Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Obamizmi, Putinizmi dhe Ku Klux Klani shqiptar

Shkruar nga: Artur Zheji  
Botuar më: 16 vite më parë

Artur Zheji
Obamizmi, Putinizmi dhe Ku Klux Klani shqiptar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u ngritën edhe njëherë në nivelin e liderit moral dhe demokratik planetar. Zgjedhja e Obamës për President, ishte dhe është një kurorë e triumfit të njeriut dhe njerëzores mbi racat, të gjenialitetit, mbi mediokritetin, është fillimi i një Ere të Re, në klasifikimin e vlerave sipas substancës dhe jo sipas formës, sipas programit politik dhe jo sipas ngjyrës së lëkurës së atij që e mbart atë.

Obama, është njëkohësisht, nga pikëpamja e doktrinave të vjetra dhe të ndyra raciale, pinjoll i një "pakice" relative në Amerike, të ashtuquajtur të "zezë", porse gjenialiteti i tij dhe fryma demokratike e amerikanëve, vendosi ta çojë atë në Shtëpinë e Bardhë.E pra, gjithpërfshirja dhe njohja e të drejtës së gjithkujt, për të shpresuar dhe për të besuar, për të marrë pjesë në garë dhe për të fituar, për të fituar dhe qeverisur, u monumentalizua në SHBA.
Kjo stuhi e re demokratike që vjen nga përtej Oqeanit, ka mbërritur dhe tek ne, duke ngjallur edhe ndër ne shpresa dhe vullnet për ndryshim rrënjësor.
Porse me sa duket në Shqipëri është ulur këmbëkryq Putinizmi, doktrina e përjashtimit dhe e neutralizimit të kundërshtarit politik, doktrina e të gjithëpushtetshmëve, e gjysmë mbretërve të pakontestueshëm.

Doktrina e absolutistëve që përjashtojnë me çdo mjet, të Ndryshmit, të Tjerët apo "Racat" e tjera politike, duke vendosur në filozofinë politike të të bërit politikë, konceptin e Getos politike, duke ndarë kësisoj "Rracat superiore dhe të mëdha" të politikës nga "Rracat inferiore dhe të të Përjashtuarve".
Ky refleksion më vjen ndër mend tek shoh këmbënguljen e egër dhe të pamoralshme të Sali Berishës dhe Edi Ramës, në çështjen e debatit madhor të Kodit Elektoral.

Tanimë këta dy zotërinj, të ngjashëm dhe simetrikë gjithmonë e më shumë në raportimin me pushtetin, duan të vendosin një diktat përjashtues, duan të vendosin një tabelë ku shkruhet: "Ndalohet hyrja e të zinjve dhe qenve" apo "Ndalohet hyrja e atyre që e mendojnë dhe janë ndryshe" në pallatin e pushtetit, në tempullin e përfaqësimit publik.Sepse të përjashtosh edhe vetëm një njeri pa motiv në konkurrimin politik, është kërcënuese e jo më një parti të madhe dhe parti të tjera bashkë me të. Sepse, përjashtim, është dhunimi dhe tjetërsimi i të Drejtës për të numëruar dhe ruajtur votën tënde, nga vjedhja potenciale, nga vjedhja teorike dhe ajo praktike.

Nga vjedhja potenciale dhe teorike sepse Kodi Zgjedhor i gatuar sëfundmi, nuk ndërtohet mbi barazinë e subjekteve politike, por mbi epërsinë e tyre numerike, e pra ngurtëson në ligj një diskriminim dhe pabarazi thelbësore, duke i ndarë arbitrarisht forcat politike, në të mëdhenj dhe në të vegjël, në të "bardhë" dhe në të "zinj". Dhe ky arsyetim nuk është një paragjykim i artikullshkruesit, por një realitet konkret, i mishëruar në Kodin Zgjedhor, ku e zeza mbi të bardhën shkruhet përjashtimi i sanksionuar i partive jo satelite, e që do te mbetet në faqen e turpit të historisë tonë politike si Kodi Rama-Berisha, kodi që e çon Shqipërinë drejt Putinizimit të saj politik, drejt Orientit dhe jo drejt Oksidentit.

II.

Ky rikthim mbrapa i disa standardeve të vendosura me shumë mund, shume debat dhe shumë luftë këto vitet e fundit, ishte i pritshëm nga Sali Berisha. Në ADN e tij politike, autoritarizmi lindor, është një stil, që nuk ndryshon, një stil i formimit të tij Stalinist dhe kamzhiktundës. Por, që do të pajtonte si shqytar dhe bashkëfajtor Edi Ramën, pakkush e besonte. Që Edi Rama të ishte në fshehtësinë dhe thellësinë më të thellë të karakterit të tij një putinist, një jo liberal dhe një bir shpirtëror i berishizmit, të kësaj joshkolle demokratike, është ende një realitet shokues.

Që politika e tij e "Re", të ish kaq e vjetër, kaq joamerikane dhe joamerikaniste, kaq joObamiste dhe kaq Putiniste shkakton rrënqethje. Sepse, nga ky kulminacion i cinizmit, që po demostron partia socialiste e rreshtuar në njësh kollonë mbas Edi Ramës, pa zëra Ndryshe dhe me oponencë të brendshme memece, mund të ndërtosh lehtësisht me përfytyrim qeverinë Rama, nëse do të ketë një të tillë. Shqipëria me Ramën, kryeministër, do të ish një Shqipëri memece, me diktat të hekurt në media dhe ekstremiste në të ushtruar të pushtetit, në të krijuarit e oborrtarizmi dhe të lakenjve si racë e re, mundësisht të vetmen.

III.

Dhe mund të themi se greva e urisë e dhjetë deputetëve, është përpos të tjerave, fillimi i një lufte politike të imponuar, një luftë politike nën kërcënim e shfarosjes së identitetit të të Tjerëve, nga marrëveshja Berisha-Rama. Kjo marrëveshje përjashtuese, po shpaloset e egër, si një Ku Klux Klan ultra racist, që synon krijimin e një mono-rrace politike ["të bardhë" dhe vetëm për të bardhët], për ironi të kamufluar në mënyrë perverse edhe me një Obamizëm të shtirur të disave.

Sepse kodi elektoral, i cili ka vetëm 24 orë që ka dalë nga kantieri, dhe do të vërvitet në Kuvend si gëlbazë, është i denjë në thelbin e vet konceptual, përjashtues dhe diskriminues, vetëm për stilin e një Ku Klux Klani, i cili nuk e zgjedh Obamën president, por vret Martin Luther Kingun.
Ky regres në filozofinë e të bërit shtet, në filozofinë e kapjes së pushtetit trasversalisht dhe totalisht, po e ndan Shqipërinë politike në të "bardhë" superiorë dhe në "të zinj" të diskriminuar, sipas një stili të harruar nga koha.

Ndoshta sot mendimi im është në pakicë relative dhe për këtë arsye pres pa habi që dikush t\'më thërrasë me përbuzje edhe "zezak" dhe pastaj të përbetohet në ndonjë foltore për Obamën, mund të na thërrasin edhe çifutë edhe cecenë. Sepse kjo do të mund të jetë Shqipëria e Re e mpiksur në këtë Diktaturë të Re. Ndoshta ata do të fitojnë ndoshta jo. Mvaret edhe njëherë se cili do të jetë fati i apo antifati i Shqipërisë, mvaret nëse do të dorëzohemi apo do të vijojmë të mospajtohemi. Mvaret. Po ata, perëndimorët e ambasadave, do të rijnë akoma për shumë kohë si "Yjet që rijnë e vështrojnë?"Varet.

Ndërkohë Ku Klux Klani do lejohet të mbarojë punë dhe të themelojë racizmin e ri, të politikës së re shqiptare.
Mvaret, nëse ne, "zezakët" do ta lejojmë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama