e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Opinion

Humbëm një nga njerëzit që bëjnë histori

Edi Rama24 maj 2008
Humbëm një nga njerëzit që bëjnë histori

Dje vdiq një njeri nga ata që bëjnë histori. Tani i TOP-it arriti i vetëm për 7 vjet atë që vendeve si Shqipëria u duhen 70 vjet për të arritur. Ai jetoi me 300 km në orë dhe fluturoi larg, duke kapur ëndrrën e tij dhe duke ndezur ekranin e shekullit të ri, në një Shqipëri që ende jeton pas perdes së shekullit të vjetër. Vepra madhështore që Tani i TOP-it ndërtoi me intuitën e një gjeniu dhe pasionin e një fëmije, është modeli i një suksesi të barabartë me një jetë frenetike të jetuar në timon. Pa e ulur shpejtësinë për asnjë dekikë. Pa pyetur për orën dhe as për rreziqet e rrugës. Pa fjetur, përveçse duke mbyllur sytë për të ecur më shpejt.

Pas profesionistëve e talenteve që në mikrofonin e "Top Albania"-s dhe ekranin e "Top Channel"-it gjetën oazin e zhvillimit të tyre në kushte optimale, ishte jeta e një njeriu në kërkim të parreshtur të cilësisë më të mirë. Pas prurjes së pandalshme të risive të komunikimit, formateve moderne të pasqyrimit të aktualitetit, të qeshurave therëse të "Fiks"-it e atyre me lot të "Portokalli"-së, tingujve të "Top Fest"-it dhe jehonës së stadiumeve të botës së "Super Sport"-it në kohë reale, ishte jeta e një njeriu në garë me kohën. Pas tasteve të telekomandës që çelte çdo vit dritare të reja në shtëpitë tona, ishte jeta e një njeriu që s‘mund të plakej.

Ikja e tij përgjithnjë nga kjo botë që nuk i mjaftoi asnjëherë, le pas kudo trishtimin e thellë për ç‘ka humbi sot Shqipëria. Së bashku me dhimbjen e madhe tek unë për humbjen e një njeriu të jashtëzakonshëm, që pata fatin ta njoh nga afër qyshse nisi t‘i japë jetë ëndrrës për të cilën ishte lindur dhe të cilës i kushtoi jetën.