Bashkësia toponimike me rrënjën dim/tim ‘shtëpi’
Në këtë seksion: Art&Kulture · 8 artikuj ↓• Numri i madh i toponimeve, sajuar nga apelativi iliro-shqiptar dim/tim ‘shtëpi’, si: BinDIMIola, BuDIMje,DIMali, DIMinicë, GaDIMe, NeroDIMe, NikoDIM, ReTIME, SuDIMe, ShteDIM, ShTIMe, mund të na shtyjnë të shtrojmë dilemën në mos toponimet latine-romane me fjalën villa ‘shtëpi’, mund të jenë një interpretatio romana i një modeli toponimik iliro-shqiptar
Abdullah Konushevci
Gjetja dhe studimi i bashkësive toponimike paraqit një problem të rëndësishëm në studimet onomastike jo vetëm shqiptare e ballkanike, por edhe evropiane.
Por, së pari, duam të shpjegohemi rreth termit bashkësi toponimike, të cilin po e përdorim në kuptimin që ka ai në shkencat matematike: një grup elementesh që ka një tipar të përbashkët. Ky tipar i përbashkët mund të jetë një rrënjë, një kuptim, një gjymtyrë e dytë ose e pare, etj.
Së dyti, një ndriçim edhe më të madh kërkon shpjegimi dhe kuptimi i rrënjës dim/tim, që është element i përbashkët i kësaj bashkësie. Sikundër dihet, fjala tym kishte kuptimin e saj të kryehershëm ‘shtëpi’, që mund të shihet edhe nga vargu i Këngës së Gjergj Elez Alisë: Tym për tym ka ‘i dash të pjekun, ku vihet re menjëherë se kuptimi i saj është shtëpi. Këtë kuptim kjo fjalë e ruan edhe te shprehjet: Ky katund ka dyzet tymna, ka dyzet shtëpi, dyzet familje (FGJSH, 581), u danë tymnat ‘shtëpitë, pronat’, po s’u ndanë vllaznit, tym n’veti ‘shtëpi më vete’, etj. Për shkak se kjo fjalë ka edhe kuptimin e tymit të zjarrit, u mendua deri vonë se është një sllavizëm. Megjithatë, kohët e fundit është vënë me të drejtë në dyshim (.B. Demiraj), sidomos për shkak të evoluimit /i/ > /y/, që është mjaft i vjetër dhe që ka rrokur kryesisht latinizmat në gjuhën shqipe. Por, si ndodhi që kjo fjalë ta humbë kuptimin e fjalës shtëpi. Meqenëse kjo fjalë ka një fushë të gjerë semantike, sikur kemi provuar edhe për fjalën gjellë të shqipes, kuptimi i kryehershëm i së cilës qe jetë (khs. “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” të Jul Varibobës) dhe për të cilën Skok mendonte se është sllavizëm, është e kuptueshme se ajo humbi betejën në konkurrencë me fjalën jetë, që ka një fushë shumë më të ngushtë kuptimore, një kuptim shumë më të specializuar dhe më të veçantë. Kjo gjë mund të thuhet edhe për fjalën tym/tim, e cila, duke pasur një fushë të gjerë kuptimore, e humbi po ashtu betejën në luftë me fjalën shtëpi, që ka një kuptim shumë më të vaçantë, shumë më të specializuar.
Fjalën tym me kuptimin ‘shtëpi’ ne e gjejmë të një gjirie me sansk. dámas ‘shtëpi’, të av. dami, të arm. dun < *do:m ‘shtëpi’, të gr. dómos ‘shtëpi’, të lat. domus ‘id’, të sll. së vj. domu ‘id’ (Delamarre, 61). Meqenëse në shqipen kjo fjalë paraqitet me trajtat tym/tim, kurse në toponimi me trajtat dim/tim, besojmë se rrënja e saj indoevropiane do çuar te rrënja *d(h)oimo, meqenëse grupi /oi/ dha edhe /i/ edhe /y/ në fjalët e fondit të saj indoevropian.
Sikundër dihet, në toponiminë latine-romane dhe në toponimet e ndryshme botërore me këtë origjinë, fjala villa ‘shtëpi’, sipas parimit të sinekdokës pars pro toto, mori kuptimin e fshatit, po ashtu edhe fjala shqipe dim/tim dhe trajta e saj më e re tym ‘shtëpi’ mori po ashtu kuptimin e fshatit. Prandaj, po morëm parasysh këtë apelativ të shqipes te toponimet DIMali dhe BinDIMIola, që kanë një moshë shumë të lashtë të dokumentuar, mund të shtrohet lirisht dilema mos janë toponimet latine-romane me fjalën villa ‘shtëpi’ një interpretatio romana i toponimeve iliro-shqiptare me apelativin dim/tim. Por, megjithatë, kjo është një çështje e studimeve më të thelluara krahasimtare, sidomos në raport dhe me popujt e tjerë fqinjë. Pra, jo vetëm latinë.
Në këtë shkrim ne do të bëjmë përpjekje t’i ndriçojmë këto toponime, sipas një rendi alfabetik, duke treguar kohën e dokumentimit të tyre, si dhe do të bëjmë përpjekje t’i shpjegojmë edhe gjymtyrët e tjera të tyre.
BinDIMIola. Bindimiola si toponim dëshmohet që në shek. VI të erës sonë në krahinën e qytetit Akue të Panonisë, si emër i një fortese (Prokopi, De aed. IV 4). Po në këtë krahinë ne gjejmë edhe toponimin Braiola (po aty), sikundër që gjejmë edhe toponime të tjera që kanë në trup të tyre gjymtyrën –ola. Ndeshim pastaj edhe toponimin Konstantiola, qytet në grykë të lumit Morava (Th. Simokata, VII 10,3), ku po ashtu kemi gjymtyrën e dytë –ola. Edhe në Dardani kemi emrin e një fortese Kekola, që përmban po ashtu gjymtyrën –ola (Prokopi, po aty). Tobola, që gjithashtu përmban gjymtyrën e dytë –ola, është një toponim i dëshmuar në sh. XV në Vilajetin e Moravës (Pulaha, 671). Meqenëse këto toponime dëshmohen kryesisht në shek. VI të erës sonë, ekziton dyshimi i bazuar se në to ka mundur të ndikojë dukuria e njohur si fonetizmi grek, evoluimi /r/ > /l/. Ubifikimi i tyre, sidomos pozita e tyre gjeografike, mund të vërtetojë nëse këto toponime mund të lidhen me Clevorën, Korkorën dhe Bylazorën antike (Velesin e sotëm) dhe të përmbajnë në vete apelativin e shqipes ura < ora, sikundër toponimet Balvora dhe Bajgora. Emërtimi turk i këtij qyteti, Bylazorës, si Köprü ‘urë’ sikur e pohon këtë. Rrënja –dimi na çon vetiu te kërkimi i kuptimit edhe të gjymtyrëve të tjera te shqipja. Megjithatë, gjymtyra e parë bin-, në toponiminë e Kosovës, dëshmohet te toponimi mjaft i lashtë Binçë,dokumentuar që në sh. XI, më 1019 (A. Urosheviq, 12). Do shtuar se disa toponinme të Kosovës përmbajnë gjymtyrën –ull < -ola, si: Banull, Kanaçanull, Murgull, Shipitull, etj.
Për lexuesit e interesuar rreth problemeve onomastike, duhet të theksojmë se profesori i çmuar R. Ushaku në veprën e tij më të re “Hulumtime etnolinguistike”, botuar vjet, rreth toponimeve Bindimiola dhe Binçë, ka një mendim tjetër.
BuDIMje. Edhe fshati Budimje është dokumentuar në defterët osmanë që në sh. XV në trajtën Budimilie, madje edhe si nahje (Huta, 174). Për shkak të evoluimi /li/ e /le/ > /j/ (khs. fëmijë < lat. familia, rrëshajë < lat. rosalia, si dhe nevojë < sll. nevolja) u përftua forma e sotme Budimja, që, veç në toponimi, është e përhapur mjaft shumë edhe në patronimi. Me gjymtyrën e parë bu- < mbi ky toponim hyn edhe në bashkësinë toponimike të tipit: Bushat, Bushalë/Buzhalë, Buletin/Boletin, Bugjan, etj.
DIMali. Dimali është pa dyshim toponimi më i lashtë në bashkësinë toponimike, që e kemi marrë në shqyrtim. Dimali ishte një qytet në Iliri, gjurmët e të cilit vihen re te gërmadhat e kalasë së Krotinës pranë fshatit Allambres, rrethi i Beratit. Atë e shënon si Polybi (III 18,1 e 3; VII 9,13), si Livi (XXIX 12,3). Nuk kanë munguar përpjekjet që ky toponim i lashtë ilir të shpjegohet me apelativa të shqipes di ‘dy’ mal ‘male’. Një bashkësi toponimesh me numëror është e pranishme në toponiminë evropiane, mbase, dhe botërore. Por, sipas gjasash, edhe ky topoim i lashtë ilir duhet ta ketë burimin te apelativi dim ‘shtëpi’, meqenëse gjejmë një numër jo të pak toponimesh, ku gjymtyra e dytë është –al. Kështu, kemi emrin e qytetit trak Ankiali (Simokata, I 4,4), emrin e qytetit ilir Bargala/Barguli (Liv XXIX 12, 13. Hierokli VIII 641,6), Cibali, qytet në Panoninë e Ulët (Eutropi, X 5,1.), etj.; që të gjitha këto toponime kanë gjymtyrën e dytë –al, sikundër Dimali. Për më tepër, këtë gjymtyrë e ndeshim edhe tek hidronimi Bregalnica < Bergal+nica.
