e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'21 janari', gjyqtaret: SHBA po nderhyn tek drejtesia. Arvizu takim urgjent me Llallen

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'21 janari', gjyqtaret: SHBA po nderhyn tek drejtesia. Arvizu takim urgjent me Llallen
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu sapo ka nisur një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.Takimi vjen një ditë pas vendimit të gjykatës për shpalljen si të pafajshëm të ish-kreut të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistit Agim Llupo lidhur me ngjarjet e “21 janarit” dhe pas reklikave mes ambasadës dhe gjykatës.

Dje, ambasada e SHBA-ve në Tiranë lëshoi një komunikatë të fortë për vendimin e drejtësisë shqiptare duke e cilësuar atë si minim të besimit se sistemi i drejtësisë mund të jetë i paanshëm.

“Jemi të tronditur nga vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë për të shpallur të pafajshëm dy të pandehur që u gjykuan për akuza në lidhje me vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011. Fatkeqësisht, verdikti ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhej në deklaratë. Takimi vjen pak minuta pas reagimi të trupit gjykues që shpalli të pafajshëm Prendin dhe Llupon. Në reagimin e gjyqtarëve Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi, reagimi i ambasadës së SHBA-ve konsiderohet si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Deklarata e SHBA është shqetësuese dhe ndërhyn në procesin e rregullt ligjor. Reagimi vjen  para qëndrimit të prokurorisë dhe para zbardhjes së arsyetuar të vendimit. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë ligjor e të paanshëm. Bëjmë thirrje të shmanget çdo lloj deklarate paragjykuese ndaj këtij vendimi”, thuhet në reagimin e qytarëve.