Po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve

Shkruar nga: Ismail Kadare  
Botuar më: 12 vite më parë

Ismail Kadare
Po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve

Paris/Prishtinë, 17 shkurt

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare shpalljen e sotme të pavarësisë së Kosovës e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme për historinë tonë dhe një ditë jashtëzakonisht të madhe. "Është e pamjaftueshme, duket e zbehtë, jo në gjatësinë e kësaj dite, domethënë gjuha është e zbehtë, e papërgatitur për një ngjarje kaq të madhe, që vjen njëherë në disa shekuj. Ne të gjithë po e përjetojmë këtë gjë dhe e kemi të vështirë ta shprehim, por kjo nuk na pengon ta ndjejmë në thellësinë më të madhe të saj", u shpreh sot Kadare për RTK. Duke vlerësuar zhvillimet pas deklaratës së pavarësisë, Kadare tha se liria është parimi më i madh dhe më sublim në botë dhe fakti që dita e sotme kudo në të gjitha mediat botërore ndiqet me një lloj ndjenje gati të shenjtë. Kjo, siç tha ai, ka lidhje me faktin se populli i Kosovës, bashkë me gëzimin e tij po i tregon gjithë botës, përkatësisht po i rikujton edhe njëherë se s'ka gjë më sublime se liria. "Popujt që kanë atë ndonjëherë jo që harrojnë, por ndoshta nuk e çmojnë aq sa ata që e përjetojnë për herë të parë, si të thuash është modeli i përjetshëm i lirisë që i pret të gjithë dhe kështu shpjegohet kjo ditë, dhe sidomos sot gjithë bota është e elektrizuar dhe e ndjek si asnjëherë tjetër këtë ngjarje të rëndësishme për Kosovën. Ne kemi parë shumë shtete që janë themeluar këto dhjetë vitet e fundit, por asnjëri prej tyre, asnjë shtet i ri nuk ka pasur këtë eksitim ndërkombëtar, këtë ndezje siç të thuash, këtë emocion të krijuar dhe po krijon sot në gjithë planetin tokësor Kosova. Është vërtetë një gjë e mrekullueshme, shqiptarët e Kosovës e patën këtë fat". Kadare tha se ka raste kur e drejta ka humbur në këtë botë, ka raste kur popujt nuk kanë fituar dot. Andaj ai tha se duhet kujtuar të gjithëve për ta çmuar më tepër këtë që ndodhi me popullin e Kosovës, sepse mund të mos ndodhte në qoftë se nuk do të ngriheshin shqiptarët me armë për lirinë, në qoftë se nuk do të kishim mirëkuptim me aleatët perëndimorë. "Pra e thashë këtë gjë që të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm që kjo që po ndodh është një fat i madh, fati nuk erdhi sigurisht nga qielli, por erdhi nga vetë populli i Kosovës, erdhi nga miqtë tanë amerikanë, evropianë dhe miqtë tanë kudo që janë në botë. Prandaj të jemi pra të ndërgjegjshëm që është një fitore tepër, tepër e madhe dhe ta çmojmë thellësisht këtë që po ndodh, të ndërgjegjshëm që po na ndodh diçka e madhe, që ndodh rrallë në jetën e popujve", tha në fund të deklaratës së tij Kadare dhe ua uroi këtë kremte të gjithë shqiptarëve në Kosovë, siç u shpreh, "me një dashuri të madhe të jashtëzakonshme".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama