Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të drejta të barabarta, mundësi të barabarta

Shkruar nga: Xhon L. Uithers, II  
Botuar më: 15 vite më parë

Xhon L. Uithers, II
Të drejta të barabarta, mundësi të barabarta

8 marsi shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, një përkujtim që na sjell në mend rolin kritik që gratë luajnë në përballimin e sfidave ekonomike, politike dhe njerëzore, me të cilat ballafaqohet bota jonë. Kur përmend koncepte kaq madhore, mund të mendoni se kam ndërmend lojtare të fuqishme në skenën botërore si Mishel Obama, Hilari Klinton, Anxhela Merkel e Mishel Bashelet. Do të isha i pari për të rënë në një mendje që këto gra dhe të tjera si ato janë figura qendrore në botën tonë; por sot, dua të shpreh nderim për një grup tërësisht të ndryshëm femrash. Shitëset e dyqaneve dhe fermeret. Studentet dhe mësueset. Udhëheqëse të organizatave komunitare dhe pronare biznesesh. Punonjëset e administratës shtetërore. Shtëpiaket dhe nënat. Të gjithë ne njohim femra të tilla; këto janë ato që unë i quaj "Heroinat e Përditshme".

Gjatë kohës sime si Ambasador këtu, kam takuar shumë "Heroina të Përditshme", femra shqiptare që më kanë prekur dhe frymëzuar, me përkushtimin që kanë ndaj vendit të tyre. Si mësuese, fermere, inxhiniere apo në shtëpi, femrave shqiptare shpesh u duhet të përballen me sfida të stërmëdha dhe me sakrifica të mëdha personale. Ato janë mbresëlënëse për arritjet e tyre, të cilat flasin mijëra fjalë mbi rolin e tyre për të sjellë ndryshim dhe përparim në vendin e tyre, përfshi edhe përmirësimet në statusin e vetë atyre.

Gjithnjë e më shumë shohim femra të tilla shqiptare që punojnë në profesione të konsideruara prej kohësh si "streha ekskluzive të burrave". Si shofere kamionësh apo taksish, për shembull. Në polici dhe në ushtri. Duke garuar në sporte, në të cilat më parë mbizotëronin meshkujt. Duke drejtuar kompani të mëdha. Në këto profesione, të identifikuara tradicionalisht me "maskulinitetin", ato kanë sjellë jo vetëm shkëlqimin e tyre, por edhe të gjitha mësimet dhe mençurinë që femrat, veçanërisht, mësojnë nga jeta. Na thonë se një gjë e tillë i ka ndihmuar të kuptojnë edhe përmasa të tjera të jetës, të ndihen më të vlerësuara në shoqëri dhe më njerëzore në marrëdhëniet e tyre me komunitetet e tyre.  

Këto janë heroinat e përditshme shqiptare. Nuk kanë fuqi të mbinatyrshme, por përfaqësojnë atë çka është e shkëlqyer, frymëzojnë të tjerë dhe kanë përkushtim me pasion ndaj sjelljes së ndryshimit brenda komuniteteve ku ato shërbejnë.

8 marsi është një ditë e caktuar, posaçërisht për të nderuar femrat në Shqipëri dhe në mbarë botën si "Heroina të Përditshme" që zbulojnë shtigje të reja dhe kapërcejnë pengesa, ndërkohë që rendin drejt përparimit dhe begatisë për brezat që do të vijnë. Megjithatë, duhet thënë se një nderim të tillë e meritojnë çdo ditë të vitit, sepse arritjet e tyre e bëjnë botën tonë një vend më të mirë.
Heroinat e Përditshme. Gra të zakonshme që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Ato janë çelësi për përparimin global në këtë shekull të ri dhe meritojnë admirimin, mbështetjen dhe respektin tonë. Nga unë, i kanë të gjitha këto.
*Ambasadori i ShBA në Tiranë

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama