Erjon Veliaj inspekton punimet ne Selman Stermasi

Erjon Veliaj inspekton punimet ne 'Selman Stermasi'

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e kryeqytetit ka qenë dje prezent në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku është njohur nga afër me projektin tashmë të vënë në zbatim për rikonstruksionin e këtij impianti.

 

Erjon Veliaj i shoqëruar edhe nga grupi i tij i punës është takuar me krerët e klubit bardheblu, presidentin Halili, Drejtorin e Administratës, Saimir Shehrin dhe atë Sportiv, Devi Mukën, ndërsa është diskutuar mbi mundësinë e një bashkëpunimi më të gjerë në të ardhmen, nëse kandidati socialist do të jetë fitues i zgjedhjeve të 21 qershorit.

 

Bashkia e Tiranës siç dihet është pronare e 34% të aksioneve të klubit 24 herë kampion të vendit, ndërsa sipas Veliajt, ajo do të jetë një nga prioritetet e tij nëse do të marrë mandatin pas zgjedhjeve vendore.

 

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe trajneri Shkëlqim Muça, kapiteni i Tiranës Ervin Bulku dhe Drejtori Teknik, Eduard Gjini. Takimi i zhvilluar në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” ishte përzgjedhur nga Erjon Veliaj si një mundësi për t’u njohur nga afër me projektin serioz të klubit bardheblu dhe ka premtuar mbështetjen e tij të plotë për ekipin nëse do të zgjidhet kreu i bashkisë së kryeqytetit.

 

Impianti i cili prej disa muajsh i është nënshtruar rikonstruksionit, sipas marrëveshjes me bashkinë aktuale të Tiranës i është dhënë në koncesion për 18 vite, presidentit të klubit 24 herë kampion të vendit, ndërsa mendohet se përveç se “shtëpia” e re e tifozëve kryeqytetas, “Selman Stërmasi” do të jetë njëkohësisht edhe një burim i sigurt financiar për skuadrën bardheblu.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama