokuroria sekuestroi 51 armë të llojit "MP-5" nga të cilat rezultoi se vetëm katër prej tyre kanë qëlluar në drejtim të turmës së demonstruesve dhe në ajër. Ndërsa të tjerat rezultuan se nuk kanë shkrepur asnjë plumb.

Çfarë përmban video 14 min

Video që publikohet sot në "Shekulli" është një nga provat e reja të grupit hetimor të prokurorisë për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar nga punonjësit e Gardës së Republikës. Ajo është rreth 14 minuta e gjatë. Fotot e nxjerra nga kjo video tregojnë gardistë që shtijnë me pistoleta. Në minutën e gjashtë të videos shfaqet punonjësi i parë i Gardës që qëllon me pistoletë. Në minutën e 11-të shfaqet një punonjës tjetër i gardës që qëllon me këtë armë. Videoja përfshin brenda minutazhit të saj edhe momentet trahjike të vrasjes së të ndjerit Ziver Veizi, por në një tjetër kënd-pamje. (nga ana e piramidës). Në vide shihet se në pikërisht në momentet kur Veizi rrëzohet, ka lëvizje të shpejta dhe një intensitet të lartë të shtënash nga gardistët e grupit të zjarrit.

Duket sikur kanë marrë njëherazi, të njëjtin urdhër. Në një tjetër moment në video shfaqet vrasja e Aleks Nikës. Ai sapo është qëlluar me armë dhe po mbahet në krahë nga protestuesit e tjerë të tmerruar që thërrasin për ndihmë.

PROKURORIA

Këto pamje të panjohura deri më sot, pritet të hedhin dritë mbi enigmën e 14 gëzhojave që janë gjetur në oborrin e kryeministrisë nga ana e Piramidës, por që nuk rezultonin të nxjerra nga "MP-5"-at. Prokuroria: Do të krahasohen me predhat që vranë Aleks Nikën dhe Faik Myrton