DIMInica. Në regjistrimet osmane ky ojkonim është i dokumentuar si Dimçe dhe Diminice që në sh. XV. Është hera e parë që shfaqet si gjymtyrë e parë, zgjeruar me prapashtesat –çe dhe –nica. Është e vështirë të dihet se cila nga variantet është më e vjetër. Në dokumentet sllave nuk e kemi gjetur të regjistruar (Urosheviq). Gjasët janë që trajta me prapashtesën sllave –nica të jetë më e vjetër, sepse prapashtesa –çe është turke. Prandaj, shikuar historikisht, duket se kjo trajtë është më e lashtë.
GaDIME. Ky fshat në rrëzë të malit Zhegovc, meqenëse është mjaft i vjetër dhe pati një zhvillim, me sa duket, të bujshëm, u degëzua në Gadimen e Epërme dhe Gadimen e Poshtme. Ky tip toponimesh ka prototipin e vet te Moesia Siperior (Mezia e Epërme) dhe Moesia Inferior (Mezia e Poshtme) të botës antike. Në dokumentet sllave përmenden po ashtu si dy Gadime, kur Vuk Brankoviqi ia fal manastirit të Hilandarit “ob Gadimli” (Urosheviq, 42). Emërvendi Gadime del i dokumentuar edhe në dokumentet osmane (Pulaha, 702). Gjymtyra e parë e këtij toponimi, ga- është identike me atë të Gallapit. Kjo na bën të mendojmë se do të duhej të kishte ekzistuar edhe toponimi Dim(e) në këtë zonë të banuar që nga kohët më të lashta të njerëzimit, sikur e vërteton edhe shpella e gjetur po në këtë vend. Sa mund të jetë kjo gjymtyrë një formë e sonorizuar e parafjalës së shqipes kah (khs. nga < n+ka, trajta toske e pahiatizuar), mbase, tash për tash, ngel një çështje e hapur, ndonëse në antikë ndeshim toponime latine të krijuara me këtë parafjalë, përkatësisht përgjegjësen latine apud ‘nga, kah’ (Apripa < lat. Apud Ripa, krahas Postriba < Post Ripam në Malësi të Madhe, krahas Rripës në Gjakovë, Repës < Ripa në Podujevë, etj.).
NeroDIMje. Edhe Nerodimja, si emërvend, shfaqet e degëzuar në Nerodimja e Epërme dhe Nerodimja e Poshtme, duke krijuar një nënbashkësi toponimike me Gadimen e Epërme dhe Gadimen e Poshtme. Në këtë nënbashkësi bën pjesë edhe S(t)udimja e Epërme dhe S(t)udimja e Poshtme, për të cilën do të flasim më poshtë. Ky toponim, sipas gjasash, duhet të ketë dalë nga hidronimi omonim, sepse gjymtyra e tij e parë asocionion vetiu me Nerseusin, të birin e Pontit, kuptimi i të cilit është ‘det i thellë, si dhe të bijat e tij, nereidat ‘nimfat e ujërave’. Për shkak se zgjon asociacione negative ky toponim në gjuhët sllave, në një akt të mbretit Milutin ajo quhet Rodimlja, kurse në krisobulën e Deçanit Porodimlja, kurse edhe në dokumentet italiane, dy përkthime të dokumenteve të Dushanit për raguzianët, shkruhet si Nerodimle (Urosheviq, 34). Haset edhe në dokumentet osmane si Gorna Nerodimle (Pulaha, 673). Mendojmë se i një gjirie semantike me të është edhe emri i lumit Neretva në Bosnjë.
NikoDIMI. Nikodimin nuk na ka rënë ta gjejmë në dokumentet sllave, kurse në ato osmane e gjejmë Nikodim (Pulaha, 665) si pjesë të Nahijes së Moravës (pjesa e haseve) më 1455. Me gjymtyrën e parë ai sajon nënbashkësi me toponimin e dëgjuar antik, Nikopolis, qytet në Epir, Preveza e sotme (Anonimi i Ravenës, IV 8, V 13). Sipas gjasash, gjymtyra e parë duket të jetë apelativi i greqishtes nikea ‘fitore’, i cili sajon një familje të tërë edhe antroponimike: Nikoandros ‘fitorja e njeriut’, Nikostratos ‘ushtri e fitores’, Nikomachos ‘betejë e fitores’, etj. Gjymtyra e parë e këtij emërvendi haset edhe te toponimet Nikaj-Mërtur në Malësi të Gjakovës, te Nikshiqi në Mal të Zi (Ajeti), te Nikshina Kulla (Pulaha, 695), etj.
ReTIMe. Me formën e saj desonorizuese a çzëshmuese, Retimja krijon nënbashkësi toponimike me Shtimjen. Për kohën e dokumentimit të saj është e vështirë të flitet, sepse nuk e kemi ndeshur as në dokumentet sllave, as në ato osmane.
SuDIMe. Në dokumentet sllave nuk kemi ndonjë burim më të hershëm rreth këtij emërvendi. Në popull dëgjohet edhe trajta sllavizuese S(t)udime. Nëse marrim parasysh shpjegimin tonë rreth toponimit Vushtrri nga një trajtë latine B(v)u+Subterraneum, si dhe se ky fshat ndodhet jo më larg se dy kilometra nga Vushtrria, atëherë është i gjasshëm përafrimi i këtij toponimi me një trajtë të mbindërtuar nga Su(b)dime, duke krijuar kështu një binaritet opozicional me Budimjen.
ShteDIM. Edhe emërvendi Shtedim, ndonëse më i përhapur se toponimet e tjera: e hasim si në Podujevë, po ashtu edhe në Rugovë, nuk ka ndonjë moshë të madhe dëshmmi historik, por kjo nuk do të thotë a priori se edhe nuk është toponim i vjetër.
(Kur jemi te Rugova, me këtë hov po theksojmë një mendim tonin se ky toponim duhet të rrjedhë nga apelativi i shqipes rrugë, zgjeruar me fjalën turke ova ‘fushë’ ose prapashtesën mbiemërore –ova, meqenëse në të folmen e saj vihet re shqiptimi i geminantes rr si r. Për më tepër, kur ky toponim njihet në dokumentet osmane dhe si Rugova derbend ‘Gryka e Rugovës’.)
Historikisht janë të dëshmuara zakonisht emërvendet që kanë ndonjë peshë historike, stacionet rrugore, qytetet, hidronimet, oronimet, etj. Mund të dyshohet me të drejtë se gjymtyra e parë mund të ketë lidhje me Shtojin e Malit të Zi dhe Shtovilin e Rugovës (Shtupeçin e sotëm), falë një disimilimi o –i > e –i. Megjithatë, kuptimi i tij do ndriçuar edhe më tej.
ShTIMje. Shtimja si toponim dëshmohet shumë herët historikisht. Përmendet në një dokument të Dushanit për manastirin e Shën Arkangjelit, si “ou Çtimli”, “više Çtimlje”. Në librin e Mikel Llukarit përmendet si Stimla (Urosheviq, 158). Gjymtyra e parë e këtij vendbanimi, që shtrihet në rranzë të Cerrnalevës, me sa duket, duhet të jetë një parashtesë intensifikuese e shqipes (khs. shkurt < lat. curtus ‘i shkurtë’, shfryj, krahas fryj, etj.).
Për nga mënyra e zgjedhimit, disa toponime ndjekin tipin e emrave pamje, -ja, kurse disa të tjera, që nuk marrin në rrokjen e fundit një –li ose –le në formën e dokumentuar, sipas tipit lule, -ja dhe një pjesë sipas zgjedhimit të emrave folojorë, zgjedhim, -i.
Burimet kryesore:
Atanasije Urošević, Toponimi Kosova, SANU, Beograd, 1975.
Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, III, Rilindja, Prishtinë, 1976.
Fjalori i gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1974.
Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes, I, Rilindja, Prishtinë, 1982.
Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Rilindja, Prishtinë, 1979.
Përparime Huta, Fshati në Sanxhakun e Shkodrës në shekujt XV-XVI, ASH e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1990.
Ruzhdi Ushaku, Hulumtime etnolinguistike, UP, Prishtinë, 200.
Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shekujve XV e XVI, ASH e RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1983.
X. Delamarre, Le vocabulaire indo-européen, Paris, 1984